Didi mbledh policinë: Operacioni në Lazarat do të vazhdojë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, i shoqëruar nga drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër Haki Cako, ka zhvilluar një takim falënderimi me efektivët e policisë që morën e vazhdojnë të marrin pjesë në operacion në Lazarat.

Në këtë takim ishin të pranishëm Prefektja e Qarkut Zamira Rami, përfaqësues të komunitetit të biznesit, përfaqësues të institucioneve si dhe ishin të pranishëm përfaqësues të komunitetit të Lazaratit.

“Ju falënderoj për këtë operacion tejet të vështirë, për kurajën dhe guximin, por mbi të gjitha për gjakftohtësinë dhe dashamirësinë që treguan ndaj komunitetit të thjeshtë të Lazaratit. Edhe pse ju u sulmuat me të gjitha llojet e armëve, ju treguat profesionalizëm, treguat humanizëm duke bërë më të mirën, dhe vetë faktet e tregojnë këtë.

Ju të gjithë së bashku i dhatë një fytyrë të re policisë, fituat besimin e humbur prej kohësh në komunitet, e tek ndërkombëtarët. Ky operacion tregoi më së miri se ku ka mobilizim, ku ka seriozitet dhe vendosmëri, policia funksionon si një skuadër dhe rezultatet janë të prekshme për të gjithë”, theksoi ai.

Kreu i Policisë së Shtetit u shpreh se operacioni do të vazhdojë. “Ne do të vijojmë operacionin në Lazarat për të garantuar rendin dhe qetësinë për banorët e këtij fshati si dhe më pas për të aplikuar të gjitha metodat e policimit në komunitet edhe në këtë pjesë të komunitetit siç po i aplikojmë në çdo cep të territorit të vendit”, vijoi. /Start/

Lajme të ngjashme

Back to top button