Shkëndija e pamëshirshme ndaj Dritës (Video)

Futbollistët e Shkëndijës kanë shënuar fitore të thellë 7:0 në ndeshjen kontrolluese me Dritën e Bogovinës. Takimi i zhvilluar me kërkesë të trajnerit të Shkëndijës, Roy Ferençina, solli lojë interesante nga të dyja skuadrat, aksione dhe gola të bukur, me Shkëndijën që tregoi se në këtë moment është ekip shumë më kualitativ. Ashtu si paralajmëroi, Ferençina ndeshjen e nisi me futbollistët që në takimin e parë me Zimbrun ishin në plan të dytë, me Urdinovin dhe Zebën si titullar dhe praktikisht debutues në fanellën ‘kuqezi’.

Në fund të ndeshjes luajtën edhe ’titullarët’ nga ndeshja me Zimbrun, ndërsa fare nuk u inkuadruan Vruçina dhe Kavdanski, të cilët kishin vetëm vrapime të lehta. Pikërisht Zajko Zeba ishte ndër lojtarët më të mirë në terren, vrapoi shumë, u shfaq si organizator i lojës, kishte disa asiste dhe shënoi dy gola të bukur, duke treguar se mbase do të jetë përforcimi i duhur në mesfushën e Shkëndijës.

Golashënues përveq Zebas, ishin edhe kosovari Fazliu i cili shënoi dy herë në minutat e 16′ dhe 62′, Nurishi 25′, Pollozhani 80′ dhe Zhunior 84′.
Në fund trajneri Ferençina ngeli i kënaqur me atë që arriti të shohë nga skuadra në këtë përballje. Ai tani më ka të qartë se për ndeshjen e kthimit me Zimbrun më 10 korrik do të bëjë disa ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjen e parë në Shkup. Kujtojmë se Shkëndija mundi 2:1 Zimbrun në përballjen e parë të xhiros së parë të Liga Evropës. Ekspedita e Shkëndijës drejt Moldavisë niset të martën, ndërsa revanshi luhet të enjten në orën 19:00. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button