Plazhe të pastra, Rama: Do hapim kampe vullnetare në gjithë bregdetin

Kryeministri Rama ishte sot në një nga plazhet publike në Golem të Durrësit, ku ka marrë pjesë në çeljen e “Kampit të Vullnetarëve”. Kjo lloj strukture është risi këtë verë, dhe do të shtrihet në të gjithë vijën bregdetare të vendit, ku përveç vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura, do të jenë edhe infermierë dhe të tjera struktura që mbushin ditët me aktivitete sportive dhe kulturore.

Kryeministri Edi Rama tha se ky program i ri, synon t’i japë fund traditës së turpshme, të plazheve të pista, ku nuk ka kujdes për mjedisin. Kryeministri theksoi se është fatkeqësi të shikosh sesi në shumë raste, përshtypjet e vizitorëve të huaj dhe e gazetarëve të huaj nga plazhet shqiptare janë përshtypje që na turpërojnë të gjithëve.

“Është një program i ri, që ne e vëmë në jetë për herë të parë, që synon që t’i japë fund një tradite shumë të turpshme dhe që na vë të gjithëve si shoqëri dhe si vend në pozitë të tmerrshme, edhe me vizitorët e huaj, të plazheve të pista. Duhet ti pastrojmë në bashkërisht dhe duhet të insistojmë që pak nga pak të gjithë pushuesit të marrin pjesë në këtë përpjekje, duke mos hedhur mbeturinat . Asnjëri nuk i hedh plehrat në mes të shtëpisë. Atëherë, pse duhet t’i hedhim në mes të plazhit?! Dhe secili të japë kontribut dhe secilin duhet ta ndihmojmë të kuptojë se nuk mundet më të vazhdojmë kështu. Kjo është puna kryesore që kanë këto grupe, përveç pastrimit që do bëjnë në çdo metër katror,”tha kryeministri Rama ndërsa shtoi se të gjitha këto do të duan kohën e tyre, ndërkohë që pastërtia nuk është çështje buxhetesh, është çështje vetëdijeje dhe kujdesi qytetar.

Në hapjen e kampit të parë të vullnetarëve në Golem merrnin pjesë edhe të zgjedhur vendorë, kryetar i Bashkisë së Durrësit, Golemit, Rrashbullitetj, të cilët u zotuan bashkërisht për të marrë masa dhe sensibilizuar popullatën për ti mbajtur plazhet sa më pastër.

Lajme të ngjashme

Back to top button