Të papërfaqësuarit e rrugëve të Shkupit !

Mijëra qytetarë shqiptarë, kryesisht të rinj, kanë mbushur sot rrugët e Shkupit, në shenjë proteste ndaj një vendimi gjykate në Shkup, që dënon me burgim të përjtëshëm shqiptarë të akuzuar për një vrasje të dyshimtë një vit më parë. Protesta ngjan se ka përdorur si shkak aktgjykimin, por në thelb ajo duket se është një revoltë e qytetarëve të papërfaqësuar shqiptarë në Maqedoni. Çështja “Monstra” ka në thelb një vrasje mizore të pesë qytetarëve maqedonas, në rrethana të paqarta, dhe arrestimet e policisë maqedonase kanë qenë jobindëse dhe të paragjykuara drejt shqiptarëve me prirje për të qenë besimtarë të devotshëm myslimanë. Sido që të jetë e vërteta, shqiptarët në Shkup duket se nuk ndjehen të përfaqësuar në shtetin e Maqedonisë dhe kanë dyshim për çdo akt ndaj tyre.

Kjo histori duhet parë me kujdes, jo thjesht si një histori proteste dhe përplasje me policinë, pasi ato janë fenomene normale në një shtet të lirë, por humbjen e shpresës tek partitë politike dhe fitimi i terrenit nga fondamentalistë fetarë apo forca radikale.

Në vitin 2001, kur nisi konflikti në Maqedoni, ekzistonte paragjykimi se stabiliteti i Maqedonisë nuk do të prekej, por shumë shpejt shteti maqedon u përfshi dhe partitë shqiptare u detyruan të ulen e të bëjnë marrëveshje. Prej Marrëveshjes së Ohrit deri më sot, shqiptarët vazhdojnë ta shtrydhin konfliktin e vitit 2011 si limon për t’i dhënë shije çdo fushate elektorale dhe për t’i fituar zgjedhjet si parti e luftës, por vetëm kaq. Avancimi i të drejtave të shqiptarëve është shumë i dobët dhe ajo çfarë është më e keqe, partitë poltike shqiptare në Maqedoni nuk po japin ndihmën e tyre në demokratizimin e Maqedonisë. Ato në parim i bëhen patericë pushtetit, duke u vënë në radhë kush e do më shumë kryeministrin Gruevski, dhe kësisoj dëmtojnë dhe jetën politike në Maqedoni, dhe opozitën maqedonase.

Duke e bërë të pashpresë ndryshimin në Maqedoni, shqiptarët po kontribuojnë në humbjen e shpresave për kategoritë etnike, por dhe fetare, dhe të një lloj statuskuoje të pushtetit të korruptuar. Kjo klimë nxit ekstremizmin dhe mund të nxjerrë jashtë loje përfaqësimin politik. Ata që dalin në protestë, janë shqiptarë të zemëruar, por dhe fanatikë myslimanë që nuk harrojnë ta marrin me vete flamurin jeshil me gërma arabe. Nënvleftësimi i kësaj situate, mund ta prodhojë dëshpërim dhe humbje shprese, dhe mund ta radikalizojë situatën, nëse partitë politike shqiptare nuk bëhen promotore të ndryshimit në Maqedoni, si në aspektin politik, ashtu dhe në aspektin demokratik dhe funksional të shtetit.

Kështu si sillen ato, po e përdorin paritetin etnik në funksion të statukuosë dhe jo të ndryshimit, dhe po i japin shans shqiptarëve të tjerë të presin degën ku rrinë hipur.

E theksoj se protesta e sotme nuk është aq shumë shqetësuese pse ka dhunë dhe të plagosur, pasi ato bashkëshoqërojnë çdo protestë. Shqetësuese është se nuk ka kush i përfaqëson ata që janë në rrugë. /Gazeta Tema

Lajme të ngjashme

Back to top button