QMBI: Gjyqësia nuk ofroj prova për rastin “Monstra”, drejtësia të kërkohet në Strazburg

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) shpreh shqetësimin e vet në lidhje me vendimin e gjykatës për të dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për rastin “Monstra”, proces ky i cili që nga fillimi u shoqërua me një varg shkeljesh të drejtave të njeriut dhe me thyerjen e parimit të vendosur juridik të prezumimit të pafajësisë, nga ana e vet zyrtarëve të lartë shtetërorë.

“U deshën të kalojnë më shumë se dy vjet dhe prokuroria sërish të mos arrijë të bëjë një paraqitje bindëse të dëshmive kundër të akuzuarve shqiptarë, për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smillkovë të Shkupit, përkundrazi, të ofrojë disa ‘argumente’ të cilat në asnjë shtet normal nuk mund të llogariten si provë e vërtetësisë së një akti të kryer të këtij lloji.

Në të vërtetë, ky vendim i gjykatës edhe më shumë përforcon bindjen tanimë të fituar, se në Republikën e Maqedonisë kemi të bëjmë me një gjyqësi skajshmërisht të politizuar, e cila assesi të lirohet nga kthetrat e politikës ditore dhe ndikimet politike.

Fitohet përshtypja se gjykata nuk po arrin që vendimet e veta t’i bazojë në prova të mirëfillta dhe dëshmi të paluhatshme, gjë kjo e manifestuar në një sërë procese të kohëve të fundit.

Në këtë mënyrë, gjithnjë e më shumë po humb besimi edhe ashtu i vogël i qytetarëve, posaçërisht atyre shqiptarë, në institucionet e shtetit. Në të kundërtën, mbetet alternativa e vetme që drejtësia të kërkohet në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në Strazburg”, thuhet në reagimin e QMBI-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button