U zgjua edhe Kosova: Dialogu është zgjidhje e problemit të Maqedonisë

 Zyra e Kryeministrit Hashim Thaçi ka lëshuar një deklaratë përmes të cilës kërkohet dialog mes palëve në Maqedoni për tejkalimin e problemeve pas vendimit për dënimin e disa shqiptarëve me burgim të përjetshëm.

Sipas deklaratës së Qeverisë, Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet me përpikëri për të shmangur dhunën ndër etnike.

Lexojeni të plotë deklaratën e Qeverisë:

Qeveria e Republikës së Kosovës është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Republikën e Maqedonisë, si rrjedhojë e aktgjykimeve ndaj të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe protestave qytetare, që pasuan si reagim ndaj aktgjykimeve.

Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se dialogu politik ndërmjet komuniteteve dhe zbatimi në përpikëri i Marrëveshjes së Ohrit është rruga e vetme e zgjidhjes së çështjeve të hapura midis komuniteteve në Maqedoni. Respektimi i të drejtave fundamentale kushtetuese dhe institucionale është mënyra e vetme për të evituar eskalimin e dhunës, që do të mund të përcillej me pasoja të rënda për tërë rajonin.

Republika e Kosovës është e përkushtuar në procesin e integrimeve euro-atlantike dhe bashkëpunimit rajonal dhe thërret të gjitha palët në Republikën e Maqedonisë që të përmbahen nga dhuna si mjet i zgjidhjes së çështjeve politike.

Populli shqiptar në Maqedoni ka përfaqësuesit e vetë zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilët e kanë për obligim që t’i adresojnë në mënyrë institucionale problemet dhe shqetësimet e popullatës shqiptare.

Qeveria e Republikës së Kosovës edhe një herë u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira për maturi dhe gjetje të zgjidhjes përmes dialogut të ndërsjellë.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Mos shitni pallavra. JUVE UA PASKA SHKRUAR KETE REAGIM ALI AHMETI OSE ERMIRA!!! Nuk bahesh Gardian or Hashim duke na shitur gogla per dushk.

Back to top button