“Monstra”, dhe lufta ndaj terrorizmit imagjinar në Maqedoni

Me datën 29 qershor, dita e dytë e muajit të shenjtë të Ramazanit, si pikënisje i këtij muajit shumë me vlerë nga besimtarët e konfesionit islam ku çdokush dëshiron ta kalon me të afërmit e tij, ne dje dëgjuam një lajm shumë shokues. Helmi që gjykata e Republikës së Maqedonisë, ua lëshoi shqiptarëve në iftar nëpër sofra, ishte vendimi i saj i shumë pritur në lidhje me rastin “Monstra”, ku prej shtatë të arrestuarve, gjashtë u dënuan me burgim të përjetshëm.

Të gjithë u tmerruam nga ky vendim idiot, dhe është shumë e dhimbshme gjendja e familjareve të tyre, të cilët po përjetojnë një ankth kur shohin se si po dënohet familjari i tyre padrejtësisht. Siç po shihet, prej kur u arrestuan viktimat qe dy vite, autoritetet e këtij shteti që udhëhiqen nga banda mafioze, me ish-klysha të UDB-së, që nuk ja duan të mirën këtij shteti, që nuk kursejnë asgjë për të arritur qëllimet e tyre, ata paskan qenë shumë të angazhuar për të marrë një vendim të tillë, pasi që vendimi duket shumë “logjik” dhe shumë “profesional”. Ndoshta është dhe “profesional” në krahasim me nivelin e qëndrimit të qytetarëve për udhëheqjen e këtij shteti, të cilët e dëshmojnë këtë me mos denoncimin e tyre ndaj marrëzirave të tilla. Vet fakti që partitë pozitare fitojnë shumicën e votave në çdo mandat, tregon se vet ne jemi fajtorë. Ata cinikët që morrën atë vendim për burgim të përjetshëm, që janë pjesë e çdo pushteti aktual rreth globit, nuk bëjnë hesap as familjarët e tyre kur bëhët fjalë për para apo ndonjë urdhër nga lartë. Ata gjinden çdokund rreth botës, mirëpo në një shtet të vogël si Maqedonia, pasojat janë shumë të mëdha, ku bandat mafioze të legjitimuara nga Gruevski dhe Jankulloska, ia kanë zënë frymën qytetarëve me kërcënime dhe shantazhime. “Monstra” nuk është as rasti i parë por dhe as i fundit, dhe ndërkohë që shqiptarët vetë e kanë legjitimuar këtë sistem persekutues, atëherë telashet e shumta neve na presin.

Një ditë pasi ndodhi rasti i montuar “Monstra”, Gordana Jankullovska deklaroi se: “vrasësit janë profesionistë”, kurse pas disa ditëve, ne pamë duke u arrestuar disa fshatarë, gra dhe njerëz të varfër. Autoritetet tona si “ekspertë” që janë me mjetet e tyre shumë të “avancuara”, i kapën ata menjëherë. Përveç se i kapën, ata ekspozuan se ata paskan qenë dhe terroristë, dhe se vrasja ndaj pesë të rinjëve maqedonas në Smilkovci, ishte me implikime fetare. Pra, ata u akuzuan si terroristë islamikë, dhe me dëshmitë që ata u mbronin për akuzën ndaj tyre, ishte se në shtëpitë e tyre, u gjetën Kurane, libra të ndryshme fetare, këngë të Gold AG’së dhe hamendësi të tjera se kinse ata paskan luftuar më parë dhe në Afganistan.Truri i shëndoshë nuk i pranon si të mjaftueshme këto “dëshmi”, për këtë arsye, për kuriozitetet e qytetarëve, Ministrja e Punëve te Brendshme, Gordana Jankullovska u ftua në emisionin “Rruga e drejtë” me Muhamed Zeqirin. Në një debat të gjatë, ndër tjerash ajo u pyet disa herë: “mbi çfarë e bazoni akuzën tuaj ndaj të pandehurve”, ajo përgjigjej se: “ne i kemi dëshmitë, mirëpo nuk mund t’i bëjmë publike”, ai e pyeti përsëri se ku i keni dëshmitë, dhe se nuk ka nevojë të fshihen ato. Ajo u pyet për etiketimin ndaj tyre si “terroristë islamikë”, dhe për këtë nuk morrëm përgjigje, njëashtu dhe për pyetjen tjetër në lidhje me Haki Hazirin, i cili u paraqit si deshmitar okular në lidhje me vrasjen e pesëfishtë, por më pas u zhduk për disa ditë, dhe kur u rikthye u akuzua si pjesëtar i krimit, i cili është një prej gjashtë të denuarve me burgim të përjetshëm. Këto “dëshmi” janë përralla me mbret. Justifikimin që po e përdor Jankullovska për arrestimin e tyre, është i njejtë me justifikimin që përdorin shovinistët serb për vrasjen e shqiptarëve te Kosovës, por këtë justifikim e përdorën dhe amerikanët në luftë me afganët dhe irakienët. Kjo luftë kundër “terrorizmit islamik”, është një mit, që sa më shumë i mëshohet aq më shumë fryhet. Lufta ndaj saj është ajo që e nxit më së shumti terrorizmin. Mirëpo gjithçka ka një sfond politik, për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore.

Përmendja e përkatësisë religjioze në një krim, është një manipulim shumë i poshtër që përdoret shumë shpesh. Ndonjëherë qëllimisht ndonjëherë nga padituria. Po të ishin ata me të vërtetë autorët e krimit, ne nuk do të kishim asnjë arsye për t’i përkrahur ata. Krimi duhet të dënohet, pa marrë parasysh se a i përkasin fesë dhe nacionalitetit tonë. Prokurorja publike Gordana Geshkovska, para një muaji deklaroi se motivimet e të dyshuarve ishte bindja anti-krishtere dhe anti-maqedonase, dhe se këtë mesazh e kishin lënë në vrasjen e tyre. Dy Gordanat i kanë qëndrimet e njejta në lidhje me këtë rast, ku këta si njerëz të “shkolluar’ dhe “ekspertë” në këtë lëmi japin kësi lloj deklarime, atëherë gjithçka pritet nga qytetarët e thjeshtë, të cilët shumë lehtë mund të ndikohen mbi baza emocionale, duke nxit konflikte ndëretnike por dhe ndërfetare. Akuzimet e tyre bazohen mbi shpifje dhe përralla, nuk kanë asnjë fakt në dispozicion, mirëpo meqenëse ata jetojnë në kohën e demokracisë dhe kapitalizimit, ku abuzimi nga partitë politike është masiv, ata shpëtojnë lehtë. Vjedhja e popullit është kthyer në një gjë normale, si rezultat i frikës që kanë mbjellë mbi qytetarët nëse ata reagojnë kundër tyre, dhe ata janë të detyruar të ambientohen dhe të aktrojne si budalla kinse nuk i shohin të zezat e tyre. Adashja e Jankullovskës, me deklaratën e saj ajo indirekt dëshiron të tregon se ne po hakmirremi ndaj tyre në muajin e Ramazanit, meqenëse edhe ata na e sulmuan fenë dhe kombin.

Pra, këtu kuptohet qartë se egoja e tyre në lidhje me vendimin, është thjeshtë një reagim emocional, dhe tregon një rezistencë të hapur ndaj provave dhe argumenteve, më anë të së cilave duhet realisht të veprohet. Ata kështu vetëm se e përhapin segregimin e shoqërisë mbi baza etnike dhe fetare, izolimin e saj, dhe në këtë mënyrë shqiptarët dhe maqedonasit e shohin njëri tjetërin si hasëm, dhe kur të takohen nëpër rrugë ata të rrihen. Të njejtën metodë e përdorën dhe paraardhësit e tyre “komitët”, në fillim të shekullit 20-të, kryesisht nga viti 1903, të cilët përhapnin shpifje tek të krishterët, se kinse turqit mallin që e sjellin për ta shitur këtu, si bozë dhe duhan, ata e përziejnë me helm prodhimin me qëllim për t’i helmuar të krishterët.

Kjo shpifje përhapej gjatë muajit të Ramazanit, ku muslimanët nuk pinin dhe nuk hanin për më shumë se gjysmën e ditës, dhe kjo përdorej si argument, se ja muslimanët nuk i konsumojnë ato sepse e dijnë që prodhimi është i helmuar. Kështu përçaheshin muslimanët me krishterët para më shumë se 100 viteve, por dhe sot qeveritarët tanë i përçajnë në baza fetare por dhe në baza etnike. Dhe këtu vështirësohet puna, sepse tendencat për përçarje vijnë nga kënde të ndryshme. Fajtorë kryesorë për këtë janë si partitë shqiptare por dhe partitë maqedonase, të cilët ushtrojnë nacionalizëm tek simpatizantët e tyre, në vend se t’i këshillojnë për paqe dhe harmoni, që ata vrasjet e tilla, incidentet dhe konfliktet e ndryshme t’i shtrojnë me racionalitet, duke mos poshtëruar një komb tjetër. Por partitë qeveritare nuk guxojnë të veprojnë kështu, sepse për t’ua mbushur syrin qytetarëve që t’i votojnë përsëri, ata abuzojnë me komb.

Kundër naivitetit të këtij aktvendimi, reaguan avokati mbrojtës Naser Raufi, si dhe Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari, duke e trajtuar këtë vendim si të kotë dhe jo valid. Nuk është dhe çudi nëse eskalon situata dhe më tepër.Tendencat mizore të autoriteteve tona, po shkaktojnë dëme të mëdha. Ata po e shkatërrojnë dhe ardhmërinë e këtij shteti, rininë. Pas të gjitha konflikteve që ndodhin, qëndrojnë këta maskarenj. Ata nxitën në konflikte shqiptarët dhe maqedonasit në Kalanë e Shkupit, në Radishan, në Gjorqe Petrov, dhe shumë incidente të tjera. Vlenë të permendet dhe rasti në Çair, ku disa maqedonas me fytyra të mbuluara, ku ishte e qartë se ishin njerëz të paguar, të cilët kërcënuan një fëmij që ta puth kryqin duke e prerë me thikë. Djegja e xhamisë në Prilep, imponimi i një kishe në mes të një mjedisi musliman në Kalanë e Shkupit, ndërtimi i një kryqi gjigand në lagjen Aerodrom dhe mos lejimi i ndërtimit të një xhamie në atë lagje, mbrojtja ditë e natë ndaj statujes së Car Dushanit, një krimineli ekstremist ortodoks, rrahja e shqiptarëve nga huliganët maqedonas mbi parrullat “shqiptar i mirë shqiptar i vdekur”, tallja me islamin në Vevçani në 2012, prerja me thikë ndaj një fëmije të pambrojtur duke e detyruar ta puth kryqin dhe shumë sulme të tjera ndaj shqiptarëve dhe muslimanëve, mendoj se janë fakte më të logjikshme se faktet e “gordanave”, që ne ta denoncojmë “terrorizmin ortodoks” ashtu siç sulmuan dhe ata islamin.

Për tju treguar harbutëve të tillë, se ne muslimanët jemi tolerantë dhe nuk jemi terroristë, do të duhet ta përmend faktin se ke një numër të madh lagjesh ku pjesa dërmuese janë musliman, dhe aty ke kisha, dhe besimtarët e krishterë nuk diskriminohen.

Ky vrull kundër “terrorizmit islamik”, që po shfaqet në Maqedoni, por dhe në Kosovë dhe Shqipëri, është një qasje shumë selektive, e cila përdoret për t’i hutuar qytetarët dhe për ta shpërqendruar vëmendjen nga dështimet e pushtetarëve. Pushtetarët tanë shqiptarë në Maqedoni, që deri dje na thonin mos votoni për kryetar, duke na genjyer se ai nuk do të ishte legjitim dhe në këtë menyrë ata do ta rrëzonin kryetarin aktual Gjorgje Ivanov, edhe rasti “Monstra” do të kalon me mospërfillje nga ta. Ata nuk bënë asgje edhe në lidhje me incidentin e Radishanit, ku disa nga familjarët u shpërngulën nga shtëpia e tyre për shkak dhunës së ekstremistëve të VMRO-së, ata nuk ndërmorën asgjë edhe për incidentet në Gjorqe Petrov, por tani edhe në lidhje me rastin e “Monstrës” ashtu sic e anashkaluan para dy viteve, ata edhe sot nuk inicojnë asgjë për t’i ndihmuar shqiptarët që po akuzohen për diçka që nuk e kanë bërë. Ata që shpërbënë Jugosllavinë, me siguri kanë punë më të “mëdha” dhe më “serioze”, prandaj nuk mirren me këto “imtësira”. Ata nuk ndërmorën asgjë as në lidhje me rastin e “Sopot”-it, ku kemi shumë fakte dhe shumë deshmitarë okular për zbardhjen e atij rasti, mirëpo askush nga pushtetarët shqiptarë nuk dhanë mund në këtë drejtim.

Arrestimi i 20 shqiptarëve të pafajshem para dy viteve, pati një reagim të madh, ku shqiptarët muslimanë u ndien të fyer nga arsyja e arrestimit te tyre, e cila ishte një skandal i vërtetë. Diku mbi 20.000 protestues u nisën pas namazit të xhumasë nga lagjja Çairçanjë, të cilët më pas marshuan deri tek qeveria duke brohoritur se “ne jemi muslimanë e jo terroristë”, “stop proçeseve të montuara”, dhe ndër tjerash, ata thonin dhe “poshtë Ali tradhëtari”, ku në rikthim për në Çairçanjë, ata rrëzuan dhe posterin e tij në Bit Pazar, dhe më pas duke sulmuar me gurë Komunën e Çairit. Shqiptarët po zhgënjehen çdo ditë e më shumë nga partia që i përfaqëson ata, ku ajo parti sikur vet e kërkon anarkinë dhe luftën qytetare. Për t’ju shpëtuar zemerimit të shqiptarëve Ali Ahmeti, do të jep “fetva” përsëri, ku rradhën e kaluar tha se unë e kam shpërbërë Jugosllavinë, kurse këtë rradhë ndoshta do të thotë se ai e ka shpërbërë nacizmin dhe Hitlerin, ose do ta paguajnë Sabri Fejzullahun që t’ju këndon këngë përsëri. Kurse fjalimi i Nikolla Gruevskit se do të kujdeset për shqiptarët, është mashtrim klasik i elekroratit, i njejtë me këta të tanët që ua kemi mundësuar të na udhëheqin.

Deputeti Rafiz Haliti, duke u munduar ta mbroj imazhin e partisë së tij, ai tha se BDI-ja do të angazhohet që gjykimi i të panderhurve të bëhet në bazë të provave dhe argumenteve. Njëashtu si do të angazhohen për integrimin në NATO, do të angazhohen edhe për këtë çështje, mirëpo shanset për realizmin e tyre janë një pikëpyteje e madhe. Autizmi i disa aktivistëve të BDI-së, si lëvizja qytetare “ZGJOHU”, me reagimet e tyre në lidhje me “Monstrën” janë një ambig i vërtetë. Tani që nuk realizuan premtimet e tyre në lidhje me shkarkimin e “kryetarit jo legjitim”, tani ata kërkojnë shkarkimin e Geshkovskes, nesër shkarkimin e Putinit, dhe kështu shkojnë këto punë një nga një. Nxitimi i autoriteteve të trullosura në Maqedoni, për arrestimin e terroristëve është një veprim që ngjall skepticizëm të populli se, a janë normal me trurin njerëzit që i përkrahin këta apo ajo? Para disa muajve dëgjova një rast ku një djalosh i ri shqiptar, u rrah barbarisht nga disa policë në Shkup, ku më pas i kërkuan falje duke i thënë: “menduam se je terrorist”. Këto mendime të stonuara janë terrori i vërtetë. Terroristë janë ata të korruptuarit, si Nikolla Gruevski, i cili ia shiti “Makedosnka Banka” biznismenit serb Nini. Terroristë janë ata që qëndrojnë pas incidenteve si ajo në Gjorqe Petrov, Radishan, Kalaja e Shkupit, rrahjet nëpër autobusë, e të tjera. Terroristë janë ata që ua vështirësojnë jetën edhe më shumë veteranëve të luftës, si Komandant Malishevës, Komandant Hoxhës, duke ju lëshuar fletarreste nga vet shqiptarët që janë në pushtet në Maqedoni, ndërkohë ky i fundit ka fletarreste edhe nga autoritetet serbe.

Ky hall që na ka kapluar na jep mesazhin se nesër nuk dihet se kush është viktima e rradhës, dhe shqiptarët nuk janë të vetëdijshëm se çfarë faktori ka rrethimi i një numri në ditën e zgjedhjeve, ku me atë veprim ata vulosin autorizimin e skandaleve, diskriminimeve, diskreditimeve të vëllezërve tanë dhe mosinteresimin e mëtutjeshëm për nevojat e shqiptarëve. Aq më shumë që forcohen ata, aq më shumë dobësohen dhe skllavërohen shqiparët E lusim Zotin që të dërgon mëshirë në këtë muaj të shenjtë, që t’ju ndihmon vëllezërve tanë të dënuar pa faj.

Lajme të ngjashme

Back to top button