Marko Gjuriqit nuk iu lejua hyrja në Kosovë

Policia e Kosovës nuk e lejoi drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqin, të hyjë në Kosovë. Ajo e ndali atë në pikëkalimin Jarinje.

Sipas medieve të Beogradit, Gjuriq këtë veprim të autoriteteve të Kosovës e vlerësoi shkelje flagrante të Marrëveshjes, mosrespektim të Marrëveshjes për lëvizje të lirë dhe shkelje të të gjitha parimeve të harmonizuara që lidhen me këtë tematikë

“Druaj se kjo nuk do të kalojë pa pasoja, por me siguri nuk do t’i pengojë institucionet e Serbisë për funksionimin normal, ndërkaq po ashtu druaj se ky është një sinjal i keq kur është fjala për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës”, citojnë mediet të ketë deklaruar Gjuriq në Jarinje.

“Për këtë arsye”, ka shtuar ai, “i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë për kapërcimin e problemeve. Dëshira jonë është të mos krijohen tensione shtesë, që problemet të zgjidhen me dialog.”

“Askush s’do të mund të na ndalë në kryerjen normale të punës sonë”, ka thënë Gjuriq, ndërsa i pyetur se cili është shkaku i ndaljes së tij në Jarinje, u përgjigj se ka marrë “një arsyetim të turpshëm” nga Policia se nga Prishtina kishte urdhër për ndalimin e tij.
Gjuriq pas qëndrimit për pak minuta në pikëkalimin e integruar, që ndodhet jo larg Rashkës, është kthyer pas.

Sipas medieve serbe Gjuriq sot është dashur që në Banjskë të vërë gurëthemelin për godinën me 12 njësi banimi, me sipërfaqe nga 41 metra, që financohet nga Zyra për Kosovën. Po ashtu ai kishte në plan të vizitojë Zveçanin, Kombinatin Xehetar-Metalurgjik ‘Trepça’, ku do të takohej me udhëheqës të tij dhe që pas vizitës në Kosovë të bisedojë me përfaqësuesit e serbëve të pjesës veriore të Kosovës. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button