Një Maqedoni Federale me shqiptarët si popull konstituiv

Avancimi i pamjaftueshëm dhe Shkupi si simbol i pabarazisë

Pushteti maqedonas si në kohen e Jugosllavisë ashtu edhe pas pavarësimit të vendit më 1992, ka luftuar aspiratat shqiptare, duke i diskriminuar ata vazhdueshëm dhe diskriminimi ka qenë i vetmi komunikim i shtetit me shqiptarët. Në parathënien e librit “Arbën Xhaferri rrëfen”, pasqyrohet mirë kjo gjendje:

“Shqiptarët, të dëbuar nga shteti maqedonas, jetonin në shtetin e tyre paralel të tregjeve, të zejeve …” Gjendja e të drejtave të shqiptarëve më së miri ka mundur të krahasohet me pozitën zyrtare të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Sot, pas shumë ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore dhe sidomos të mos harrohet edhe pas një konflikti të armatosur dhe të përgjakshëm është arritur një avancim gradual i gjuhës shqipe në Maqedoni, por aspak i kënaqshëm dhe larg të qenit gjuhë në përdorim zyrtar në praktikën e përditshme.

Gjithashtu, sërish mbetet diskutabile nëse vetë dispozitat e sotme ligjore ia përcaktojnë asaj një status zyrtar në nivel vendi apo jo. Republika e Maqedonisë sot është një nga shtetet etnikisht më heterogjene jo vetëm në Gadishullin Ballkanik, por edhe në përgjithësi në Evropë.

Pavarësisht këtij heterogjeniteti, shteti vazhdon të ketë organizim unitar, i cili si i tillë nxjerr në pah shpeshherë, pabarazinë e angazhimeve të shtetit kundrejt komuniteteve etnike.

Populli shqiptar në Maqedoni, zyrtarisht përbënë sipas regjistrimit të vitit 2002, 25.2% të popullsisë, shifër kjo mjaft diskutabile nga përfaqësuesit e popullit shqiptar, por që bazohet në mospërputhje të këtij numri me shumë të dhëna statistikore nga fushat e ndryshme, e që më së shumti vërehet me numrin e përqindjes së nxënësve shqiptar përkatësisht në shkollimin fillor në nivel vendi.

Në bazë të analizës që i bëhet strukturës së nxënësve, shihet që shqiptarë janë së paku 1/3 e tyre, por duhet të kemi parasysh se në disa vise të Maqedonisë nuk ka shkolla në gjuhën shqipe, andaj nxënësit detyrohen të vijojnë shkollën në gjuhë të tjera, kryesisht në gjuhën maqedonase.

Në fakt edhe për të ardhur tek të dhënat e regjistrimit të popullsisë, është dashur të zhvillohet një regjistrim i popullsisë, për organizimin e të cilit janë nevojitur shumë kërkesa.

Regjistrimi i popullsisë, respektivisht organizimi i tij, përbënë një kompromis në veti dhe si i tillë është zhvilluar vetëm pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Konflikti i armatosur i vitit 2001, i zhvilluar në mes të trupave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe trupave shtetërore maqedonase, shpërtheu si rezultat ipakënaqësisë së popullit shqiptar me statusin e tij dhe diskriminimin e vazhdueshëm jo vetëm në sferat politike por edhe në vet sferat ekonomike.

Sidomos kjo e fundit kishte detyruar vazhdimisht shqiptarët që shpëtimin dhe rrugën për mbijetesën e tyre ta gjejnë tradicionalisht duke u punësuar në vende të Evropës. Në anën tjetër kjo vazhdimisht ka zbrazur vendbanimet shqiptare dhe posaçërisht ka ndikuar në viset ku shumica etnike shqiptare nuk ishte shumë e thellë.

Madje edhe sot si pasojë e faktit se shumë qytetar detyrohen të punojnë jashtë vendit, kjo vazhdon të reflektohet në komunën e Kërçovës, e cila ka shumicë etnike shqiptare, por ku shqiptarët mund të ngadhënjejnë në nivel lokal vetëm me koston e organizimeve të kushtueshme financiare që sigurojnë votimin në vend edhe të mërgimtarëve të shumtë, duke sjell ata nën organizim krejtësisht privat.

Konflikti i armatosur i vitit 2001, respektivisht Marrëveshja e Ohrit që solli fundin e konfliktit, ka obliguar palët që brenda një kornize kohore të rregullojnë një gamë çështjesh të cilat janë konsideruar se deri atëherë ishin të rregulluara në mënyrë të tillë që të diskriminojnë popullin shqiptarë.

Obligim nga marrëveshja e Ohrit, ishte edhe gjetja e një modaliteti për të krijuar një organizim të pushtetit lokal dhe kufij komunal të tillë qëtë mundësojnë përfaqësim të barabartë të popullit shqiptarë.

Deri në vitin 1994, në Maqedoni ishte në fuqi ndarja territoriale e komunave e njëjtë çfarë ishte që nga vitet ’70-ta dhe e cila përcaktonte gjithsejtë 34 komuna. Sipas kësaj ndarje shqiptarët ishin shumicë në të gjitha qendrat urbane perëndimore, kurse në Shkup dhe Kumanovë orientimisht përbënin rreth 1/3 e popullsisë.

Por më pas pushteti maqedonas riorganizoj ndarjen territoriale të vendit, në mënyrë të tillë që shqiptarët t’i grupojë nëpër fshatra, kurse maqedonasit t’i bëjë shumicë etnike edhe në qytetet si Struga dhe Kërçova.

Përcaktimi i kufijve lokal ka shkuar deri në diskriminime të tilla sa të margjinalizoj plotësisht shqiptarët dhe ti grupoj ata në komuna rurale të cilat në esencë nuk kishin asnjë pushtet real të një komune. Për të kryer shumë shërbime publike, apo edhe për të komunikuar me degët rajonale të ministrive përkatëse, shqiptarët detyroheshin të drejtohen në komuna urbane të cilat ishin të vetmet bartëse të shërbimeve të caktuara, kurse në realitet si pasojë e ndarjes territoriale të tillë, ata duke mos qenë qytetar të një komune urbane nuk mund të gëzonin të drejtat e barabarta as të votonin për organet e asaj komune.

Kompromisi për riorganizim në këtë drejtim erdhi si obligim nga marrëveshja e Ohrit, andaj në vitin 2004, partitë politike në pushtet LSDM si fituese në mesin e maqedonasve dhe BDI si fituese në mesin e shqiptarëve, u dakorduan për një koncept të ri të organizimit territorial të komunave.

U vendos që komunës Strugë ti kthehen edhe vendbanimet me shumicë shqiptare, kurse për Kërçovën u vendos e njëjta por me kusht që organizimi territorial në Kërçovë të hyn në fuqi në vitin 2008. Rasti i Kërçovës, tregon se çfarë kompromise duhet bërë nga ana e shqiptarëve, për arritjen e një emancipimi dhe integrimi të përgjithshëm politik dhe ekonomik.

Kompromiset e vazhdueshme në Kërçovë do ta shtyjnë më pas procesin e paraparë për tu kryer në vitin 2008, gjer në vitin 2013, kur partia shqiptare BDI do ti fitoj zgjedhjet në nivel komune, që si rezultat do të kenë fatin që për herë të parë pas mese 68 viteve, shqiptari të emërohet kryetarë komune.

Kërçova mbase pas pozitës së gjuhës shqipe është treguesi më i qartë i pozitës së vështirë të shqiptarëve në Maqedoni dhe nevojës për kompromise të vazhdueshme për qoftë edhe të drejtat më bazike që në shtetet demokratike nuk do të duhej fare të viheshin në pikëpyetje.

Përndryshe pas reformimit të organizimit territorial të pushtetit lokal, janë krijuar rrethana më të favorshme për përfaqësimin e popullit shqiptar në Maqedoni, këtë e konfirmojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve lokale, përfshirë edhe ato të fundit të mbajtura në vitin 2014, ku partitë politike shqiptare kanë shënuar fitore në gjashtëmbëdhjetë komuna.

Këto komuna një shtrirje territoriale e cila fillon nga Likova në veri të Maqedonisë, pastaj Çairi si komunë urbane e Shkupit, për të përshkruar gati të gjithë Maqedoninë perëndimore me përjashtime të vogla deri në komunën më jugore e që në këtë rast është Struga. Kjo është, pra një nga ato rezultatet pozitive të cilat janë efekt i njërit prej obligimeve që vjen nga Marrëveshja e Ohrit, i cili ishte pikërisht rishikimi i organizimit të komunave.

Sërish kjo nuk largon plotësisht diskriminimin në këtë aspekt, ngase vërehet se pushteti qendror ka influencuar formimin e shumë komunave maqedonase, jo vetëm me numër fare të vogël të banorëve, por që gjithashtu nuk kanë asnjë bazë gjeografike për të qenë komuna.

Pavarësisht faktit se riorganizimi ka sjellë sado kudo një territor kompakt shqiptarë, artificialisht janë mbajtur komuna me shumicë maqedonase të pozicionuara që të shërbejnë si barrierë ndërprerëse për shqiptarët në përgjithësi. Në kufi me Republikën e Kosovës ekziston një komunë e tillë me qendër në Jegunovc, e cila brenda saj ka një pjesë të rrugës, e cila Prishtinën e lidh me Tetovën, ngjashëm është edhe me rastin e komunës Çyqer-Sandevë, të krijuar artificialisht, për të mbuluar rrugën magjistrale Prishtinë- Shkup, pra deri në hyrje të Shkupit.

Një komunë e tillë territorialisht shumë më e madhe është krijuar në kufijtë me Shqipërinë, dhe mbulon gati në tersi aksin rrugorë Gostivar- Dibër. Shihet pra se pushteti qendror maqedonas, strategjikisht e ka konceptuar formimin e komunave të tilla me shumicë jo shqiptare, për të penguar sa më shumë që është e mundshme, një organizim shqiptar i cili në të ardhmen mund të jetë ndryshe dhe në shkallë më të lartë se vet pushteti lokal ashtu siç është i konceptuar sot.

Pra, për formimin e një komune shqiptare, janë të nevojshëm së paku 50 mijë banorë siç është në rastin e Çairit, kurse formohen komuna maqedonaseqoftë me 2000 banorë, siç është ajo e Vevçanit në periferi të Strugës në kufi të Republikës së Shqipërisë. Si obligim nga Marrëveshja e Ohrit vjen edhe ndryshimi i cili ka shkaktuar krijimin e procedurave të reja,të nevojshme për miratimin apo edhe amandamentimin në Parlamentin e Maqedonisë të ligjeve të caktuara.

Është ky i ashtuquajturi Parim i Badinterit, i cili nënkupton shumicën e dyfishtë të nevojshme për një kategori ligjesh të cilat ndërlidhen me të drejtat e njeriut, të drejtat etnike, rregullimin e gjuhëve zyrtare, pushtetin lokal apo edhe çdo ligj tjetër me interes vital për komunitetet etnike në Maqedoni.

Mbase është e qartë se kjo është aplikuar përmë shumë ndikim institucional të përfaqësuesve shqiptar në parlamentin maqedonas. Ndonëse kanë kaluar trembëdhjetë vite në ndërkohë qëshumë aspekte të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë implementuar fare, rrethanat e reja në një pozitë më ndryshe të popullit shqiptar tani, flasin se Marrëveshja e Ohrit ishte një kompromis i çastit , me anë të së cilës u ndal konflikti i armatosur, por qënuk e vë popullin shqiptar në pozitë të barabartë.

Në traditën politike të Maqedonisë, pas rivendosjes së sistemit shumë partiak, është një rregull i pashkruar që e qeveria të formohet nga partia shumicë maqedonase dhe partia me më së shumti ndikim në mesin shqiptar. Vihet re se në legjislaturat e fundit të Parlamentit të Maqedonisë, partia maqedonase VMRO arrin të siguroj gjysmën e ulëseve në parlament e që në praktikë e bënë të panevojshëm partnerin shqiptar në koalicion, aq më tepër që ligjet për të cilat ka nevojë të dyfishtë sipas parimit të Badinterit, kryesisht janë aprovuar dhe më nuk do të votohen në një të ardhme të afërt.

Kjo i vë shqiptarët sërish në pozitë të pabarabartë, dhe si e tillë kjo pozitë, mund të ndryshoj duke ardhur në shprehje me mjete të tjera institucionale e që mund të nënkuptojnë nevojën për një riorganizim të tërësishëm të shtetit. Në këtë drejtim ideja e federalizmit, ndonëse sot paraqitet, mese e nevojshme, ka një historik të gjatë dhe si e tillë ishte lansuar nga Kryeministri i dikurshëm maqedonas Lupçe Georgevski, i cili madje ka shkuar përtej saj, duke ofruar ndarjen e plote të Maqedonisë, ku shqiptarët do të kishin një territor shumë të kufizuar në veri të vendit. Më herët faktori politik shqiptar kishte konceptuar një ide e cila mund te shpinte vendin drejt federalizmit, të mos harrohet se qysh në fillim të viteve ’90-ta ishte organizuar një referendum, ku shqiptaret e Maqedonisë, janë përcaktuar për autonomi territoriale.

Bazuar në këtë referendum, është konceptuar edhe krijimi i Republikës së Iliridës, i cili nuk është jetësuar tutje si rezultat i kompromiseve të vazhdueshme të faktorit politik shqiptar. Ideja e Iliridës, nuk ka qenë qëllim publik, madje as gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, ngasefaktori tani më politiko ushtarak shqiptar, ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm në kërkesat e tij në mënyrë që të gjejë sa më shumë mbështetje ndërkombëtare.

Por, a do të mund të mbijetoj Maqedonia me një karakter unitar çfarë ka sot, kurse koha po dëshmon se faktori politik maqedonas, nuk është i gatshëm të ndaj në kuptimin e plotë të fjalës, pushtetin me shqiptarët. Koalicionet e deritanishme qeveritare, ku përfshihet edhe partneri shqiptar, janë treguesi më i mirë mbi shkallën e ulët të gatishmërisë të faktorit maqedonas, për ti njohur shqiptarëve pushtet real. Është bërë gati traditë që partneri shqiptar në qeveri të drejtoj vetëm dikastere më pak të rëndësishme por jo edhe dikastere që kanë vlerën e pushtetit real.

Kur bëhet fjalë për ministri të fuqishme, zakonisht ato mbesin të rezervuara për faktorin maqedonas. Bazuar në këtë pabarazi është gati e parashikueshme që federalizmi i shtetit, është i vetmi instrument i cili do të vendos barazinë e popullatës shqiptare në Maqedoni. Kjo nënkupton që Maqedonia të ndahet së paku në dy njësi territoriale, federale ku së paku njëra do të kishte shumicë shqiptare. Nëkëtë kontekst nuk duhet harruar pozitën e Shkupit, si qytet historik shqiptar, pavarësisht realiteteve artificialisht të krijuara. Gjithsesi tema e federalizmit dhe veçanërisht aspekti territorial i kësaj teme ngërthen pas tij, shumë dilema të cilat duhet zgjidhur për të krijuar një ambient të qëndrueshëm politik.

Kur ish kryeministri Georgevski, kishte dhënë propozime për ndarje territoriale, ai kishte qenë i kujdesshëm për shkallëne cila vetëm pjesërisht do të trazonte opinionin maqedonas, “oferta” e tij parashihte njësi shqiptare në segmentit Tetovë-Gostivar-Dibër. Ndoshta me një kufizim të tillë territorial, faktori maqedonas do të ishte që sot i gatshëm të realizoj ndarjen. Por federalizmi, pavarësisht ofertave të më pashme maqedonase sigurisht që nuk mund të krijohet mbi baza të tilla të kufizuara, por do të ishte i qëndrueshëm, vetëm me respektimin e realiteteve etnike në Maqedoni.

Është vërtetë çështje për të diskutuar fati i disa territoreve, apo edhe i qyteteve të cilat sot kanë një popullsi të përzier si në rastin e Shkupit, Kumanovës apo edhe të disa viseve në segmentin Veles-Krushevë. Në shembullin e Belgjikës, në ndarjen në mes valonëve dhe flamanëve, kryeqyteti Bruksel, nuk i takon efektivisht asnjërit komunitet, apo i takon njëjtë të dy komuniteteve.

Sidoqoftë në organizimin federal belg, Brukseli është një njësi territoriale e veçantë dhe mbase veçantin e tij mund ta ruaj edhe në kushte ku një Belgjikë federale më nuk do të ekzistonte. Sa aludon kjo që u cek më lartë, respektivisht fati i Brukselit në Belgjikë, në një vizion për të ardhmen e Shkupit. Në organizimin e ri territorial, i cili ka përjashtuar nga kufijtë e Shkupit, shumë vendbanime shqiptare, shqiptarët përbëjnë vetëm diç më shumë se 20% të numrit të përgjithshëm të banorëve qytetit. Por ky numër në rastin e Shkupit nuk mundet asnjëherë të venit lidhjen e shqiptarëve me Shkupin.

Deri në rrethana fare të vonshme, shqiptarët ishin shumicë në Shkup. Shkupi ishte qendër e kryengritjes shqiptare kundër taksave të larta me 1844. Deri më 1912, Shkupi ishte kryeqytet i Vilajetit të Kosovës.Në gusht 1912 ai ishte nën kontrollin ushtarak të kryengritësve shqiptarë të përbërë nga 15 mijë trupa të armatosura.

Në Shkup ishte planifikuar të shpallej edhe vetë pavarësia e Shtetit të ri Shqiptar. Pas tërmetit të tmerrshëm që qyteti përjetoj në vitet 1960-ta, nënpetkun e rindërtimit të qytetit, në bregun e djathtë të Vardarit, u ndërtua faktikisht një qytet thuajse krejtësisht i ri në të cilën u vendosen ekskluzivisht maqedonas nga Maqedonia lindore, për ta ndryshuar përfundimisht strukturën etnike të qytetit. Shqiptarët, popull shumicë në Shkupin e vjetër, papritmas, e gjeten veten si pakicë etnike në Shkupin e ri.

Në situata si kjome një të kaluar të bujshme të lidhjeve të banorëve me qytetin, respektivisht të shqiptarëve me Shkupin, realitetet demografike të krijuara artificialisht, edhe nëse pranohen nuk janë të qëndrueshme. Andaj është që tani fare lehtë që të konstatohet se në një Maqedoni të federalizuar, shqiptarët nuk mund të jenë të huaj në Shkup.

Në këtë aspekt, Shkupi dhe Brukseli, ngjajnë shumë, porse edhe e kaluara e persekutimit të shqiptarëve, sidomos në aspektin gjuhësor, ngjan shumë me vet Belgjikën e dikurshme, kurse dallimi është në të sotmen ku diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni ekziston ende. Në lidhje me këtë që u tha për fatin e Shkupit në një Maqedoni të federalizuar, vet faktori politik shqiptar një kohë të gjatë vazhdon të mos veproj në përputhje me interesat e popullit shqiptar. Për arsye praktike të funksionimit partiak, gjatë gjithë kohës së sistemit shumë partiak në Maqedoni, partitë politike shqiptare, vazhdojnë të kenë seli të tyren Tetovën dhe jo Shkupin. Sigurisht që Tetova me një pushtet lokal shqiptar, ofron mundësi më të mira politike për funksionimin e partive politike, por duhet seriozisht të mendohet një veprim institucional në Shkup. Kjo traditë vazhdon që nga vet themelimi i partisë së parë shqiptare në Maqedoni, partisë së Prosperitetit Demokratik për tu vazhduar njëjtë nga Partia Demokratike Shqiptare e deri me sot. Gjithashtu, faktori politik shqiptar dhe në përgjithësi elita shqiptare në Maqedoni, duhet seriozisht të mendoj se ku do të jetë qendra shqiptare në Maqedoni, jo vetëm në aspektin politik por edhe në të gjitha fushat e tjera të jetës përfshirë segmentet kulturore dhe arsimore.

Nevoja për reformimin e sistemit shtetëror

Përkundër obligimit që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit dhe si rezultat i të cilit në shumë ligje me interes vital, të cilat votohen në Kuvendin e Maqedonisë, aplikohet parimi i shumicës së dyfishtë, i njëjti parim nuk garanton pozitën e barabartë të popullit shqiptar në Maqedoni. Parimi i shumicës së dyfishtë nuk nënkupton shumicën maqedonase dhe shumicën shqiptare, por atë maqedonase dhe shumicën e të tjerëve që nuk deklarohen si maqedonas. Gati të gjitha ligjet që hyjnë në këtë kategori, janë votuar sipas Marrëveshjes së Ohrit apo pas bërjes së kompromisit me vetë përcaktimin fillestar sipas Marrëveshjes, por në asnjë mënyrë deri tani këto ligje nuk kanë tejkaluar kufizimet nga Marrëveshja.

Këto ligje, respektivisht përmbajtja e tyre, vështirë se do të mund të ndryshojë në drejtim të avancimit të pozitës së popullit shqiptar. Edhe vetë forma e deritanishme e miratimit të këtyre ligjeve, nuk është rezultat i demokracisë në vend, si dhe as rezultat i gatishmërisë së bllokut politik maqedonas, por është formë e arritur me kompromis dhe atë vetëm pasi të drejtat u kërkuan me anë të kryengritjes së armatosur dhe ne pamundësi të një dialogu ndëretnik.

Edhe pse vetë dispozitat ligjore, që burojnë nga aktet e Kuvendit të Maqedonisë, nuk janë as të mjaftueshme për të siguruar barazi të plotë, si dhe nuk janë as në përputhje me standardet ndërkombëtare si dhe me ato në vendet përreth, këto dispozita ligjore nuk respektohen as si të tilla. Kjo krijon një diskrepancë të madhe mes kushtetutës dhe ligjeve të shkruara në një anë, dhe realitetit në anën tjetër. Pabarazia nuk ka të bëjë vetëm me të drejta politike dhe ato të përdorimit të gjuhës, vetë qasja e pushtetit në Maqedoni pamundëson që problemet së paku të kufizohen brenda këtyre fushave. Pabarazia politike reflekton në të gjitha fushat e jetës dhe shfaqet edhe në planin social, kulturor, ekonomik si dhe në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Sistemi i tanishëm shtetëror, thellësisht unitar në kuptimin e organizimit administrativ-politik, si dhe struktura aktuale e organeve të pushtetit nuk garantojnë barazi të popullit shqiptar dhe as që këtë e kanë si qëllim. Populli shqiptar nuk mund të varet nga dëshira politike elektorale e votuesit joshqiptarë, për të kuptuar se në çfarë mase do të respektohen të drejtat e tij etnike dhe vetë ato themelore.

Në këtë drejtim, është e nevojshme të ndryshohet sistemi shtetëror, e që nënkupton formën e rregullimit kushtetues të shtetit, formën e zgjedhjes, ndarjen dhe funksionimin e pushteteve legjislative dhe ekzekutive në nivel vendi, si dhe funksionimin e institucioneve, administratës publike dhe të gjitha aseteve shtetërore dhe publike, mbështetur në parimin e barazisë etnike, me dispozita ligjore të shkruara, dhe me procedura të qartë që saktësojnë dhe garantojnë zbatimin e tyre.

Shqiptarët nuk mund ta pranojnë si “barazi” gjendjen konstante që pamundëson që ata të udhëheqin proporcionalisht me pozitat kyçe udhëheqëse ne vend si organet më të larta të shtetit, pabarazi kjo që tutje reflekton gjithë sistemin shtetëror. Edhe pse në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, pushteti do të duhej të krijonte rrethana që të gjithë të ndjehen të barabartë, është evidente dhe faktike se deri atëherë ky shtet nuk ka pasur asnjëherë shqiptar të zgjedhur në ndonjërën nga këto funksione shtetërore: President, Kryeministër, Kryetar Kuvendi, Ministër i Brendshëm.

Përvojat e deritanishme tregojnë së një ministër me përkatësi etnike shqiptare, është lejuar vetëm njëherë të drejtojë një resor ministror të rëndësishëm (Ministrinë e Mbrojtjes) si kompromis politik, por që mbet thellësisht si fakt i papranueshëm tek shoqëria maqedonase-etnike që u manifestua edhe me dhunë. Populli shqiptar në Maqedoni, nuk mund të konsiderohet në nivelin e një pakice kombëtare, jo vetëm pse kundër kësaj flet vetë numri i shqiptarëve në Maqedoni, por edhe për shkak të faktit se ai është një popull autokton dhe si i tillë u përfshi brenda kufijve të këtij shteti si rezultat i rrethanave historike në të cilat hapësira etnike e banuar më shqiptarë u copëtua në disa njësi shtetërore.

Rrjedhimisht me këtë, Maqedonia duhet të ketë një strukturë federale të organizimit që mundëson barazi mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Entiteti shqiptar do të mundësonte që shqiptarët të jenë vetë garanti i të drejtave të tyre dhe barazisë. Populli shqiptar ka jetuar në këto troje para se të formohet shteti i cili sot quhet Republika e Maqedonisë. Gjithashtu, mbështetur edhe në vetë procesin shtetëformues të shtetit, shqiptarët që në përpjekjet e para, u cilësuan si popullsi e barabartë me maqedonasit, kurse që në organet e krijuara të Republikës së Krushevës, popujt kishin përfaqësim numerikisht të barabartë.

Federalizmi Belg si shembull

Mbretëria e Belgjikës, është një shtet me rregullim federal disa nivelesh. Në Belgjikë kufizohen bota gjermanike dhe ajo romane, ngase në veri të vendit banon komuniteti flaman i cili flet një gjuhë të afërt me holandishten, kurse në jug jetojnë valonët frankofon, gjithashtu njohje zyrtare kushtetuese ka edhe komuniteti i vogël gjerman.

Rrjedhimisht me këtë në hartën gjuhësorë evropiane, Belgjika bashkon dhe i përzien dy“sprachrumet” kryesore gjuhësore evropiane gjë e cila e karakterizon gjithë historinë politike të vendit, por edhe rrethanat e sotme politike. Kompetencat e qeverisë federale shtrihen në fushën e mbrojtës, sistemit doganorë, policisë federale, çështje që rregullojnë tregun ekonomik-financiarë dhe ato të migracionit.

Në një sistem mjaft kompleks, gjë që federalizmin belg e bën unik dhe e dallon nga tipat tjerë të federalizmit apo regjionalizmit në botë, përfshirë edhe rastet gjithashtu me heterogjenitet etnik dhe gjuhësorë, sot nivelin e pushtetit territorial i cili përfaqëson komunitetet etnike dhe gjuhësore në Belgjikë e dallojmë në dy shtylla. Ky sistem hyri në fuqi me 1977pas “Marrëveshjes së Egmontit”. Pikërisht për shkak të sistemit mjaft të ndërlikuar dhe jokonvencional në krahasim me raste të tjera federalizmit etnik, federalizmi belg konsiderohet si i “komunitetëzuar”. Këto pushtete janë të barabarta sa i përket hierarkisë mes tyre, por që secila prej shtyllave ka të ndara çështjet të cilat rregullohen nga ana e institucioneve të tyre legjislative dhe ekzekutive.

Dy shtyllat e pushteteve janë: 1. Komunitetet gjuhësore; 2. Regjionet Gjithashtu, neni 4 i kushtetutës belge, status të komunitetit gjuhësor precizon edhe për Brukselin si qytet zyrtarisht bilingual. Por, institucionet e Brukselit janë një dhe titullar i tyre është regjioni kurse brenda vetë territorit të këtij regjioni, kompetenca ushtrohen edhe nga dy komunitet gjuhësore kryesore në vend.

Struktura e ndarjes së pushteteve në regjione dhe komunitete gjuhësore e bën federalizmin belg një shembull brenda të cilit funksionojnë dy dimensione paralele. Ky kombinim ngërthen brenda tij segmente të federalizmit territorial (regjionet) dhe federalizmit jo-territorial (komunitetet gjuhësore. Në aspektin praktik, lënë anash komplikimet shtesë brenda Brukselit, si valonit ashtu edhe flamanët janë pjesëtarë të një vetëqeverisjeje brenda një territori të caktuar (regjionit), kurse me faktin se i përkasin komunitetit gjuhësor respektiv, ata janë bartës të vetëqeverisjes si individë. Tek kjo strukturë e organizimit të disa niveleve të pushtetit, ka ardhur si rezultat i një procesi të vazhdueshëm të reformave, i cili është zhvilluar gati tridhjetë vite me radhë deri me hyrjen në fuqi të kushtetutës së vitit 1994.

Belgjika me këtë ka tentuar të siguroj përfaqësim të vërtetë dhe efektiv të komuniteteve dhe regjioneve në përputhje me pjesëmarrjen e tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë së vendit. Çështja e kompetencave të komuniteteve dhe regjioneve si dhe të institucioneve të tyre, rregullohet me kushtetutën federale dhe të njëjta precizohen në kapitullin e katërt të saj. Në nivel federal,Belgjika ka një parlament dydhomësh të përbërë nga Dhoma e përfaqësuesve dhe Dhoma e Lartë respektivisht Senati.

Mbi këtë parlament dhe ekzekutivin, qëndron mbreti i cili ndonëse ka kompetenca të kufizuara, megjithatë formalisht dominon qeverinë. Belgjika ka një sistem proporcional rajonal të votimit, kjo mënyrë e zgjedhjes së sistemit elektoral, tenton që vendit ti jep një përfaqësim sa më përfshirës.

Përbërja demografike e shtetit belg, imponon një sistem kompleks të institucioneve ku prezantimi proporcional i komuniteteve është parësorë. Përveç institucioneve qendrore ekzistojnë edhe institucionet që përfaqësojnë komunitetet etnike-gjuhësore, si dhe institucione të cilat përfaqësojnë regjionet. Kushtetuta përcakton sipas regjionit se cila gjuhë ku do të ketë statusin e gjuhës zyrtare.

(Botuar për herë të parë në revistën për kulturë dhe shkencë “Alternativa”, Lubjanë)

Lajme të ngjashme

Back to top button