Korporatat në Maqedoni duhet të jenë më të përgjegjshme ndaj shoqërisë

Instituti Alternativa Liberale me përkrahje të Ambasadës së Gjermanisë në Shkup, Fondacionit Friederich Naumman për Liri dhe T-Mobile Maqedoni organizuan konferencën “Filantropia, Përgjegjësia e Korporatës dhe Ndryshimi Social: Fuqia e rrjetëzimit”.
Qëllimi kryesorë i kësaj konference ishte që sektori i bizneseve dhe sektori i organizatave jo-qeveritare të prezantojnë dhe promovojnë Përgjegjësinë e Përbashkët Shoqërore (PPSH) si një mjet për bizneset që të shndërrohen në faktorë për ndryshime sociale.

Para të pranishmëve u drejtua Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup znj. Gudrun Steinacker e cila foli për rëndësinë e filantropisë dhe përgjegjësisë shoqërore. “Përgjegjësia shoqërore nuk duhet aspak të shihet si sponsorim apo marketing, sepse ajo është shumë më shumë se aq. Është një vlerë e madhe që çdo kompani duhet ta implementojë”. Steinacker ndau me të pranishmit shembuj konkretë nga kompanitë në Gjermani të cilët me të madhe përkrahin iniciativa nga OJQ- që kanë për qëllim të sjellin një impakt pozitiv në shoqëri. “Unë e di që Gjermania nuk mund të krahasohet me Maqedoninë sepse ne jemi një vend i pasur, por dhe në Maqedoni ka plot kompani të suksesshme të cilët mund të sjellin ndryshim në Maqedoni” u shpreh Steinacker.
Akademiku Abdylmenaf Bexheti foli për faktin që Përgjegjësia Sociale në Maqedoni ka nevojë për një hulumtim më të gjerë rreth kontekstit dhe praktikave të saja. “Shumë kompani në vendin tonë që mundohen të angazhohen në Përgjegjësi Sociale përfundojnë duke bërë aktivitete fitim-prurës, prandaj duhet të bëhet një analizë hulumtuese më e thellë rreth kësaj çështje” theksoi Bexheti.
Në konferencë të pranishmit patën mundësi të dëgjojnë shembuj konkrete nga kompani ndërkombëtare në vend si EVN Maqedoni dhe TAV Aeroports.
Nexhat Kurt, menaxher i Aeroportit “Aleksandri i Madh Shkup” prezantoi aktivitetet e shumta që kompania TAV është e angazhuar çdo kund nëpër botë ku ato funksionojnë. Ai prezantoi projektin e njohur mbarë botërorë “Dialogu në Errësirë” që kompania TAV e implementon me suksese tash sa vite nëpër vende të ndryshme të botës.
Znj. Dojranka Anastovska nga EVN Maqedoni prezantoi projektet e ndryshme të kompanisë që kanë për qëllim ndihmesën e studentëve në Maqedoni nëpërmjet bursave të ndryshme, programeve të trajnimeve dhe punës praktike që ata ofrojnë për studentët në Maqedoni.
Biznismeni i njohur në vend, dhe ish-kryetari i qytetit të Shkupit z.Trifun Kostovski para të pranishmëve ndau eksperiencën e tij personale në sferën e filantropisë. Ai theksoi që të gjithë ne , qoftë biznese apo individë, duhet të kemi traditë të angazhohemi në përgjegjësi sociale. “Unë si pronarë i disa kompanive por dhe kur isha kryetar i qytetit të Shkupit çdoherë e kam theksuar se sa e rëndësishme është të japim mbrapsht atë që e marrim nga shoqëria”
Kjo konferencë ka dhe pjesën e saj të dytë e cila pritet të mbahet në muajin shtatorë ku planifikohet të organizohet një panair i PPSh-së dhe bizneseve në vend të cilët duan të promovojnë idenë e përgjegjësisë sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button