Rritja e çmimeve shkakton revoltë: Pse nuk rriten pagat?!

Rritja e e çmimeve të rrymës elektrike, bukës, karburantit dhe ujit në disa vendbanime, si dhe shumë produkteve tjera ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te qytetarët.

Ata kërkojnë që nëse çmimet rriten, të rritet edhe paga mujore si dhe ndihmat sociale që i marrin ato familje anëtarët e të cilave janë të papunësuar.

“Janë çmendur fare. Nuk ju kujtohet të rrisin pagat po çmimet i lëvizin ­çdo vit. Nuk kemi kushtet nuk mund t’i përballojmë harxhimet. Në familjen time pesë anëtarëshe punoj vetëm unë dhe pagën që marr në muaj është minimale. Nuk di se si do ta përballojmë këtë, do ngelemi pa bukë, do i hamë faturat”, tha Bedri S., nga Shkupi.

“Është kohë e vështirë, jemi dëshmitarë që në Maqedoni po mbizotëron në krizë e thellë ekonomike dhe faj për këtë kanë përmendoret e Gruevskit dhe të Shkupit 2014, me të hollat tona janë paguar ato plus është marrë hua, dhe tani normal që duhet të kthehen. Populli gjithmonë ka qenë viktimë dhe gjithmonë do të jetë”, tha Zllatko T., po ashtu nga Shkupi.

Ekonomisti dhe profesori universitar Abdylmenaf Bexheti, vlerëson se rritja e çmimeve nuk është e logjikshme për një shtet ku 80 për qind e popullatës është e varfër.

“Kësaj radhe rritje të çmimeve pësuar gjërat elementare të cilat janë të nevojshme për jetesë. U shtrenjtua rryma, buka si dhe produktet tjera që janë të nevojshme për njeriun. Çmimet e reja godasin fuqishëm standardin jetësorë dhe më të prekurit janë shtresa e mesme dhe ajo e varfër. Kurse në vendin tonë mund të themi se 5 për qind janë të pasur, 15 shtresa e mesme si dhe 80 përqind shtresë e varfër, andaj kjo do të pasqyrohet dhe do të ndjehet mjaft rënd në shtresën e fundit”, tha për Portalb Bexheti.

Ai shtoi se ata që janë të pasur as nuk do ta ndjejnë rritjen e çmimeve por për të varfrit kjo do të thotë zvogëlim i kafshatës së gojës.

“Shpresoj që kjo gjë të rregullohet të kë shqyrtohen mirë rritjet e çmimeve, sepse klasa e pasur e ka lehtë, as që e ndjen, mirëpo klasës së mesme dhe të ulët po i reduktohet kafshata e gojës”, shtoi Bexheti.

Lajme të ngjashme

Back to top button