Lëvizja Vetëvendosje përkrah protestat në Shkup

Lëvizja Vetëvendosje ka  mbështetur protestat e shqiptarëve në Maqedoni, duke i vlerësuar si të nevojshme. Sipas Vetëvendosjes, shqiptarët janë dënuar në bazën e paragjykimit.

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësimin e saj me zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Për mes një komunikate për media të Lëvizjes Vetëvendosje, thuhet se dënimi i shqiptarëve me burg të përjetshëm pa pasur prova është paragjykim.

Vetëvendosje mbështet protestat e shqiptarëve në Maqedoni, duke vlerësuar se protestat në një situatë të tillë janë të domosdoshme.

“Procesi i fundit gjyqësor ndaj shqiptarëve të dënuar me burgim të përjetshëm, pa pasur prova, tashmë e vulosë idenë se akte të tilla të përsëritura të cilat mohojnë edhe të drejtat bazike qytetare shkojnë përtej paragjykimeve rastësore, dhe dëshmojnë për një strategji institucionale që ka për qëllim shtypjen dhe frikësimin e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone në Maqedoni”.

“E drejta për të protestuar ndaj një sistemi të tillë jo vetëm që u takon të gjithë qytetarëve pa dallim, por kthehet edhe në një domosdoshmëri”.

“Ndërhyrja e dhunshme e policisë në protestë veç sa e shpërfaqë edhe një herë padrejtësinë kundër të cilës po protestohet, duke i dhënë të drejtë protestuesve, të cilët janë rrahur, lënduar rëndë dhe arrestuar”.

“Lëvizja Vetëvendosje, bën thirrje për lirim të menjëhershëm të të gjithë qytetarëve të arrestuar gjatë përdorimit të së drejtës së tyre për të protestuar”.

“Sistemi shtypës që është ndërtuar në Maqedoni është bërë edhe me ndihmën e atyre politikanëve shqiptarë që nuk kanë ditur të shikojnë përtej interesave të ngushta klanore të partive që përfaqësojnë. Bashkimi i faktorëve progresivë të politikës shqiptarë në Maqedoni është sot një  nevojë urgjente që do të mund të haptë rrugën për drejtësi”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendsoje.

Lajme të ngjashme

Back to top button