Zarfomania dhe fati folitik!

Dy kompanitë gjigante të ‘lojrave të fatit’ (që po luajnë me fatin e Kosovës), Shtetët e Bashkuara dhe Bashkmi Evropian, kanë ardhur me një ofertë të re verore, për të përcaktuar mandatarin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës. Në bashkëpunim me KQZ- Komisioni Qendror i Zarfeve, këto do të vijnë me një lojë shpërblyese, apo me një lotari, ku përmes tërheqjes së zarfit do të zgjidhëet kryeministri i vendit, i cili do të na drejtojë në katër vitet e ardhshme.

Të drejtën dhe mundësinë për të fituar e ka secili qytetar i Republikës së Kosovës. Mjafton të hapin sytë e veshët, të mbani afër telefonat celularë, të mos i hiqni sytë nga ekrani. Befasia mund të ndodh! Secili mund të jetë ai fatlum!

Por, të paktën këtë lojë ta kishin lënë pas muajit të Ramazanit! Jo për tjetër, por ta mendojmë njëherë, si do të mund ta pranonte postin një qytetar ose qytetare e Kosovës, duke qenë me agjërim dhe në anën tjetër të pranojë një “Post Zarfi” apo një “Post Fati”?!

Është një lloj “Deja-Vu” për Kosovën, për qytetarët e saj. Një skenar i përsëritur! Loja është e njëjtë, pra tërheqje zarfi, por, tani bëhet fjalë për ‘jackpotin’ e madh, ëndrrën e shumë politikanëve tanë. Tani çdo ditë e më shumë po bindemi që, këtu tek ne, gjithëçka është e mundur! Po po, gjithëçka! Më e lehtë është të bëhesh president a kryeminister, se sa të fitosh një loto, ose më mirë të themi mundësia është e barabartë! Kjo është Kosova jonë e dashur dhe kjo është bashkësia ndërkombëtare! Këta na tregojnë neve, qoftë përmes zarfeve, apo edhe formave të tjera të komunikimit, se si ne duhet punojmë e veprojmë!

Dhe për fund dy rekomandime. I pari është që, në zgjedhjet e ardhshme, secili qytetar i Kosovës të votojë përmes zarfit (të shkruaj një emër në zarf dhe ta hedh në kutinë e votimit) dhe zgjedhja si e presidentit edhe e kryeministrit të jetë e drejtëpërdrejtë, në prani të të gjithëve, pra përmes tërheqjes së një zarfi dhe emri i atij apo asaj që është në zarf do të jetë udhëheqës dhe rekomandimi i dytë është që, përmes një referendumi, qytetarët e Kosovës të ndërrojnë flamurin dhe stemën e shtetit të Kosovës dhe në vend të flamurit të jetë një zarf me dy mbishkrime në secilen anë, në njërën të shkruhet SHBA dhe në tjetrën BE.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe Popullin e saj!

Lajme të ngjashme

Back to top button