PROTESTOJ

Protestoj kundër gjyqësisë e cila na bëri të gjithëve ekspertë – para se të fillojnë proceset dihet kush do shpallet fajtor ose cilit të pafajshëm do t’i pagohet reparacion për traumat shpirtërore të shkaktuara nga kritikat.

(Para se të vinte demokracia, tezja Gjyner paralajmëroi, kishte dëgjuar dikund, se së shpejti do vijë njëfarë rendi i ri kur mund të flasësh lirshëm dhe mos të dënohesh. Nuk do ketë delikt verbal, shtoi abi Gazmendi, unë i dëgjoja dhe mezi prisja të vijë ajo kohë që e përktheva si mungesë të frigës: ishte periudha kur luftohej irredentizmi, separatizmi dhe të tjerat…).

Protestoj kundër shoqërisë ku shumë të dashur të mi ëndërrojnë të shpërngulen “jo në tjetër shtet, por në tjetër planet” – shton njëri prej tyre, i thyer nga shumëçka që i ka ndodhur këtyre viteve ndërkohë që asnjërën nuk e ka merituar.

Protestoj kundër klimës ku nuk bën të jesh i ditur se evidentohet si hendikep, e prish mesataren e institucionit, disponimin e lakenjëve që udhëheqin aty, jep shembull të rrezikshëm që ke arrirë me punë, me mësim. Nëse mjegullnajën nuk e pranon si rregull veprimi dhe i hedh poshtë dallaveret –  të hedhin jashtë që të mund të vazhdojnë me vallen e qorrave, ai që sheh mirë nuk është për Vallen.

Protestoj kundër qytetit që na mëson të adaptohemi me të shëmtuarën: kam miq të cilët kur nisi përmendoremania nuk kalonin me muaj nëpër sheshin Kallaballëk, por Urën me Luana, për shembull, nuk mundeshin ta anashkalojnë. Tashmë u mësuan si gjithë ne të ecin ndanë marrisë së shtrenjtë duke mos e regjistuar fare. Ky është dëmi më i madh i këtij Projekti – mësohemi me Marrëzitë.

Protestoj kundër sistemit arsimor ku më shumë mësohet në shkolla fillore se sa në fakultete, ku studimet programore universitare reklamohen me xhingla zbavitëse – hajdeni të kënaqeni duke studiuar, të kaloni kohën në disponim të mirë. Këtu masovikisht diplomohet me komunikim – hatri i këtij, i atij…thuaji këtij, e ke numrin e atij? e që dëshmohet edhe me ndryshimin e terminologjisë: ta marr provimin, ta marr një diplomë. Këtu baballarët u luten profesorëve që fëmijët e tyre të diplomojnë pa mësuar (një 6-she!), dhe nëse profesori ashtu ka ngjitur shkallët e veta të suksesit – marrëveshja është e garantuar, vazhdon  karvani i bilmezave.

Protestoj kundër katapultimeve meteorike të të paditurëve, nënmesatarëve, anonimëve në profesionet e veta, atyre që “kanë marr një diplomë” – shpejt diplomohet, magjistrohet, doktorohet, përparohet… “Jeta u bë shumë dinamike”.

Protestoj kundër zëvendësimit të turpit me çallëm: ajo çka përpara ishte e turpshme: të gënjesh, të vjedhësh pa u fshehur, rrogën ta kesh “pare xhepi”, të bëhesh brenda një mandati me banesa, shtëpia, vetura për secilin anëtar të familjes, pallate shumëkatëshe me dyqane poshtë, tenderë të privatizuar…tash është transformuar në çështje të krenarisë personale dhe “gardit” plot vetëbesim; “..e dini, ashtu e ka politika”. Më thotë një ditë një mike që s’ka asnjë kapital nga politika, i them se ky është kapitali më i çmuar i saj, kjo e bën të pasur.

Protestoj kundër udhëheqjes së institucioneve nga puthadorë, servilë, me kurriz elastikë, të fascinuar nga benefitet e pushtetit sado i vogël qoftë ai, me body-language narcisoid, Detska Radost…

Protestoj kundër mjekimit shtetëror me investime private – këtu kur të shtrihet ndonjë i afërm për intervenim serioz, dilemat e para janë  – kujt sa t’i jap, ose nëse s’i kam vetë, atëherë kujt t’i marr që të jap se s’bën pa dhënë, të gjithë japin, kurse pyetjet e para kur shkohet në vizitë: “…a keni ndonjë “t’njofshëm”?? E po mirë, shyqyr, se s’ban pa t’njofshëm…”.

Për shumëçka tjetër në këtë rreth të sëmurë mund të protestohet.

Por s’ka kohë tash, shkoj të protestoj me të tjerët në Shkup.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button