fbpx

Ditar Ramazani-8

Duke na ikur ditët po na ikë edhe jeta në rrugën pa kthim. Shpesh herë gjakosim mendjen me idenë se drejtësia nuk njeh njerëz të mirë e të ligë. Ndoshta jetës i ikin momentet më intime të vdekjes, por përsëri, mendja ringjallë shpresën e rikthimit në vetvete. Njerëzit po jetojnë me paragjykime edhe pse po pretendojnë se njohin të Vërtetën.

Paragjykim nuk është njohja, po mosnjohja. Ti mund ta paragjykosh në rend të parë vetveten. Vjen në një pozitë kur nuk e di se kush je. Del nga natyrorja dhe shndërrohesh në një njeri pa identitet. Reagimet e tua tregojnë pjesën emocionale të shpirtit dhe zemrës. Në moment shpreson se mund të kesh përfitime materiale nga pozita e caktuar, ndërsa në një moment tjetër zhdukesh nga arena e jetës për t`u fshehur në birucën e miut.

Është qesharake ta mendosh njeriun trupmadh në birucën e miut. Dikush thotë se kjo gjë është e pamundur. Për të gjithçka është e pamundur. Edhe zhvillimi normal i fëmiut deri në rritje është një mision i pamundur. Edhe edukimi i tij me bazat islame, është një tentim i dështuar qysh në fillim.

Vet ky mendim është dështim në vetvete. Njeriu jep mundin maksimal për të pritur rezultatet në këtë botë po edhe në botën tjetër.

A mund ta lëndojmë vetveten duke lënduar të tjerët? Apo ndoshta shfryhemi në këtë mënyrë? Lëndimi nuk njeh gjuhë shfryrjeje pos ngrysjes e fatkeqësisë. Duhet që të disiplinojmë vetveten për të vepruar në shoqërinë njerëzore.

Momentet e përgojimit e shpifjes janë momentet më të dëmshme në historikun e një njeriu. A e di se si ndjehet një njeri kur përgojon? Ajo ndjejë e hidhur, edhe pse e hidhur e diktuar prej vetvetes, prapë mbretëron në mendjen dhe shpirtin tënd. Të ka kapluar tërësisht ndjenja e tillë dhe kërkon nga t`i që të vazhdosh thellë e më thellë.

Myslimani asnjëherë nuk guxon që të gëzohet në fatkeqësinë e tjetrit. Për këtë gjë kemi shumë shembuj në historinë e të parëve tanë, ku ndër to edhe historia e Salahudin Ejubit r.a. i cili dërgoi mjekun e tij personal për ta shëruar armikun. Atij nuk i duhej një armik i sëmurë. E ndiente vetën të ofenduar po qe se vazhdon luftën dhe betejat me një armik që nuk e ka të barabartë.

Ajo ndjenjë sublime e drejtësisë duhet që të rikthehet në meset e myslimanëve. Ne nuk guxojmë që të shohim me sytë e arrogancës dhe egërsisë, por me sytë e dhembshurisë e dashurisë. Nëse garojmë në punë të mira e të dobishme për shoqërinë, nuk d.m.th se jemi armik të njëri-tjetrit. Po thjeshtë mundohemi që të arrijmë shpërblimin dhe synimin e njëjtë. Prej kësaj gjendje përfiton shoqëria e cila ka nevojë për një garim të këtillë.

Nëse garojmë në punë të ndyta dhe armiqësi, ne shkaktojmë dhimbje, dembelizëm e çrregullime në shoqëritë tona.

Garimi në punë të mira është njëra prej punëve më humane. Ky garim, ndoshta është edhe mesazhi i muajit të bekuar të Ramazanit.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close