Reagime: Rasti Monstra, i montuar dhe planifikuar që moti

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm.

Juristi Osman Kadriu thotë për Portalb, se ky rast tani sa ka filluar, si dhe nuk beson që vendimi do të ngelet i tillë pas ankesave që pritet të bëjë avokati mbrojtës.

“Që nga deklarata e ministres se MPB, Gordana Jankullovska e cila i etiketoi si fajtor të dyshuarit, u la të kuptohet që edhe gjykata do të sjell të njëjtin vendim. Mirëpo me këtë vendim nuk ka përfunduar fati i të akuzuarve, madje mund të them se tani vetëm sa ka filluar procesi gjyqësor. Tani mbetet që të ankohen tek gjykata e shkallës së dytë dhe të kërkohen vendim i prerë dhe i plotfuqishëm për të akuzuarit”, tha Kadriu, jurist.

“Ky vendim nuk do të ngelet i njëjtë, për këtë jam i sigurt sepse kishte shumë mangësi dhe mungesë të madhe të provave dhe dëshmi relevante. Vepra e kryer duhet të dënohet por duhet të dënohet në bazë të fakteve dhe provave që dëshmojnë fajësinë”, tha Kadriu.

Nga ana tjetër, Xhabir Deralla aktivist i të drejtave të njeriut nga OJQ “Civil” bën të ditur për Portalb se ky rast ishte i konstruktuar shumë më herët, nga moment i kapjes së tyre.

“Ky rast më kujton ish Jugosllavinë dhe Maqedoninë e vitit 2001. Institucionet po luajnë me një pikë të ndjeshme e cila mund të shkakton tension të madh ndëretnik. Sidomos partitë shqiptare nuk kanë reaguar asnjëherë lidhur me këtë çështje, nuk them që t’i mbrojnë shqiptarët edhe pse këtë gjë dukshëm nuk e bëjnë, por them të kërkojnë një gjykatë të pavarur dhe të sigurojnë të drejtat e njeriut”, tha Deralla.

Juristi Jeton Shasivari tha për Portalb se i gjithë ky proces gjyqësor nuk i vërtetoi as provat, as fajin e as motivin e vrasjes në liqenin e Smilkovës, por ishte përplot politikë, emocione, montime dhe konstruksione, sikur në kohën e komunizmit jugosllav kur partia shtet përmes diktatit politik ndaj gjyqësisë së uzurpuar partiake i dënonte shqiptarët me dënime drakonike për të realizuar qëllime të ndryshme politike.

“E keqja më e madhe e këtij procesi të montuar politik, policor dhe gjyqësor ka të bëjë me shpalljen publike të këtyre shqiptarëve si fajtor për vrasjen makabre nga ana e Ministres së punëve të brendshme Jankullovska në prani edhe të kreut më të lartë të policisë së shtetit në konferencë për shtyp të datës 01.05.2012 që u transmetua nga mediet brenda dhe jashtë vendit, me ç’rast rëndë, ashpër dhe në mënyrë ekstreme u shkel e drejta iniciale e të akuzuarve që të supozohen të pafajshëm përderisa faji i tyre të vërtetohet me vendim të prerë gjyqësor, e drejtë kjo që garantohet me nenin 6 paragrafi 2 të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut, neni 13 i Kushtetutës së vendit dhe neni 2 i Ligjit të procedurës penale gjë që trazoi edhe vet qëllimin e procedurës gjyqësore penale pra, që asnjë i pafajshëm të mos gjykohet dhe dënohet”, tha Shasivari.

Ai shtoi se kështu, policia e shtetit që ditën kur i arrestoi këta shqiptarë, apriori publikisht i shpalli fajtorë dhe në opinion ndikoi që të krijohet dhe forcohet bindja se këta persona patjetër duhet të dënohen me dënimin maksimal. Në kushte të tilla, edhe prokurorja e rastit edhe trupi gjykues ishin nën diktatin politik të shtetit duke bërë çmos që të realizohet ky qëllim.

“Angazhimi për drejtësinë dhe të vërtetën e këtij rasti do të vazhdojë me mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme për goditjen e vendimit gjyqësor të shkallës së parë, dhe pasi të shteren të gjitha mjetet, duhet të paditet shteti i RM në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në Strazburg për shkeljen e të drejtës së prezumimit të pafajësisë, të drejtës për gjykim të drejtë dhe të drejtës për procedurë të drejtë gjyqësore, dhe të drejta të tjera të njeriut të cilat garantohen me Konventën evropiane për të drejtat e njeriut ratifikuese e së cilës është RM”, shtoi ai.

Ndërkaq Uranija Pirovska nga Komiteti i Helskinkut tha se nuk do të deklarohen përderisa nuk e kanë vendimin në dorë për të studiuar atë që është thënë.

“Ende se kemi marrë vendimin që ta shqyrtojmë, sapo ta marrim dhe të bëjmë analizë do të dalim me prononcim publik për media”, tha për Portalb, Pirovska.

Kurse të premten pas faljes së xhumasë, do të organizohen protesta kundërvendimit të rastit Monstra.

Lajme të ngjashme

Back to top button