Opinion publik; me lidhje – pa lidhje

Pasi këtyre ditëve vazhdon kundërshtimi qytetar i shqiptarëve të Maqedonisë kundër mënyrës së gjykimit si ajo e fundit për vrasjen në Smilkovci, kundër të cilit gjykim ende vazhdojnë të paralajmërohen dhe organizohen protesta nuk mendoj se mundemi tërësisht të përmbyllim tani ndonjë analizë rreth ngjarjeve të fundit. Ashtu në vend të një qasjeje komplete për krejt që ndodhi tani besoj se do mund të përqendroheshim vetëm në disa aspekte të debatit në publik të këtyre ngjarjeve këtu në Maqedoni si dhe ca mësimeve që mund të nxirren nga këto.

Më e shkurta që mund tani të thuhet për debatin publik dhe sidomos për pjesën e opinionit në gjuhën shqipe e që sërish doli në pah me ngjarjet aktuale është varfëria e saj. Kur përmblidhet se sa pak trajtime publike ka në shqip për gjithë këtë problem në Maqedoni të vjen të dyshosh mbi krejt numrat ekzistuese që ka për shqiptarët në Maqedoni, duke filluar nga ato se sa janë gjithsej e deri tek ajo se sa prej tyre shkruajnë apo kanë qasje deri në publik që të trajtojnë këto çështje nga ndonjë aspekt.

Heshtja e të ashtuquajturave parti shqiptare tani më është evidente sa e sa kohë, por nëse përllogaritet mirë edhe heshtja në përgjithësi në shoqëri është e madhe. Sa për ilustrim; shqiptarët kanë dy fakultete juridike në dy universitetet dhe shumë profesorë në to nga lëmi të ndryshme, të cilët me ekspertizën e tyre do mund shumë të i sqaronin opinionit në shqip se çka janë këto gjykime dhe si erdhi deri tek këto mënyra skandaloze gjykimi. Në vend të kësaj opinioni tani do duhet të mjaftohet me nja dy ose tre prononcime dhe deklarata ekspertësh ose analistësh, prej të cilëve mund të konkludon vetëm atë që edhe me sy laikësh shihet; se kjo është një gjykim me negocim dhe në stilin e inkuizicionit mesjetar kishtar dhe aspak afër ndonjë ligjshmërie juridike.

Ndonëse këtë herë, si një e mirë që ndodhi, ishte që së paku nëpër rrjete sociale në shqip u shprehën më shumë persona të cilët u munduan të sjellin reagimet, qëndrimet dhe trajtimet e tyre të çështjeve të ngritura me gjykimin dhe protestat. Ndoshta janë provokuar nga heshtja e madhe e organizimeve politike dhe të ngjashmeve, por sidoqoftë duhen përshëndetur me shpresë se do vazhdojnë dhe shtohen.

Përkundër këtij shtimi, i cili është për t’u përshëndetur, ende mbetet brengosës vëllimi i paktë i inputit shqiptar në opinionin në maqedonisht. Gjë që është shumë me rëndësi sidomos atëherë kur, si tani, sprovohen marrëdhëniet e shqiptarëve me shtetin, e shumë prej maqedonasve këtë e kuptojnë gabimisht edhe si marrëdhënie me to. Kjo mbetet me rëndësi sidomos për ndarjen e çështjeve, që krejt mos të trajtohen si në një thes, pasi krejt janë veçmas të rëndësishme e disa prej tyre edhe themelore për qytetarët shqiptarë të Maqedonisë. Çështje si feja, mospërfaqësimi politik, krimi, protesta dhe mosbesimi ndaj sistemit gjyqësor tani për tani shohim se trajtohen nën një dhe shpesh ndërlidhen, sidomos nga ana e medieve qeveritare në gjuhën maqedonase. Ndonëse shpesh nuk kanë aspak lidhje njëra me tjetrën.

Ashtu atyre pak shqiptarëve që kanë mundësi dhe qasje në pjesën e opinionit në gjuhën maqedonase u mbetet të kryejnë barrën e rëndë të ndarjes dhe trajtimit veçmas të këtyre çështjeve. Mbetet barrë e rëndë pasi ato janë pak e çështjet shumë, kurse ata që paguhen si politikanë ose profesorë mu në këto çështje, merren me krejt tjera gjëra duke parë që sa më shumë të mbesin në heshtjen e përgjithshme që mbizotëron në këtë vend dhe shoqëri në dyja pjesët; edhe në atë shqiptare por edhe në atë maqedonase.

Kur kësaj t’i shtosh faktin se në opinionin shqiptarë ka defetistë që flasin vetëm në raste kur shqiptarët përjetojnë ndonjë disfatë dhe jo edhe atëherë kur arrijnë ndonjë fitore ose sukses, mbetet konkluza se opinioni në Maqedoni është i varfër, sidomos për shqiptaren në të.

Çështja tjetër që aktualizuan protestat është mospërfaqësimi politik evident i shqiptarëve të këtushëm e të cilin më së miri po e evidentojnë reagimet shqiptare në rajon; ato zyrtare të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe zërat tjerë që vijnë e shtohen dhe flasin për diskriminimin politik të shqiptarëve në Maqedoni. Ashtu para do kohe dukeshe e paarsyeshme reagimi për shqiptarët e këtushëm pasi ata kishin partitë politike të tyre dhe bile edhe pjesëmarrje në qeverisjen ekzekutive. Tani si duket, nëse jo krejt, shumica e shqiptarëve në botë e kanë të qartë se çka ka ndodhë ndërkohë dhe se duhet urgjentisht të merren masa për përfaqësimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button