Nëse protestat do të trajtohen si “Monstra”, situata mund të eskalojë

Nëse protestat  e këtyre ditëve nuk do të arrijnë të menaxhohen në mënyrën e duhur, atëherë ekziston  rreziku i eskalimit të tyre në një konflikt me përmasa më të gjera, kjo është ideja që shumica e analistëve ndajnë pas përdorimit të dhunës nga ana e policisë gjatë protestave në Shkup.

Një prononcimin e tyre për Portalb, analistët ndajnë mendime të ndryshme, duke potencuar nevojën e ngritjes së efikasitetit të organeve të drejtësisë në vend, për të mos i lejuar politikës që të koordinojë vendimet gjyqësore që shpesh marrin në qafë njerëz të pafajshëm, duke mos arritur të ofrojnë argumente për dënimin e tyre.

Musliu: Keq menaxhimi i situatës mund të shkaktojë konflikte

Analisti Albert Musliu, thotë për Portalb se çdo protestës ku ka të lënduar është ngjarje shqetësuese dhe nuk mund të kalojë pa u dënuar. Sipas tij duhet të shihet se kush është fajtori.

“Në gjithë këto protesta policia është pjesa profesionale dhe duhet të sillet në mënyrë të tillë duke mos përdorur dhunën. Nga ana tjetër ka edhe persona të cilët çdo protestë legjitime tentojnë ta përdorin për interesa të veta. Mendoj se shumica kanë dalë me qëllime të mira, kanë dalë që tua bëjnë të ditur organeve se procesi ka qenë jo transparent”, thotë Albert Musliu.

Musliu thotë se, procesi “Monstra” është menaxhuar në mënyrë jo të mirë në të gjitha aspektet deri në fjalimin e  prokurores. Normalisht janë edhe nervozat e jetës së përditshme, por procesi gjyqësorë jo transparent dhe në mungesë të fakteve dhe argumenteve janë shkaqet vërteta të protestës.

“Nuk besojë se kjo situatë mund të eskalojë në konflikt, por keq menaxhimi i situatës mund të shkaktojë incidente më të mëdha. Çdo intervenim i policisë në shtëpi është e papranueshme”, thotë për Portalb, Albert Musliu.

Neziri: Vendimet gjyqësore i sjellë politika

Analisti Xhelal Neziri, thotë për Portalb se, protestat janë rezultat i partizimit të vazhdueshëm të gjyqësorit dhe institucioneve shtetërore. Politizimi i rasteve gjyqësore tregon se vendimet nuk i sjell gjykata por politika.

“Këtë në vazhdimësi e thonë Uashingtoni dhe Brukseli në raportet vjetore, por partitë vazhdojnë gjithnjë e më shumë të influencojnë gjyqësorin. Kjo ka ndikuar në humbjen e besimit te gjyqësori dhe kërkimin e drejtësisë para dyerve të partive në pushtet. Protestat janë e drejtë legjitime në çdo shtet demokratik. Është e rrezikshme tendenca që të dërgohet në opinion imazhi se nga njëra anë kemi policinë etnike maqedonase dhe nga ana tjetër protestuesit etnik shqiptarë. Realiteti është se nga njëra anë kemi protestues që nuk kanë asnjë besim në gjyqësorin e partizuar të Maqedonisë kurse nga ana tjetër policë që kanë obligim të ruajnë rendin publik, ku në mesin e tyre ka edhe shqiptarë etnik”, thotë për Portalb Xhelal Neziri.

Bilalli: Protestat duhet të vazhdojnë

Analsiti Mersel Bilalli, thotë për Portalb se protestat nuk duhet të pushojnë, përkundrazi ata duhet të vazhdojnë, por duke definuar kërkesa konkrete.

“Konstatimi se procesi do të shqyrtohet në instanca të apelit në baze të ankesës nuk paraqet ndonjë shprese. Kjo parullë nënkupton mbajtje afatgjatë ne burg. Zakonisht procesi nënkupton shume vite burg. Madje edhe përdorimi i mjeteve të jashtëzakonshme juridike para Gjykatës Supreme, po ashtu është proces shumë i gjate. Aq me shume, kur tani me ndryshimet kushtetuese pritet të aplikohet edhe një mekanizëm para gjykatës Kushtetues (e cila edhe tani ekziston si formë jo shume e praktikuar). Vetëm pas gjithë këtyre, palët mund ti drejtohen Strasburgut”, thotë Mersel Bilalli.

Sipas tij e gjithë kjo është procedure shumëvjeçare. Prandaj, protestat duhet të organizohen mirë, të jene publike, të paraqiten te organet dhe te jene masovike. Duhet ikur incidenteve, pasi ata i japin shanse policisë për brutalitet.

Bilalli thotë se kërkesat duhet të jenë të qarta dhe te lypin te drejtën e vërtetë qe ne këso regjimi nuk ekziston. Ky duhet te jete argument qe të kërkohet prezenca e ndërkombëtarëve. Kërkesat duhet të jenë të tipit:

– Të dënuarit te mbrohen në liri dhe të kërkohet sa më shpejtë të shqyrtohen lëndët në instancë të apelacionit ku duhet te jene prezent edhe ekspert ndërkombëtar;

– Kërkesë që gjykata dhe ajo karikatura e prokurores ti prezantojnë provat para opinionit në baze të të cilave janë dënuar personat në fjalë.

“Etiketën për ‘terrorizëm’ islamik duhet hedhur poshtë, përmes argumenteve te fanatizmit fetar institucional maqedonas qe ne çdo kënd që ndërtohen kisha e kryqe. Duhet shqyrtuar mundësinë e bllokimit te udhëkryqeve”, tha për Portalb, Bilalli. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button