Konferenca e ambasadorëve, Kurti: Platformë të përbashkët Maqedoni-Mal i Zi-Serbi

Konferenca e ambasadorëve vijoi edhe sot ku në fokus ishte roli i diplomacisë. Diplomacia në veprim duhet të nisë nga vetja, duke i dhënë fund përçarjes së shqiptarëve në shtetet ku jetojnë dhe duke zgjidhur problemet shtetërore me fqinjët, ishte teza që u diksutua për rritjen e rolit të shqiptarëve në rajon përmes diplomacisë.

Duke marrë fjalën,  lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndihmojnë shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi, që të veprojnë sipas një platforme të përbashkët.

“Shqiptarët, në këto trojet e tyre autoktone jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, janë përgjithësisht të shtypur politikisht dhe të shfrytëzuar ekonomikisht, por në të njëjtën kohë janë edhe të përçarë nëpër parti. Pas një dakordimi të tillë, ata mund të inkurajoheshin që të garojnë në zgjedhjet lokale e parlamentare në vendet ku janë, me një listë të përbashkët, e së paku të mos jenë disa parti shqiptare në pozitë e disa në opozitë, sepse duke u marrë me njëra-tjetrën nuk u del koha të merren me shtetet që i shtypin”, u shpreh Albin Kurti, kreu i VV.

Ndërsa ish-zv/ministri i Jashtëm, Pëllumb Xhufi, duke u ndalur tek raporti Shqipëri-Greqi, tha se partneriteti mund të zgjidhë probleme të së kaluarës, që janë lënë të paprekura.

Sipas Xhufit, në raport me fqinjët, Shqipëria mund të zbatojë doktrinën e presidentit Obama, se marrëdhëniet e mira i bëjnë marrëveshjet e mira.

“Ne kemi boshllëqe, na mungojnë marrëveshjet për rregullimin e regjimit të ujrave, për regjimin kufitar me fqinjët, për pronat. Është për t’u duartrokitur iniciativa dhe vendosmëria e qeverisë aktuale për të nxjerrë në dritë dy marrëveshje, që nuk janë nënshkruar kurrë: ligji i luftës dhe marrëveshjet kufitare, dy marrëveshje standard të panënshkruara që nga viti 1913. Është edhe problemi çam, një problem që duhet të hyjë në rrugën e zgjidhjes”, u shpreh Xhufi./ Gazeta Idea

Lajme të ngjashme

Back to top button