Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani shtron iftar për myslimanët

“Le të shërbejë ky Muaj për të gjithë ne, si mesazh i qartë, se bashkërisht duhet të investojmë për t’i afruar më shumë zemrat tona, për t’i unifikuar më tepër shqetësimet, për ta zgjatur edhe më shumë dorën e bashkëpunimit”.

Kështu u shpreh Presidenti Bujar Nishani duke dhënë mesazhin e bashkëpunimit në darkën e iftarit në nder të besimtarëve myslimanë të shtruar mbrëmjen e së premtes.

Të pranishëm në këtë Iftar ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, përfaqësues të bashkësive fetare, të Trupit Diplomatik, të institucioneve kushtetuese si dhe përfaqësues të artit, sipërmarrjes dhe kulturës.

“Në themelet e shtetit shqiptar, që lindi përmes dhimbjesh në fillimin e shekullit të kaluar, në ballë të flijimeve madhështore që u bënë kurban nga populli ynë, në to, qëndroi si më kryesori kontributi i bashkësisë myslimane, i asaj mase vigane të besimtareve e besimtarëve myslimanë, që nuk e ndanë kurrë fatin e tyre nga ai të Shqipërisë. Ishte ndihmesa juaj, të dashur besimtarë myslimanë, që së bashku me ato ortodoksë e katolikë, bëri të mundur që nga përpjekjet e mëdha historike të lindte Shqipëria, nëna e përbashkët e të gjithë atyre njerëzve që flasin shqip në trojet tona stërgjyshore”, theksoi Nishani.

Në vijim ai shtoi se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe besimtarët kanë në histori rolin e tyre vendimtar në të gjitha fazat e rritjes së shtetit shqiptar në shekullin e XX-të, duke qenë ata vetë autorët e krijimit të atij fenomeni origjinal në Europë dhe në botë që ka emrin e mrekullueshëm “harmonia fetare e Shqipërisë”.

“Dhuna totalitare e komunizmit ateist ra ashpër edhe mbi ju, ajo ju vrau, burgosi, persekutoi, rrafshoi ngrehinat tuaja. Por ju, të mësuar në sakrifica, i qëndruat atij besimi se një ditë Muaji i Ramazanit do të niste prapë në Shqipëri e feja juaj do çelte prapë syth si një pemë e mbjellë në shtëpi. Në këtë muaj ata synojnë të përsosen edhe më tepër në rrugën e gjatë që kanë për të përshkuar deri në botën e përtejme. Prandaj unë, si President i zgjedhur i të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë, ndihem tepër i lumtur që të respektoj me ju këtë periudhë kohe kur ju vetësakrifikoheni për të qenë më të denjë për shoqërinë njerëzore”, vijoi Kreu i Shtetit.

Ndërsa vlerësoi harmoninë fetare në vend, Nishani theksoi se kjo frymë shumë shekullore tolerance kundrejt ortodoksisë dhe katolicizmit, është një monument vlerash njerëzore, që e bën çdo mysliman shqiptar të krenohet me fenë e tij, e të jetë ballëlart në ballafaqimin me kulturat simotra.

“Po të jemi të sinqertë edhe me raportet numerike ndërfetare ne shekuj, del përfundimi arsyeshëm se humanizmi i shumicës myslimane ishte faktori përcaktues i ecjes sonë përpara në rrjedhat e epokave. Harmonia fetare shqiptare, kjo kryevlerë njerëzore s’është aspak mit, siç pretendojnë disa. Ndonëse për të është folur me tepri e do flitet ende shumë edhe në të ardhmen, ajo qëndron në konstuticionin e kombit tonë si ADN-ja e trupit të njeriut. Ajo është një trashëgimi gjenetike e traditës sonë më themelore”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button