Ditar Ramazani-6

Shpesh herë ndalem dhe kujtoj rreth problemeve që kanë popuj e shtete të ndryshme. Kalojnë vite e dekada të tëra, problemet e tyre nuk zgjidhen. Vjen një moment kur patjetër duhet të heqësh dore prej diçkaje të drejtë, tënden, për të zgjidhur një problem ose për të realizuar një ëndërr.

Shumë shtete në botë kanë probleme ndërmjet veti. Kroacia kishte problem me Slloveninë, Maqedonia ka problem me Greqinë, vet Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës është ndërtuar si shtet mbi baza të problemeve. Pastaj edhe në vet këto shtete e shtete tjera që si përmenda ke probleme të brendshme, të pazgjidhura që në bazë të disa rregullave të shkruara ose pashkruara nuk mund të zgjidhen. Qëllimisht ruhet kjo pozitë e pazgjidhur për t`u ushqyer ujku i madh. Qëllimisht nuk mund të zgjidhen kryetar të ndryshëm, për të mos qenë funksionale shtetet e tyre. Dhe vëmendja e lexuesit bie menjëherë në kundërshtim me titullin ‘ Ditar Ramazani’.

Mendoj se e dhunojmë mendjen nëse mendojmë se besimtari nuk guxon të mendoj rreth problemeve të ndryshme të shteteve të ndryshme në botë dhe zgjidhjen që jep Islami ose sheriati për këto gjëra. Ky ligj nuk është utopi ose i pamundshëm në vetvete përderisa ka qenë funksional me shekuj të tërë në të katër anët e globit.

Është bërë bozë e folura rreth sheriatit, pa mos ndjerë praninë e saj në jetën tonë të përditshme. Dikujt i duket mision i pamundshëm, ndërsa realisht ai është prezent në jetën tonë. Definicion më i mundshëm i sheriatit është zgjidhja e problemeve të ndryshme në rruzullin tokësor pa mos cenuar të drejtën e asnjërit dhe duke mos u bazuar në ligjin e më të fortit.

Sot, fatkeqësisht të gjitha problemet po rrjedhin prej ligjit të më të fortit ose të peshkut të madh që po ha peshkun e vogël. I forti e bën ligjin, kështu thanë njerëzit e kësaj kohe. Ndërsa njerëzit e kohëve të kaluara thoshin se i urti e bën ligjin.

Forca vendos rend e rregull në botë, ndërsa ligji duhet të jetë drejtësia universale midis njerëzve dhe popujve të ndryshëm.

Njerëzit e kufizojnë veten dhe konceptet e ndryshme vetëm për një kohë të caktuar. Si për shembull, koncepti i bujarisë, nuk ka kuptim vetëm gjatë muajit Ramazan. Ai koncept duhet të jetë prezent në jetën e besimtarit edhe pas këtij muaji dhe deri në përfundim të jetës. Myslimanët obligohen që t`i ndihmojnë të varfrit dhe të kujdesen për drejtësinë sociale në rrethet ku jetojnë.

Ka detyra ose kushte fetare të vendosura për myslimanin e që kanë të bëjnë drejt për drejtë me drejtësinë sociale. Zekati, sadakatul fitri, therja e kurbanit, sadakatë e ndryshme janë vetëm një pjesë e këtij sistemi të drejtësisë sociale.

Paramendo të liheshin në harresë jetimët, ose fëmijët pa prindër edhe prej besimtarëve, si do të dukeshin problemet, të zgjidhura ose të pazgjidhura? Është njëjtë sikur me problemet midis shteteve.

Ligji i më i fortit vendos mbi më të dobëtin dhe mundohet të zhduk kategorinë e jetimëve nga faqja e dheut. Ndërsa sistemi i drejtësisë, rregullon raportet njerëzore dhe kujdeset për kategorinë e jetimëve, rregullon raportet familjare për të mos u shtuar kjo kategori dhe qetëson zemrat e njerëzve të ndryshëm.

Drejtësia është qetësi, ndërsa padrejtësia gjithmonë zhgënjim.

Lajme të ngjashme

Back to top button