“MIQ”

Shiu kishte bërë qull këpucët e saj me kordele të harruara në pragun e derës jashtë.  Ajo po pinte një gotë verë të kuqe dhe po i ridëgjonte për  kushedi të satën here  vargjet e këngës “MIQ” të Elina Dunit.

Sot më shumë se kurrë ndjeu nevojën e heshtjes. Deshi të heshtte por me dikë, mbase me atë .

Pjesë e mendimeve të saj ngatërroheshin në fytyrën e tij edhe pse se kishte parë që nga shiu i kaluar që ra.

Ata në të shumtën e kohës ishin si dy vija paralele që puthiteshin  diku rastësisht ndonjëherë, e pastaj kryqëzoheshin këto vija në mënyrën më të çuditshme për tu ndarë e për të vazhduar paralelizmin ironik më pastaj …

Kishte diçka të pambaruar mes tyre në fakt…shume puthje të frenuara, përqafime të padhëna, fjalë të menduara e të pathëna. Ai e deshi si budalla, ajo e deshi si e çmendur.  Përjetësia ishte në buzët dhe sytë e tyre e shpeshherë  parajsa i xhelozonte për atë që dy miqtë e vdekshëm bënin në Tokë.

E pas asaj  si për inat largësia dhe ftohtësia hynte mes tyre,… ah ai inat i tij i paparë, ah ajo kokëfortësi e saj mazohiste.

Grindje, inate, ndarje, largim, urrejtje…pas katër muajve  i merrte malli dhe harronin gjithçka. Takimet e tyre kishin një grusht magjie të çuditshme që brenda ca sekondave i tretnin gjithë muajt e pritjeve sado të gjata qofshin ato, plot e përplot inate e kryeneçësi.

Mbase disa  femra kanë nga një mashkull të cilit i rikthehet gjithnjë edhe pse ai ua copëton zemrën pas kësaj,… dhe askush nuk e kupton se përse dreqin i kthehen,  bile as ato vetë, por ja që e bëjnë se nuk munden ndryshe…mendonte ajo derisa mbushte gotën e dytë me verë, por një zë thellë brenda vetes i thoshte se nuk do i kthehej më për herë të tretë atij.

Shiu vazhdonte të binte duke lagur kështu çdo pëllëmbe të qytetit që dikur e kishin ecur bashkë por asnjëherë dorë për dore.

Seç dëshiroi ta takonte vetëm sa për ti kujtuar ato kujtimet e pakta që copa copa tek tuk vareshin në memorien e saj si në tharëse teshash.

Seç dëshiroi ta takonte vetëm sa për ta parë veten në sytë e tij,  ah ata sy si dy kokrra kafeje të errët Brazili.

Seç dëshironte ta takonte  vetëm sa për t’i futur gishtat e njomë femërore në flokun e tij, dhe t’ ia rrëshqiste lehtas deri ne pjesën e poshtme të qafës ku i fshihej një nishan i vogël në anën e djathtë.

Seç dëshironte ta takonte vetëm sa për ta puthur fare pak atë faqe duke shpuar kështu buzët e saj nga mjekra e tij e sapombirë.

Seç dëshironte ta takonte vetëm sa për ti pëshpëritur se i dhembnin shumë gjithë ato momente lumturie që nuk i do i përjetonin kurrë.

Seç dëshironte ta takonte vetëm sa për ti thënë se ata të dy do të kishin fëmijë shumë të bukur…nëse…sikur…

***

Vera e saj gllënke pas gllënke po harxhohej derisa ajo priste që atë ta merrte malli për të.

Cigaret e tij ndizeshin e shuheshin një pas një derisa ai po mundohej ta harronte atë.

Këto  MIQ, këto vija paralele mbase do puthiteshin ndonjëherë diku në përjetësi atje ku ndodhin gjërat e bukura… por këtu ku ndodhin ato të përkohshmet dhe të rrejshmet asnjëherë.

L.B.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Tregim i bukur Lira e dashur. Posacerisht pasuset qe nisin me “sec deshironte ta takonte”, aty je fort e natyrshme. Vazhdo, te uroj shume suksese. P.S dukesh qe je bija e shkrimtarit Fejzi, u rritem me poezite e tij, ti kuptohet akoma me shume je rritur ne frymen e tij. Me gezon qe emri Bojku ka vazhdimesine e vet!

Back to top button