Deputetët e vlerësojnë të zbehtë raportin e Këshillit të Prokurorëve

Këshilli i Prokurorëve shpalosi sot punën e saj një vjeçare për vitin 2013 para deputetëve të Kuvendit.

Deputetët e vlerësuan të zbehtë dhe pa të dhëna të duhura analitike raportin e Këshillit të Prokurorëve.

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve,  Kostadin Kizov, pranoi mungesën e të dhënave analitike, por tha se raporti tregon në mënyrë statistikore aktivitetet e Këshillit për vitin 2013. Raporti fliste për numrin e prokurorëve të emëruar dhe shkarkuar, numrin e masave disiplinore ndaj prokurorëve, për situatën kuadrovike me prokurorët dhe për gjendjen financiare të këtij institucioni.

“Numri i përgjithshëm i Prokurorëve për vitin që raportojmë është 257 prokurorë, nga ku 80 % janë maqedonas, 16.36 % shqiptarë, 0,49 % turq, 0,93 % serb, 0,93 % vlleh dhe 0 % romë. Këshilli për Prokurorë Publik gjatë 2013 ka shqyrtuar 120 ankesa qytetarësh të cilat janë zgjidhur të gjitha”, deklaroi Kostadin Kizov, kryetar i këshillit të Prokurorëve publik.

Ndërkohë deputeti Pavle Trajanov shfaqi shqetësimin për mos-transparencën e punës së Këshillit të Prokurorëve.

“Më duhet të theksoj se puna e Prokurorëve Publik, në tërësi është jo-transparente. Ne pra, Parlamenti nuk kemi qasje se çfarë ndodh atje, se si i kryejnë ata kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore. Ndërkohë, ata kryejnë një funksion shumë të rëndësishëm, ndjekin dhe zbulojnë krimin dhe kriminelët”, tha Pavle Trajanov, deputet i LD-së.

Paraprakisht Kuvendi kishte miratuar edhe raportin për punën e Këshillit Gjyqësor për vitin 2013.

Lajme të ngjashme

Back to top button