PDK i ka ofruar VV-së Kryeministrinë dhe gjashtë ministri

Partia Demokratike e Kosovës i ka ofruar Lëvizjes Vetëvendosje postin e kryeministrit, gjashtë ministri e shumë marrëveshje tjera.

Këtë e ka konfirmuar për KTV-në Dardan Molliqaj i Vetëvendosjes, por që ka theksuar se këto oferta të gjitha janë refuzuar.

“Këto kanë qenë ato që kanë ardhur në atë letër që unë personalisht nuk i kam parë por i kanë parë njerëzit e Vetëvendosjes sepse ne nuk kemi pranuar në asnjë formë të takohemi me ta. Nuk i kemi marrë seriozisht dhe nuk i marrim per shkak të veprimeve të tyre joserioze që janë komplet kundër interesit të qytetarit të Kosovës”, ka thënë Molliqaj.

Ismet Beqiri nga LDK, ka thënë se nuk do të joshen pavarësisht ofertave që u bën PDK.

“Ky është një reflektim i panikës që ka PDK dhe Thaçi, për shkak se nuk e kanë mundësinë ta krijojnë qeverinë. Jemi të bindur në atë që kemi marrë vendim dhe jemi të bindur se një qeverisje me PDK’në është e pamundur dhe e dëmshme për vendin”, ka thënë Beqiri.

Edhe Ahmet Isufi nga AAK e ka quajtur këtë një ‘luftë speciale’ të PDK’së.

Ai ka thënë se kjo parti nuk ka lënë hapësirë që ndonjë nga partitë t’i bashkohet në qeverisje.

Lajme të ngjashme

Back to top button