Si do të ndikojë Botërori në ekonominë e Brazilit?

Tifozët e futbollit po kënaqen me Kampionatin Botëror, i cili po i afrohet fazës përfundimtare, ndërsa autoritetet braziliane po kënaqen mbi fitimet që turneu është duke i sjellë ekonomisë së vendit. Megjithatë, analistë të pavarur që studiojnë ngjarje të tilla janë më pak entuziastë.

Ekonomia e Brazilit ka përfituar rreth 15 miliardë dollarë nga Botërori i këtij viti dhe kampionati ka krijuar shumë vende pune, sipas kryetarit të bordit të turizmit, Embratur, Vicente Neto:

“Numrat janë të jashëzakonshëm: janë krijuar një milion vendeve pune si rezultat i botërorit, një milion vende pune është e barabartë me 15 për qind të të gjitha vendeve të punës të krijuara këtë vit në Brazil.”

Qeveria ka investuar 11 miliardë dollarë në stadiume dhe infrastrukturë dhe 2 miliardë të tjerë për sigurinë. Po ashtu ajo pritet të shpenzojë miliarda të tjerë për Lojrat Olimpike të vitit 2016 në Rio.

Mirëpo një analist i aktiviteteve të kësaj natyre, profesori për arkitekturë dhe urbanistikë në Universitetin Federal Fluminense të Rio de Zhaneiros, Chris Gaffney, beson se këto shifra janë të ekzagjeruara.

“Nuk mendoj se kanë investuar para të mjaftueshme për të krijuar vende pune të përhershme. Sipas shkallës së ekonomisë së Brazilit, nuk është investuar diçka e madhe. Janë 30 miliardë dollarë në një ekonomi prej 1 trilion dollarësh.”

Gaffney beson se një numër i vogël brazilianësh përfitojnë nga paratë e shpenzuara.

“Botërori dhe Lojrat Olimpike janë pjesë e një modeli biznesi i cili lëviz lirshëm nga njëri vend në tjetrin, që përdor interesat e elitave lokale politike dhe ekonomike nga të cilat përfitojnë korporatat ndërkombëtare.”

Analistë të tjerë thonë se Botërori mund të ndihmojë ekonominë e Brazilit, por nga ana tjetër ai rrit inflacionin dhe borxhin publik.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, më pak se gjysma e brazilianëve besonin se organizimi i Botërorit atje ishte ide e mirë. Ka patur shumë demonstrata kundër kampionatit, por ato janë pakësuar që nga fillimi i tij. Megjithatë, shumë brazilianë ndihen krenarë të jenë vendi mikpritës për Botërorin dhe 600 mijë vizitorët e huaj që kanë shkuar atje. Shpresa është se ata do të përhapin fjalën e mirë për Brazilin, sapo të kthehen në vendet e tyre./voa

Lajme të ngjashme

Back to top button