Mbaroi drama Belgjikë- SHBA, Januzaj nuk luajti (VIDEO)

Belgjika e ka kompletuar çerekfinalen, pasi i mposhti Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rezultat minimal, 2:1.

Belgëve iu nevojitën vazhdimet për ta siguruar një vend në mesin e tetë ekipeve më të mira të këtij evenimenti.

Skuadra e Marc Wilmots ka dominuar tërësisht ndaj asaj të Jurgen Klinsmann, duke fituar me plot meritë.

Dominimi i belgëve u shpërblye në vazhdime, kur edhe shënuan dy gola, pasi loja e rregullt përfundoi baras, 0:0.

Të parin e realizoi Kevin de Bruyne me të filluar loja shtesë, më saktësisht në minutën e 93-të, kurse vulë këtij takimi i dha Romelu Lukaku, me golin e shënuar në minutën e 105-të.

Amerikanët u këndellën duke e ngushtuar rezultatin në minutën e 107-të me Julian Green, por kjo ishte e tëra që mund ta bënin.

SHBA-të, përkundër eliminimit, mund të mburren me atë që treguan në këtë eveniment, duke arritur deri në të tetën e finales.

Belgjika, nga ana e saj, e siguroi çerekfinalen për herë të parë që nga viti i largët 1986.

Në çerekfinale, belgët do të luajnë me Argjentinën, e cila disa orë më parë e mposhti Zvicrën me rezultat identik.

Adnan Januzaj nuk është paraqitur fare në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë, pasi trajneri Wilmots i preferoi futbollistët tjerë.

Lajme të ngjashme

Back to top button