Oborret e xhamive nuk janë “parkingje” për mendime të papjekura  

Protesta e djeshme nuk ka kurrfarë lidhje me oborret e xhamive. Dje në Shkup nuk u protestua për pronat e pakthyera të Bashkësisë Islame, as për cenimin e të drejtave  të ndonjë imami dhe, sikur të kishin qenë këto arsyet, do ta quanim të ligjshme një pakënaqësi të tillë të shprehur pikërisht në oborret e xhamive. Por, dimensioni i protestave të ngjashme si ajo e djeshmja, del jashtë kontekstit të oborreve dhe avllive tona. Reduktimi socio-politik i kësaj pakënaqësie brenda hapësirave të tilla të cilat do të duhej të jenë të përjashtuara nga vulgariteti i dikursit sakral, amnistojnë prodhuesit dhe ekzekutuesit e dhunës shtetërore – policinë.

Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk kanë marrë leje nga partitë politike se ku duhet t’i zhvillojnë protestat e tyre. Ata as në 2001 nuk e pyetën PPD dhe PDSH se në cilin mal do t’i vendosin gulinovat, ndonëse fatkeqësisht edhe atëherë pati tendenca (nga disa politikanë shqiptarë) që pakënaqësinë e shqiptarëve ta projektojnë gabimisht si konflikt brendashqiptar.

I pari që e theu këtë skemë djallëzore të vetëbaltosjes ishte Arbën Xhaferi i cili dërgoi një sinjal të qartë politik e intelektual te Shkupi zyrtar dhe kancelaritë diplomatike botërore se konflikti nuk ishte i importuar nga Kosova, se konflikti nuk ishte brendashqiptar dhe se kriza politike nuk mund të zgjidhej me mjete ushtarake.

Problemi i shqiptarëve të Maqedonisë është vuajtja e pasojave që dalin nga Kushtetuta e cila është në shpërputhje me realitetin shumetnik, prandaj konepti kushtetues i shtetit duhet urgjentisht të harmonizohet me realitetin, thoshte A. Xhaferi, dhe nuk hezitonte t’i jepte të drejtë guerilës shqipare në v. 2001, e cila nuk kërkonte asgjë më tepër se inkorporimin e statusit juridik e kushtetues të shqiptarëve në konceptin e ndërtimit të shtetit.

Pamaturia e ndonjë shkrimtari për t’u bërë me çdo kusht lider i mendimit publik, jo rrallë ka edhe koston e papërballueshme të defektit mental si koncept civilizues e politik. Ta fragmentosh në mënyrë aq bizare trajtën publike të një pakënaqësie, duke i dhënë asaj konotacion të paqëndrueshëm dhe tepër të diskutueshëm, është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet aktivizmit qytetar, i cili, në fakt, do të duhej të jetë i liruar nga mendësia e ngusht që të krijon oborri i xhamisë dhe gjithëçka që rrotullohet andej pari.

Klasifikimi i ngjarjeve si ajo e djeshmja me ngjyrën e kuqe në kujdestarinë policore, saora mund të merr ndonjë ngjyrë tjetër në kancelartië diplomatike, nëse këto të fundit i marrin si të mirëqena dhe valide deklaratat e papërgjegjshme të shkrimtarëve të cilët e kanë përzier fiksionin me realitetin dhe mendojnë se po recitojnë ndonjë vjershë kur flasin për politikën.

Oborret e xhamive nuk janë “parkingje” për mendime të papjekura.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button