fbpx

Vetëpunësimi: Fushatë ose realitet?

Pasi ka kuptuar se nuk mund të gjejë punë të sigurt në sektorin privat, ndërsa në atë shtetëror edhe më pak për shkak se nuk i ka plotësuar kriteret, një shkupjane e re, në të 30-ta e hershme, ka vendosur të aplikojë për njërën nga ofertat kreditore të qeverisë për vetëpunësim. 

Pas kompletimit disamujor të dokumenteve dhe përpunimit të planit të biznesit, ajo arrin të sigurojë mjete buxhetore në formë të kredisë. Para rreth gjysmë viti e ka hapur salonin për frizura në një komunë të Shkupit. 

Gjashtë muaj pas fillimit të biznesit, ajo thotë se “Paratë e qeverisë mjaftonin për hapin e parë, por harxhimet për hapjen e biznesit ishin shumë më të mëdha. Punoj vetëm unë, për shkak se deri tani mezi se arrija të fitoj aq sa t’i mbuloj obligimet ndaj shtetit për mua. Më pas më pret obligimi për kthimin e kredisë, për kthimin e borxheve të tjera – e në fund të mendoj eventualisht edhe për profitin.” – tregon frizerja e re. 

Ajo akoma nuk mund të thotë se është në grupin e atyre biznesi i të cilave ka pasur sukses, sepse siç thotë, “arrita të hapi një salon të vogël për frizura, por sa kohë dhe ato të mbijetoj, do të tregojë koha”. 

Deri në fund të këtij muaji, kalon afati edhe për një konkurs për vetëpunësim. Qeveria përsëri, të papunësuarve që do t’i plotësojnë kushtet, do t’u japë nga 3.000 euro që të hapin ndonjë biznes të vogël. Për projekt me së paku 3 punësime do të miratohen deri në 9 mijë euro. 

“Nga vitet e kaluara, këto aksione u treguan si të suksesshme, pothuajse 90% e biznesve të filluara akoma funksionojnë dhe madje 90% e të punësuarve kanë mbetur të punësuar”, deklaroi para do kohësh ministri për punë dhe politikë sociale, Dime Spasov.

Ekspertët thonë – për të bërë një përmbledhje të efekteve duhet të pritet momenti kur personat që kanë marrë kredi do të duhet të fillojnë t’i kthejnë ato. 

“Këto linja kreditore duhet të jenë me kushte jashtëzakonisht të volitshme, me grejs-periudhë prej së paku 3 vjetëve, që të mund të jenë të levërdishme për biznesin. Mu bizneset e vogla, janë më të lëndueshme, te ato “vdekshmëria” ka përqindje më të lartë. Të dhënat flasin se ato vdesin pas 5 viteve të para, ose madje 80% e bizneve të vogla nuk arrijnë të mbijetojnë pas periudhës pesëvjepare të mbijetesës” – sqaron për “Portalb”-in profesoresha Marija Zarezankova Potevska, eksperte mu për bizneset e vogla dhe të mesme. 

Ajo thotë se për dallim prej nesh, Bashkimi Evropian nuk mendon vetëm për atë se si të hapen biznese të vogla, por si të sigurohet qëndrueshmëria e tyre. 

Qëllimi i masave qeveritare nuk duhet të jetë vetëm hapja afatshkurte e bizneseve, por edhe qëndrueshmëria e tyre dhe krijimi i vendeve të reja të punës. 

Sipas të dhënave të fundit të prezantuara nga Ministria për punë dhe politikë sociale, bizneset e posahapura mbështeten në – vetëm një të punësuar. 

“Deri tani, nëpërmjet këtij programi janë financuar 2.900 persona ose janë punësuar 2817 persona “ – deklaroi para do kohësh Vllatko Popovski, drejtori i Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë.

Qeveria, nëpërmjet Agjencisë për punësim ofron më tepër forma për financim të punësimeve: vetëpunësime nëpërmjet hapjes së biznesit vetjak, punësim i subvencionuar te ndonjë punëdhënës i njohur, subvencion për trajnim dhe trajnim plotësues, si dhe punësim i subvencionuar për fëmijë pa prindër.

Personat, biznesi i të cilëve nëpërmjet masës për vetëpunësim me para buxhetore nuk do të ketë sukses, do të jenë të obliguar që në vitin e parë të kthejnë 80% të vlerës, ndërsa vitin e ardhshëm edhe pjesën tjetër të parave.

Çka ofron e çka fiton shteti?

Masat e para të ashtuquajtura “aktive” për vetëpunësim u promovuan në vitin 2007.

Drejtoresha e mëparme e Agjencisë për punësim, Biljana Jovanovska, sheh vetëm “fushatë”.

“Rastësisht ose jo, këto masa kryesisht realizohen ose paralajmërohen para fillimit ose gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa ne jemi dëshmitarë se çdo vit kemi ose zgjedhje të parakohshme parlamentare, ose lokale, ose zgjedhje për kryetar të shtetit. Këto janë masa që ofrojnë angazhim ose punësim afatshkurtër. Me pjesëmarrjen në këto masa, personi mund të mbetet në marrëdhënie pune, gjegjlsisht ta mbajë biznesin e tij ndërmjet 12 dhe 18 muajve.” – sqaron Jovanovska.

Një pjesë e ekspertëve konsiderojnë se edhe shteti përfiton nga këto masa. Çdokush që është përfshirë me këto masa, katër vitet e ardhshme nuk do të paraqitet si “i papunësuar” në listat e të papunësuarve. Rrjedhimisht, në atë periudhë katërvjeçare, shteti nuk do të paguajë kontribute për të papunësuarin dhe familjen e tij. Pastaj, ai person nuk është më shfrytëzues i ndihmës sociale ose i ndonjë kompensimi tjetër shtetëror. Nga ana tjetër – posedimi i biznesit personal nënkupton obligim për pagesën e tatimeve dhe takasve të tjera ndaj shtetit.

Profesoresha Potevska konsideron se që të japin efekt konkret, masat qeveritare nuk duhet të zbatohen në formë të “fushatës”, por në mënyrë të menduar mirë dhe afatgjate.

“’Injeksionet’ e tilla duhet të jenë të vazhdueshme, e jo të zgjasin vetëm një periudhë të caktuar kohore, dhe të realizohen vetëm nëpërmjet shpalljeve administrative. Sipas meje, çështja kryesore e konzistencës së masave, e kjo nuk zgjidhet me fushatë” – vlerëson profesoresha Potevska.
Në vend, 70% e bizneseve janë të grupit të “firmave të vogla dhe të mesme” dhe në to janë punësuar mbi 70% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Bizneset e vogla dhe të mesme marrin pjesë në krijimin e 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke gjykuar sipas këtyre parametrave, ky sektor nuk është për t’u nënçmuar e as për t’u lënë pasdore.   

Aneta Dodevska, Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button