fbpx

NGA MBRETËRIA E KAÇAKËVE

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

Mitrovicë, 21 mars 1924

Hiquni: do të kërcasë topi!

             Malet ende janë me borë dhe drunjtë pa gjethe, po megjithatë gazetat janë plot me lajme për përleshje me kaçakët. Në pranverë do ta keni “botimin e dytë të plotësuar”. Atëherë do shkojnë pranë mbretërve të maleve ata që tash vetëm i simpatizojnë, kurse i ndihmojnë në çastet kritike. Kjo zakonisht ndodh kur xhandarët që e bëjnë ndjekjen e rrethojnë kullën dhe ia japin me të shtëna të shumëta dhe krijohet përshtypja se të rrethuarit nuk mund të shpëtojnë. Prej dikah kah shpina ia beh vetëm një plumb. Së shpejti vjen edhe i dyti, i treti derisa fluturimi i tyre nga prapavija mos të fitojë formë ritmike dhe kështu të shkaktojë huti te formacioni. Nëse me mllef i kthehen fshatit, ku ua kanë plagosur shokun, xhandarët do të jenë objekt iterpelance në skupshtinë.

Dhe nëse midis tyre nuk janë të gjithë lule, megjithatë rolin nuk e kanë shumë për lakmi. Ata të cilët ua rrezikuan jetën xhandarëve, nesër do të enden të lirë para syve të xhandarëve. Dëshmitarët e ngarkonin Rexhep Devën su i kishte dërguar ushqim dhe opinga, grupit të Beqir Mulakut. Aktet kishin arritur në gjyq dhe ky kishte lejuar arrestimin Mirëpo kishte arritur vërtetim mjekësor që të mos hyjë në burg ai, për shkak të të cilit kalben në varr, ndoshta viktimat e Mulakut. Ç’mund të bëni kur keni dispozita të tilla ligjore.

Ndodh që të mos ketë sukses ndjekja edhe për shkak të organeve policore. Në Llaushë po kështu i kishin rrethuar kaçakët në kullë. Xhandarët ishin afruar njëqind deri më njëqind e pesëdhjetë metra dhe kishin hapur zjarr. Edhe të rrethuarit u përgjigjën furishëm nga frëngjitë. Nuk mund të bënin asgjë pa artileri. E kërkojnë një top nga Mitrovica dhe ai arrin pas dite, vonë. Naçallniku i rrethit, z. Martinoviçi iu bërte xhandarëve me tërë fuqinë:

– Largohuni: do të kërcasë topi!

–  Ani, ani, do të largohemi! përgjigjen kaçakët nga kulla. Sikur të thonë: “Bëfshi hair që na treguat me kohë”.

Dhe derisa këta u larguan, u tërhoqën edhe kaçakët nga kulla. Kurse midis tyre kishte qenë edhe njëri nga më të rrezikshmit: Fazli Berana.

– Epo unë mendova, kërkon falje z. Martinoviçi, që vetëm xhandarët të shtiren në mënyrë që të mos vritet ndonjëri…

Tunijatijeta! (Tungjatjeta!)

             Para nja dy muajsh u hap një stacion i ri i xhandarmerisë në kilometrin e tetë të ushës së Pejës. Kjo ditë u shënua me një solemnitet të vogël. Kishte ardhur sekretari i naçellstvës, pogllavari i rrethit, disa kryetarë komunash dhe rreth dyzet xhandarë. I kishin pjekur dy a tre qengja dhe policëve e kryetarëve të komunave ua kishin vënë përpara në tryeza, në stacion. Xhandarët dolën jashtë. Do të hanë drekë edhe ata pak më vonë. Kur ja njëri u fut brenda e tha:

– Ja Azem Bejta!

– Po kush e ka ftuar atë? u hidhërua pogllavari.

– Askush s’e ka ftuar.

– O vëlla, u hidhërua pogllavari. Asnjë ditë s’e kaloj dot i qetë. Edhe dreka duhet të më dalë për hunde. Hajt ta vrasim. Më vjen turp më të shikoj kështu kaçakët të më enden këtu pari me pushkë1.

            – More “besën” ia kemi dhënë, si ta vrasim? tha sekretari.

Në atë çast u hap dera dhe gjashtë arnautë të armatosur u futën brenda. Kaluan nëpër dhomë dhe u ndalën në rresht pas shpinës së policëve. Ishte kjo pararoja. Jashtë po zbriste prej kali Azemi, kurse njëri nga përcjellja e tij po ia mbante kalin. Tjetri ia hapi derën krah e më krah e ai hyri me dinjitet.

– Tunijatijeta! (autori tallet me përshëndetjen tonë të bukur )

Kryetarët u çuan shpejt dhe e pranuan përshëndetjen.

– A je ti ai hajni që plaçkit këndej pari? iu drejtua atij me hidhërim pogllavari.

– Çka po thotë? pyeti Azemi njërin kryetar. Bëhej se nuk di serbisht.

– Asgjë, asgjë, i përgjigjet ky i hutuar. Po ta pranon përshëndetjen.

Sekretari e shtyu prapë me bërryl:

– Po hesht, të lutem, a s’po sheh se i kemi këta prapa shpine.

Azemi e mori karrigen dhe u ul pranë tavolinës. Edhe një herë u përshëndet me të gjithë duke e ngritu dorën te balli.

– Ç’të duhen ty këta gjashtë veta këtu? ia nisi përsëri naçallniku i rrethit.

Këtë ia përkthyen.

– Më përcjellin mua, u përgjigj Azemi.

– Menjëherë t’u thuash të dalin!

Dhe ai iu tha. Mirëpo asnjëri syresh nuk luajti vendit.

– Dilni jashtë! përsëriti arnautisht Azem Bejta. Ata sërish nuk luajtën vendit.

– Jashtë! kërceu ai dhe iu afrua duke u kërcënuar. Dhe ata dolën kryelëvarur duke mbyllur derën prapa vetes. Megjithatë kur dolën, prapë e hapën derën pakëz dhe shikuan brenda. Mos t’i ndodhë prijësit diçka. Edhe xhandarët ishin mbledhur dhe shikon për dritareje! Ta shohin Azem Bejtën.

Ai pinte duhan dhe thoshte se po i vjen mirë që hapet aty stacion për shkak të sigurimit të udhës. E ankohej se nuk është i siguruar mirë me ushqime. Dhe lutej t’i sillnin pak miell.

Si duket këtë ia kishin premtuar.

Ndenjën edhe pak kohë, e u përshëndet. Jashtë përcjellësit menjëherë ia bënë pararojën dhe praparojën. Të tjerët u mblodhën në grupe rreth tij dhe i tëri organizimi i marshit u nis. Kur u larguan pakëz, Azemi e nxori revolen dhe shtiu në ajër disa plumba, sa për qejf.

Dhe kështu ai la përshtypje me forcën e vet te xhandarët në kilometrin e tetë.

Në të njëjtën kohë ishte ngritur një turk (shqiptar ose boshnjak! shën. i përkth.) këshilltar i komunës së Tregut të Ri dhe kishte propozuar që rruga Zhiçka në Tregun e Ri të quhej “Rruga e Aqif Efendisë” deputetit të popullit për shkak të shërbimeve që u paska bërë myslimanëve. Atëherë u ngritën ata dymbëdhjetë këshilltarët serbë dhe deklaruan se ky nuk është shteti i Kemal Pashës dhe se këtë propozim ata s’e pranojnë. Po të pranohet do të heqin dorë nga komuna. Kjo ndihmoi.

Pas u~uo zotni mej man ! (Një zot e di se çfarë ka dashur të thotë Jeliçi me këto fjalë! Shën. i përkth.)

Po të ishin shkruar statistika për vrasjet e bëra nga gjakmarrja, do të ishte dashur të merret stili biblik: “Abrahami e lindi Isakun, Isaku e lindi Jakobin…” Të gjitha këto janë histori, të cilat nuk kanë kurrfarë përfundimi. Herë pas here ka ndonjë armëpushim për një kohë të shkurtër. E prapë pritet rasti kur do të merret “gjaku”. Prandaj njëri tha:

– Kur ndodh që xhandarët ose ushtria t’i rrethojë kaçakët, atëherë duhet pyetur në fshatrat e afërta për arnautët, kujt i kanë borxh ndonjë gjak këta të rrethuarit. Dhe, atyre t’ua dorëzosh rrethimin. Se këta gjaksorët e tyre ose do t’i vrasin ose do ta thejnë qafën vetë e do të vriten2.

Kështu mendohet se kaçaku Arif Lisica i ka vrarë ata dy vëllezërit Sadri dhe Fazli Smajlin nga Polaci. Kurse xhandarët nën komandën e shkruesit z. Zlatiçit vetëm ia shtuan këtij numri edhe dy të tjerë Bardhec Murtishin dhe Hajriz Mustafën3 në luftën e zhvilluar më 8 të këtij muaji në fshatin Zhazhë, komuna e Sokolajt. Mendohet për atë se gjakësorët ishin të Arifit. Që ta nxisin kishin ardhur këtu para do kohësh dhe ia kishin rrahur çobanin dhe kështu e kishin fyer.

Kurse kyfarë Arif Lisica që moti është kaçak. Qysh në vitin nëntëqind e katërmbëdhjetë e kishin pasë rrethuar trupat tona në një kullë. Me ndjekësit ka qenë edhe pop Angjelkoja. Arifi lufton prej kulle e s’mundet kush t’i bëjë gjë. Ranë disa të plagosur, kurse ai me një shok të vetin gjuan e gjuan plumb këndej, prej frëngjive.

– Oooo Arif! e thirri popi i fshehur pas një guri.

– O-hou, iu përgjigj ky. Kush je ti?

– Jam pop Angjelkoja.

– Thuaju le t’i ndërpresin të shtënat dhe eja këtu!

– A të më vrasësh, a?

– Jo more! Ta jap besën.

Dhe popi hyri në kullë. Aty gjet një grumbull fishekësh të zbrazur, kurse Arifin dhe shokun e tij të zbathur dhe në këmishë e brekë. Se arnautët kur vendosin të vdesin, zhvishen (pallavrat e Jeliçit. Shën. i përkth.). Në atë botë duhet të shkohet zbathur. Kaçaku u pajtua të shkojë me popin në Mitrovicë dhe t’i dorëzohet pushtetit. Këtu mbeti me pushtetin deri në evakuimin tonë kur e liruam. Kur u kthyem tashmë ai me vetë këtë fakt ishte kaçak. Nuk i shkohej prapë në burg. Tash nuk plaçkit, nuk i nguc xhandarët, por kaçak është.

Pra katër kaçak të vrarë në komunën e Sokolajt, prej të cilëve dy vëllezërit e familjes Smajli i sollën në Mitrovicë dhe i ekspozuan. Aty i fotografuan. Bota vjen i shikon dhe shkon. U afrua edhe një grua plakë arnaute.

– Ajo është nëna e atyre dy vëllezërve, u dëgjua në popull.

Dhe të gjithë i ngulën sytë te ajo ta shohin si do të mbahet. Ajo u ul te kokat e të bijve, i përkëdheli me dorë në flokët e përgjakura e tha:

– Pas uчuo zotni mej man! (Autori serbisht e përkthen: Zoti ju dhashtë vendbanim parrajsor, po, si duket fjala është për bekimin Zoti u faltë imanin; . Sidoqoftë janë tallje me gjuhën tonë.  shën. i përkth.).

            Por nuk lëshoi pikë loti.

            Vetëm njërit nga ata ia zbathi opingat që në atë botë të shkonte si e kërkojnë zakonet.

            Mirëpo për këtë arsye le të mbahet mirë Arif Lisica. Do të gjendet dikush.

Të qahet në këto anë, në përgjithësi, është turp. Veçmas armiku nuk guxon të t’i shohë lotët që të kënaqet me to.

Një gruaje serbe (fjalën e ka për një shqiptare ortodokse, e cila si shumë të tjerë është detyruar të konvertohet nga katolicizmi  në ortodokse (shën. i përkth.)  nga Kollashini arnautët ia kishin vrarë dy djem në kohë të turkut. Dhe e kishin thirrur nënën dhe i kishin thënë:

– Qaj! Ja t’i kemi vrarë të dy djemtë. (natyrisht është një trillim, shën. i përkth.)

– Nuk do të qaj për inatin tuaj! u përgjigj ajo. Burra janë, e vriten.

1 Me sa lehtësi kanë vendosur të vrasin pushtetarët serbë të asaj kohe

2 Pushteti serb i ka përdorur të gjitha dredhitë në luftën për shfarosjen e shqiptarëve

3 Për pushtetin serb shqiptarët janë vetëm numra


LEXO PJESËN PARAPRAKE: ISHALLA JALLAN DËR

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close