Mllefi që eksplodon rrugëve

Lajmi i mirë është që Zajazi dhe Tetova mbeten të paprekur. Lajmi i keq është që me një nivel kaq të lartë të mosbesimit institucional dhe popullatës rinore të papunë, skenat e sotme do të shtohen.

Institucione që nuk gëzojnë besim

Protesta të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë dhe pa ndryshime të thella shoqërore dhe ekonomike, ato vetëm që do të përshkallëzohen. Arsye ka plot, që nga shtypja sociale, terrorizimi i bandave nën petk partiak, mungesa e qasjes së barabartë tek resurset shtetërore, deri te mosbesimi në institucionet dhe veçanërisht në gjyqësor.

Në rrethana të këtilla, kur edhe popullata shumicë maqedonase nuk i beson institucioneve, me të gjitha kritikat për politizimin e skajshëm, askush nuk mund t’i akuzojë shqiptarët për mosbesimin ndaj vendimeve gjyqësore. Fakti që politikanët shqiptarë heshtin me rehati kur padrejtësia thyhet mbi shpinën e tjetrit, vetëm e tregon sinqeritetin e tyre për krijimin e një shteti ligjor, por edhe harresën e shpejtë të traumave të përjetuara gjatë ish-Federatës jugosllave.

Gjykata e shqiptoi dënimin për të pandehurit e vrasjes në Smillkovë dy vite pasi që u shpallën fajtorë nga Ministria e Brendshme që në ditën e arrestimit, që e emëroi aksionin policor si “Monstrum”. Me një proces të mbyllur, vështirë se do të kuptohet e vërteta, si edhe shumë herë tjera.

Vreshtat e Rashtakut si precedent

Mungesa e besimit në gjyqësor, veçanërisht kur ndërlidhet elementi “radikali islam” nuk është dukuri e re, por ka rrënjë që në mars të vitit 2002, kur policia afër Shkupit ekzekutoi gjashtë pakistanezë dhe një indian. Pak orë më vonë, duke qëndruara para Ambasadës amerikane, Ministri i atëhershëm i brendshëm shpalli që grupi i rrezikshëm i “Al Kaidës” është likuiduar gjatë shkëmbimit të zjarrit, para se t’i sulmojnë ambasadat perëndimore, konkretisht atë amerikane, britanike dhe gjermane.

Ndjeshmëria ishte e lartë në botën pas sulmeve të 11 shtatorit. Ndërkohë që në rajon rriten grupet e  rrymave ekstreme, vështirë se loja me ndjenjat fetare do ta sjell situatën nën kontroll. Ekstremizmi rritet dhe radikalizimi në njërën anë e shkakton kundër-efektin tek pala tjetër, krejt me amin partiak.

Dymbëdhjetë vite më vonë, rasti i Vreshtave të Rashtakut mbetet i pandriçuar. Ajo që fillimisht duhej të ishte një dëshmi për orientimin pro-perëndimor në momente kyçe për aleatët amerikanë, përfundoi si debakël. “Viktimat ishin migrantë të paligjshëm të vrarë nga policia, të cilët i kanë montuar armët dhe uniformat e UÇK-së për t’i prezantuar të vrarët si të dyshimtë,” thuhej në Raportin e Departamentit të Shtetit për vitin 2003. Me gjasë, ky do të mbetet përfundimi i vetëm relevant, meqë institucionet nuk e përmbyllën rastin kurrë. 

Stabiliteti me tensione të vazhdueshme

Pa gjyqësor të besueshëm që ndan drejtësi, pa media të lira që mund të informojnë drejtë dhe pa autoritete që mund të ushtrojnë ndikim dhe njëherazi të nxisin ndryshime të mirëfillta – Maqedonia gjithmonë e më tepër do të përballet me eksplodime të mllefit të akumuluar.

Banorët e Maqedonisë dhe faktori ndërkombëtar nuk duhet të frikohen nga një luftë e re. Ajo nuk do të ndodhë. Të zhgënjyer nga shumë ish-luftëtarë të cilët e shtrydhën përvojën luftarake për tenderë e profit, vështirë se dikush do të del në mal sërish. Mbi të gjitha, tensionet brenda-etnike dhe sociale janë dukshëm më të larta se ato mes etnive të ndryshme, që kanë pak kontakt.

Megjithatë, mungesa e luftës së hapur nuk e nënkupton qetësinë e vazhdueshme, por vetëm një status-quo të thyeshme, sa për të qeverisur me manipulime dhe ngritje tensionesh. Në mungesë të kanaleve për shprehje (media, shoqëri civile), rruga do të shndërrohet në forum të vetëm.

Si edhe në rastin e familjes së shpërngulur në Radishani dhe djegies së pronave shqiptare në Gjorçe, politikanët, deputetët dhe zyrtarët tjerë shqiptarë e mbulojnë paaftësinë dhe impotencën me heshtje. Ata që dërgojnë telegrame urimi edhe kur fiton Real Madridi, as gabimisht në këto momente nuk i drejtohen votuesve, ose efektivëve të emëruar si roje etnike në institucione.

Më të humbur se liderët shqiptarë vendas janë vetëm politikanët e analistët shqiptarë përtej kufijve, që nuk kanë ide se çka ndodh dhe harxhohen me fjalime patriotike, duke harruar se populli këtu ka boll përvojë me shitësit e mjegullës kuq e zi. Kur e shajnë shtetin e Maqedonisë dhe policinë, çuditërisht harrojnë se janë pikërisht miqtë e tyre shqiptarë ata që ulen kolltukëve dhe nuk bëjnë zë.

Jo, përgjegjësisë duhet t’i jepet adresa e saktë. Shqiptarët – qofshin votues ose përfaqësues zyrtarë që sot heshtin – janë bashkëfajtorë për çdo padrejtësi dhe nuk amnistohen nga injoranca e thellë.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button