Maqedonia nuk do të bëjë regjistrimin e popullsisë sipas metodave tradicionale

Maqedonia mendon për largimin nga metoda tradicionale e regjistrimit të popullsisë. Pas fiaskos në vitin 2011, institucionet shtetërore mendojnë për ndryshimin e metodologjisë , në përpjekje për të ardhur në mënyrë më efikase te informacionet e sakta për popullsinë, amvisëritë dhe vendbanimi, si përkrahje kryesore për analizimin, planifikimin dhe vendosjen për gjithçka që është e rëndësishme për popullsinë në vend, shkruan Dojçe Vele.

Mungesa e këtyre të dhënave është e dukshme në teren dhe  krijon vështirësi në hartimin e të dhënave statistikore, për ndryshimet demografike, arsimore dhe ekonomike.

Në këtë drejtim është edhe mendimi i Entit Shtetërorë për  Statistikë se regjistrimi ardhshëm i popullsisë duhet të bëhet duke lënë metodën tradicionale të grumbullimit të të dhënave.

“Regjistrimi i ardhshëm do të bëhet atëherë kur do të vlerësohet se kemi regjistra administrativ të zhvilluar nga ku mund të shfrytëzohen të dhëna të caktuara për popullsinë, amvisëritë dhe vendbanimet. Kjo metodë e regjistrimit paraqitet si mënyra kryesore për më shumë vende të botës”, tha për Dojçe Vele, drejtoresha e Entit Shtetërorë për Statistikë,  Bllagica Novkovska.

Maqedonia është vendi i vetëm i Evropës dhe ndër vendet e pakta në botë që nuk ka bërë regjistrimin e popullsisë. Ekspertët tërheqin vëmendjen se kjo gjendje e mungesës së regjistrimit i bën jo relevante politikat në të gjitha sferat shoqërore.

Përfaqësues të sektorit publik, të cilët kohën e fundit në mënyrë aktive lobojnë në teren për domosdoshmërinë e kryerjes së regjistrimit, tërheqin vëmendjen se regjistrimi i popullsisë nuk është vetëm numër i përkatësive etnike.

Biljana Bejkova nga “Infoqendra”, thotë se “ nuk bëhet fjalë për atë se a ka Maqedonia kapacitet për të bërë regjistrimin e popullsisë, por për atë se qeveria nuk ka vullnet për realizimin e regjistrimit të popullsisë”.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button