Gratë e pafajshme të Berishës

Kuvendi i Shqipërisë pati sot një reagim serioz ndaj Berishës. Hoqi gratë nga salla ku ai ndot rregullisht çdo të enjte, përveç grave të Berishës. Ato nuk janë përgjegjëse për ato që thotë Berisha, dhe nuk kanë faj përse nuk ikin dot nga salla. Ato, më shumë se sa gratë e tjera të majta që lëshuan sallën, janë dëshmi e asaj se deri ku i ka poshtëruar gratë ky njeri.

Them se “gratë e Berishës” janë dëshmi më e fortë se gratë e tjera që braktisën sallën, pasi ato nuk janë vetëm dëshmitare të fjalorit publik të Sali Berishës, por dhe duartrokitëse të detyruara dhe të përdhunuara të tij. Ato janë robinat e kohëve moderne, të cilat i pari i vendit të tyre nuk i ka thirrur në harem për t’u dëfryer, por në një ndërtesë partie për t’i fyer si provë më e fortë se përdhunimi. Ato janë aty se kanë kaluar këtë provë.

Kriteri, mbi të cilin ato janë thirrur, nuk është personaliteti i tyre, por mungesa e personalitetit. Ato nuk janë thirrur në PD se kanë shkëlqyer si intelektuale apo si gra të lira, por në të kundërtën e tyre. Më tipikja e tyre, Jozefina Topalli është aty si ilustrim i nevojës për të pasur njerëz që nuk mendojnë. Një njeri që i ka gjithë shkollat natën, që nuk ka asnjë kontribut intelektual në shoqëri, dhe që ka mbështetur karrierën tek vetëposhtërimi besnik ndaj një lideri, nuk ngurron t’i thotë njësoj si idhulli i saj mashkull, “kurvë” Ina Ramës, dhe as t’i dridhet qerpiku të mbrojë diarenë publike ndaj femrave në Kuvend të tij. Arsyeja është se po të mos bënte këtë, nuk do t’ia dinim as emrin. Nuk dua t’i zë të gjitha me radhë pas saj, por në atë grup parlamentar ka vetëm femra, por thuajse asnjë grua. Dhe ndokush që ndjehet e bezdisur nga fakti që është mes tyre, nuk ka as fuqi dhe as kohë të ndjehet grua e lirë për t’i thënë mbylle gojën mashkullit që prodhoi haremin ku dëfrehet duke fyer femra.

Ato janë atje, pasi kanë kaluar të gjitha provën e mungesës së personalitetit dhe pafuqisë për t’u rebeluar. Ndryshe nga dhuna dhe bezdisja seksuale e provave që duhet të japin shpesh gratë shqiptare kur punësohen, këto gra nuk kanë këtë fat. Ai nuk i bezdis seksualisht, por i vë në provë të rezistojnë moralisht ndaj fyerjes. Si të tilla, ato askush nuk ka të drejtë t’i quajë me fjalorin e ndyrë të Berishës “kurva”, pasi realisht nuk janë të tilla. Nuk janë as të përdala dhe as rrugaçe. Janë gra normale të këtij vendi, shumica nëna shumë të mira dhe të nderuara, sikur të mos ishin deputete të atij. Ato vuajnë si shumë të tjerë nga halli që i ka zënë me të. Me ndonjë përjashtim të rrallë, ato nuk hyjnë as tek gratë skandaloze të këtij vendi, as tek të njohurat, as tek të shquarat për nga intelekti. Ato janë rëndom gratë e urta të këtij vendi, që ashtu siç durojnë dhunën e burrave në familje, durojnë dhe atë plak idiot në atë ndërtesë. Ato janë tipike gratë shqiptare të heshtura, që nuk e denoncojnë dhunën, që nuk flasin për të, që e quajnë detyrë të burrit të shtëpisë të bëjë gjithçka. Janë fytyra e padukshme e dramës së grave shqiptare të Shqipërisë tradicionale mashkullore, që ia cakton vetë fatin gruas, para se ajo të marrë në dorë fatin e saj.

Është kjo asyeja, që sot në Kuvend Berisha dukej i shëmtuar, jo se fliste para një salle të boshatisur nga gratë që nuk e durojnë dot kur flet, por se fliste para grave të dhunuara të të tij, që janë të detyruara ta durojnë kur flet. Kjo është prova më e rëndë për paburrërinë e tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button