Gruevski dhe Ahmeti dështuan, mllefi i qytetarëve zbret rrugëve

Konfiguracioni politik i situatës së krijuar pas protestave të qytetarëve të Maqedonisë kundër rasteve të montuara politike, është plotësuar me deklaratat e dy liderëve të partive më të mëdha të koalicionit qeveritar, duke përfshirë edhe reagimin e shkurtër të partisë opozitare shqiptare.

Gruevski dhe Ahmeti nuk janë në të njëjtën linjë sa i përket besueshmërisë së institucioneve të shtetit. Madje, kryeministri fokusin e ka në menaxhimin e protestave, Ahmeti nga ana tjetër vazhdon të premtojë ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë për rastin gjyqësor “Monstra”, ku u dënuan gjashtë shqiptarë me burgim të përjetshëm.

Reagimi i BDI-së i vonuar, nuk ka kapacitet të përballet me qytetarët

Analistët vlerësojnë se përkundër popullit shqiptar edhe BDI e ka humbur besimin në institucionet e shtetit të vet dhe kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët. Kjo gjë është absurde, sipas tyre, pasi që BDI duhet të angazhohet e të punojë për reforma brenda në shtet e jo të ‘derdh lot’ para ndërkombëtarëve.

“Me rastin e Monstrës është infantile të vihesh në anën e gjyqësisë e cila është shumë e politizuar. Kur kemi parasysh edhe rastet tjera që kanë ndodhur në kontinuitet me gjykime të montuara politike, atëherë është e kuptueshme që qytetarët, por edhe as vetë politikanët të mos i besojnë gjyqësisë. Ali Ahmeti nuk u beson institucioneve ku vetë merr pjesë andaj e kërkon ndihmën nga ndërkombëtarët.” thotë për Portalb, Ismet Ramadani.

Sipas tij, BDI duhet të jetë pak më e vendosur dhe të mos lejojë që problemet të kalojnë në rrugë, por puna duhet të bëhet në institucione ku shqiptarët kanë përfaqësuesit e tyre.

Qasja e Ali Ahmetit duket joserioze për analistin Ismail Sinani, dhe kjo tregon për mungesë të kapacitetit politik për tu përballur me qytetarët.

“Ali Ahmeti, është tejet i vonuar. Maqedonia është një shtet i vogël ku çdo turbulencë ndjehet për një çast nga njëri cep në tjetrin. Të prononcohesh të hënën, tre ditë pas gjithë atyre zhvillimeve që ndodhën të premten, në shikim të parë duket sjellje joserioze nga një parti që ka fituar shumicën dërmuese të votave të shqiptarëve. Dhe nëse këtë prononcim e bën vetëm pasi që të jetë takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, flet qartë për mungesë sigurie për t’u përballur me opinionin dhe për mungesë të kapacitetit institucional për t’u përballur me gjendjen, pavarësisht se ky subjekt drejton thuajse 40 përqindëshin e ekzekutivit”, thotë për Portalb, Ismail Sinani.

Protesta-Anti-Monstra-04.07.2014-23
Protesta-Anti-Monstra-04.07.2014

Gruevski ka lejuar politizimin e gjyqësorit, tani nxjerr mllefin në teren

Ismet Ramadani vlerëson se deklaratat e kryeministrit Gruevski nuk janë të arsyeshme për faktin se ai duhet të pranojë se gjykatat në Maqedoni janë të politizuara.

“Nuk duhet harruar se ministrja e qeverisë së tij, Gordana  Jankullovska, vrasjet në Smilkovcë qysh në fillim i kualifikojë sipas bindjeve të veta dhe në fakt përcaktoi fajtorin që është e palejueshme, sepse është punë e gjyqësisë së pavarur. Deklarimi se Maqedonia ka kapacitet të përballet me situatën e këtillë të protestave sinjalizon se kryeministri këto protesta është i gatshëm që t’i ndalojë duke përdorur edhe dhunën”, thotë Ismet Ramadani.

Më tej Ismail Sinani thotë për Portalb se deklarata e Nikolla Gruevski, në brendinë e vet ka elemente të kërcënimit në fakt të qartësimit të asaj që tashmë është duke e bërë në terren.

“Ai pa hezitim u thotë shqiptarëve ‘mos tentoni të bëni gjë ngase unë i kam të gjitha mekanizmat nën kontroll’. Paraqitja e këtillë, duket se edhe më shumë i ngrit tensionet, pavarësisht që numri një i qeverisë thotë se protestat në fjalë janë agjendë e huaj”, thotë Ismail Sinani.

Protesta-Anti-Monstra-04

Pakënaqësitë zbresin në rrugë, kthesa e radhës vështirë mund të parashikohet

Analisit Sasho Klekovski thotë se protestat ndaj një procesi gjyqësor ose ndaj një blloku politik shqiptarë nuk janë asgjë e re. Është e qartë se në mesin e shqiptarëve ka pakënaqësi nga mënyra se si dy partitë shqiptare i çojnë punët. Klekovski nuk beson se një nga një situatë e këtillë mund të përfitojë një bllok i tretë politik.

Ismail Sinani, thekson se nëse është vështirë të parashikohet se nga shkon situatë politike në Maqedoni, nuk është e vështirë të konstatohet se gjendja nuk do të kthehet aty ku ishte para protestave.

“Tashmë e kanë të qartë edhe optimistët më të mëdhenj në dy subjektet kryesore të politikës shqiptare. Shqiptarët, tashmë qartë kanë dëshmuar se nuk mund ta durojnë më avazin e njollosjes dhe përbuzjes që ua bën Gruevski me ndihmën edhe të disa shqiptarëve”, thotë Sinani.

Ismet Ramadani mendon se nëse revolta shtohet atëherë partia shqiptare në pushtet duhet të shfrytëzojë mundësit që ia lejojnë numrat dhe legjitimiteti që ka, për të sjellë vendimin e duhur. Në këtë mënyrë sipas tij do të kanalizohej revolta nëpërmjet veprimit të përfaqësuesve politik shqiptarë dhe të merrte epilogun e duhur.

Manipuluesit kanë ngritur kokën si hiena për të përfituar nga protestat

Analistët vlerësojnë se individë dhe grupe të ndryshme po sillen si hiena për të përfituar nga protestat për një proces gjyqësorë të instrumentalizuar politikisht.

“Çdo herë në protesta ku ka revolt, ka individ dhe grupe që duan t’i shfrytëzojnë këto raste,por në përgjithësi dominon bindja se megjithatë qytetarët shprehin revoltën për Mostrën por edhe pakënaqësi ndaj politikës aktuale”, thotë Ismet Ramadani.

Ismail Sinani thotë se infiltrimet e individëve dhe grupeve të caktuara nxorën kokën vetë gjatë këtyre protestave.

“Paraqitja e atij personit me bluzë të verdhë herë në taborin e protestuesve e herë në atë të policisë, është dëshmia më e qartë për këtë. Por, ajo që është më e keqja, është heshtja e Qeverisë VMRO – BDI, për ta treguar publikisht identitetin e atij personi që ishte më amatori në mesin e ndoshta shumë të infiltruarve”, thotë Ismail Sinani.  / Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button