Xhavit Haliti: Policia maqedonase duhet t’i jap fund dhunës ndaj shqiptarëve

Xhavit Haliti vlerëson se zhvillimet e fundit në Maqedoni janë tepër tronditëse për të gjithë shqiptarët në rajon, kudo që ndodhen.
Ai me anë të një mesazhi në Facebook, u bën thirrje “qytetarëve shqiptarë që të mbajnë nën kontroll mllefin e akumuluar ndaj pabarazisë” ndër vite.

Ja edhe mesazhi i plotë:

Zhvillimet dramatike të dy ditëve të fundit në Maqedoni i cilësoj si kërcënim jetik për gjithë bashkëkombasit tanë në Maqedoni, tepër tronditëse për të gjithë shqiptarët në rajon a kahdo që të ndodhen, kërcënuese për ekzistencën e shtetit maqedonas dhe rrezik real për sigurinë e stabilitetin e Ballkanit.

Dhuna dhe konflikti nuk i shërbejnë bashkëjetesës në paqë ndërmjet dy etnive shtetformuese në një shtet normal. Në një situatë të tillë, të dyja palët janë të humbura. Prandaj stop konfliktit! Me këtë rast bëj thirrje për përmbajtje dhe vetëpërmbajtje nga të dyja palët në konflikt. Policia maqedonase t’i japë fund dhunës ndaj qytetarëve të saj! Qytetarët e etnisë shqiptare të mbajnë nën kontroll mllefin e akumuluar ndaj pabarazisë e diskriminimit etnik, kulturor e ligjor ndaj tyre dhe të kërkojnë e të gjejnë rrugën demokratike për shërimin e plagëve kronike në mes të dy etnive.

Lajme të ngjashme

Back to top button