Greqia nis kërkimet për naftë në det, përfshihen edhe ujërat shqiptare

Greqia ka vënë në dispozicion 20 zona për kërkimin e naftës dhe gazit në detet e saj. Sipas Ministrisë greke të Energjetikës, së cilës i referohet gazeta greke “To Ethnos”, janë 225.000 kilometra katrorë të ndara në 20 kuadrate të cilat do të tenderohen brenda pak ditësh.

“Ethnos” shkruan se janë 20 kompanitë ndërkombëtarë të naftës që kanë kaluar në fazën përfundimtare të përzgjedhjes. Midis tyre renditen gjigantët “BP”, “Exon Mobil”, “Chevron”, “Stat Oil” etj.

Zv.ministri përgjegjës për cështjet energjitike në qeverinë greke, Janis Manjatis u shpreh optimist për ritmin e shpejtë me të cilin kanë përparuar procedurat e tenderimit. Sipas tij Greqia fsheh në nëntokën e saj sasi të mëdha nafte dhe gazi. Këto rezerva llogariten në afro 20 miliardë euro përfitime për Greqinë në 20 vitet e ardhshme dhe njëkohësisht e kthejnë vendin në një ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në rajon.

Pala greke është tepër optimiste për kërkimet e deri tanishme. Sipas saj, ka shenja të qarta se në shumë prej zonave që do të tenderohen, ka rezerva të mëdha nafte. Optimizmi i palës greke shtohet edhe për faktin se në zonën Jugore, pranë Qipros janë gjetur rezerva të mëdha gazi, kurse zona veriore të saj, pikërisht në ishujt e Jonit, fillon shtresa naftë-mbajtëse e Patos-Marinzës.

Ajo që bie në sy në hartën e publikuar prej ministrisë greke të energjisë është fakti që kuadrati numër 1 dhe një pjesë e kuadratit 2 ndodhen pikërisht në zonën aq shumë të debatueshme midis Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo zonë, sipas kufijve të vjetër detarë dhe që ende janë në fuqi bën pjesë në zonën ekskluzive ekonomike të Shqipërisë, por me paktin e firmosur prej qeverisë Berisha i kalojnë Greqisë. Marrëveshja ishte midis qeverisë Berisha dhe Karamanlis,por që u hodh poshtë prej Gjykatës Kushtetuese shqiptare.

Ndonëse kjo marrëveshje nuk ka asnjë fuqi juridike duket se pala greke nuk ka rënë dakord me verdiktin e Gjykatës shqiptare. Madje në të gjitha nivelet Athina zyrtare ka bërë me dije se pret nga Tirana zyrtare implementimin e kësaj marrëveshje ose në rastin më të mirë një tjetër marrëveshje me të njëjtat terma. Madje, pak orë pas marrjes së statusit prej Shqipërisë, ka qenë ministri grek i jashtëm, Evangjelos Venizelos që i ka kërkuar Tiranës se Greqia ka ndihmuar në dhënien e statusit, por Tirana duhet të plotësojë një sërë detyrash, ku midis të tjerash renditi edhe ratifikimin e shelfit ndërkombëtar me Greqinë. /TCH/

Lajme të ngjashme

Back to top button