Policia punon në identifikimin e protestuesve të dhunshëm në Tetovë

Në një komunikatë të saj policia e Tetovës ka bërë të ditur se punon në identifikimin e personave të cilët janë sjellë dhunshëm në protestat e ditës së diel.

“Janë marrë masa dhe aktivitete për identifikimin e personave të cilët në protestat e djeshme janë sjellë në mënyrë të dhunshme, me ç ‘rast do të ketë edhe sanksione ligjore ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.

Po ashtu në njoftimin e Policisë së Tetovës për protestat e djeshme, thuhet se në fillim të protestës në qendër ka pasur rreth 50 persona, por numri më pas vazhdimisht është rritur dhe ka arritur deri në 1500 pjesëmarrës.

“Të dielën rreth orës 13 e 45 minuta, në qendër të Tetovës ishin tubuar 30 deri në 50 persona për të protestuar kundër procesit gjyqësor “Monstra”,  kurse në ndërkohë shumë shpejtë numri është rritur rreth 300 protestues dhe më pas grupi ka filluar të lëvizë në bulevardin “Ilinden” duke shkuar drejt Reçicës së vogël. Duke lëvizur në këtë rrugë grupi në mënyrë konstante është rritur.

Në rrugën “167” është vendosur kordoni i policisë me qëllim që të pamundësohet lëvizja e mëtejshme e qytetarëve e cila në një moment ka qenë prej 1300 deri në 1500. Atëherë, grupi ka tentuar që të shpërthejë kordonin policor dhe të godasë më gurrëz policët të cilët kanë arritur që të zmbrapsin protestuesit, me ç ‘rast janë përdorur edhe mjete adekuate. Rreth orës 16.00 masa e tubuar tërësisht është tërhequr dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë në anë të ndryshme. Janë lënduar 6 policë dhe 3 persona të tjerë, të cilëve u është dhënë ndihmë mjekësore në spitalin klinik të Tetovës dhe më pas janë lëshuar të gjithë për kurim shtëpiak”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tetovës lidhur me protestat e së dielës.

Sipas policisë gjatë protestave në Tetovë nuk ka pasur të dëmtuar lokale dhe vetura.

Lajme të ngjashme

Back to top button