A mbetet Amerika toka e premtuar?

Paniku me të cilin u trajtua recesioni i madh i vitit 2008 në mbarë botën, por sidomos në SHBA ishte faktori kryesor që ndikoi që ky recesion të thellohej akoma më tepër gjatë viteve në vijim. Njejtë si ndodhi në 1929, paniku i krijuar në opinion dhe në tregjet financiare të vendeve të zhvilluara krijoi një spirale të rrezikshme e cila katalizoi rënimin e të gjitha tregjeve, mbylljen e shumë bizneseve dhe bankrotimin e panumërt bankave. Në këtë kohë regulacioni për sistemet financiare ishte akoma në zanafillën e vet, gjatë vitit 1930 – kur Depresioni i madh morri hovin e vet pas atij 29 Tetorit të 1929-ës, vetëm në SHBA bankrotuan mbi 1300 banka të vogla dhe ky trend vazhdoi gjatë gjithë viteve ’30.

Duke mësuar nga gabimet e viteve pararendëse të Depresionit të madh, në Amerikë administrata politike filloi të krijojë regulacion pas regulacioni me qëllimin fisnik të vënies frena kapitalizmit të shfrenuar dhe lakmisë së konglomerateve financiare dhe korporatave të mëdha. Por fatkeqësisht, lakmia njerëzore është ves i cili nuk mund të rregullohet as me ligje, e as me rregullativa ekonomiko-financiare. Ciklet ekonomike dhe krizat e mëdha janë pjesë e pandashme e kapitalizmit. Ato janë mënyra më e mirë e kapitalizmit për të spastruar elementet e këqija dhe të dobëta. Fatkeqësia është se këto spastrime bëhen në kurriz të shtetit, rrjedhimisht të qytetarëve të thjeshtë.

Në vazhdë të këtij paniku legjislativ, në vitin 2010 në SHBA u aprovua ligji i taksimit të të gjithë qytetarëve amerikanë në mbarë botën. Ky ligj njihet me emrin e shkurtër FATCA, dhe u proklamua si mënyrë për të sjellë tatime më të mëdha nga ekspatriatët amerikanë që punojnë anekënd botës. Lexuesit duhet të kuptojnë që SHBA-të janë vendi i vetëm i madh në botë që tatimon të hyrat e qytetarëve të vet kudo që ato mund të punojnë dhe të krijojnë të hyra. Qëllimi i FATCA-s është që të sigurojë administratën tatimore amerikane – IRS – që asnjë cent i fituar nga qytetarët amerikanë jashtë shtetit nuk do të mbetet i patatimuar nga shteti amerikan. Ky ligj detyron bankat, fondet dhe institucionet tjera financiare (deri ku lejojnë ligjet vendase të privacisë) në mbarë botën të kenë më shumë në kujdes asetet dhe të hyrat e klientëve të tyre amerikanë, përndryshe mund të përballen me gjoba marramendëse. Deri më tani numri i institucioneve financiare që kanë implementuar sistemin FATCA që nga 1 korriku i këtij viti – pra që pardje, numëron mbi 77.000. Pra në njëfarë mënyre SHBA po bëjnë një outsourcing të administratës së tyre financiare. Një ide briliante, nëse do të funksiononte ashtu siç duhet. Kuptohet akoma është herët për të komentuar suksesin e këtij sistemi.

Pse është kjo e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë? Po sepse me definicion ligjor, si të prekur nga FATCA përveç qytetarëve amerikanë, janë edhe të gjitha ata të cilët kanë green-card amerikane. Nuk kam informacione të sakta, por jam i sigurtë që numri i qytetarëve të Maqedonisë që janë mbajtës të kartës jeshile është goxha i madh.

Amerika gjithmonë është konsideruar si Toka e premtuar nga emigrantët e mbarë botës si shpresa e tyre për të nisur një jetë të re dhe për të krijuar një të ardhme të denjë për fëmijët e tyre. Një të ardhme të cilën për arsye të ndryshme nuk e gjenin në vendin e vet. Por jo vetëm si rezultat i krizës financiare që dërrmoi për një kohë të gjatë ekonominë amerikane, por edhe si rezultat i një dobësimi të dukshëm të pozitave amerikane dhe imixhit të saj si shtet i cili mbron të drejtat dhe liritë e mbarë botës – joshja amerikane po humbet dita ditës. Këtë e them me fatkeqësi të madhe, duke qenë se konsideroj veten si simpatizant të mënyrës amerikane.

Kam frikën që nëse SHBA bien viktimë e vetvetes dhe nuk ngrihen sërish në një fuqi të vërtetë botërore ashtu siç njiheshin deri para disa viteve, nëse vazhdojnë të mbyllen në vetvete përkundër natyrës së tyre gjithpërfshirëse, nocioni i Amerikës si toka e premtuar do të mbetet vetëm një kushtrim i mbytur nga e kaluara. Atëherë çka do të mbetet për ne të mjerrët e kësaj ane të globit?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button