Nuk na lënë as hektorin tonë ta këndojmë

E dini, luajnë hoka me ne që moti. Kujt t’ia dojë qejfi. Ka njëqind vjet që gazetat e fqinjëve tanë “të mirë” e “kanë bërë portretin tonë” me pamje përbindëshi dhe na kanë vënë edhe bisht. “Me bisht janë”, i kanë thënë botës për ne. “Të egër janë”.

Kurse ne kemi heshtur.

Vazhdimisht propaganda e fqinjëve  na ka bombarduar me gënjeshtra të papara, ditë  për dite, javë për jave, muaj për muaji vit për viti. Na kanë thënë  se jemi të pakulturuar, se kemi zbritur nga mali, se s’jemi popull fare.

Dhe, ne s’jemi turbulluar gjithaq. Nuk jemi përgjigjur. Se institucionet tona kanë mrizuar.

Pastaj e kanë shpallur për shtet të vetin pashallëkun e vogël të Beligradit. E kanë bërë edhe Greqinë antishqiptare me plot shqiptarë brenda. Fuqitë e mëdha u kanë dhënë pushkë e topa. Si Beligradit, ashtu edhe Athinës. Ata na  kanë larguar me dhunë nga pashallëku e nga qytetet tona që fuqitë e mëdha ua falën, duke na i djegur lagjet nëpër qytete e duke na i djegur fshatrat. Kështu nga qytete me shumicë shqiptare Piroti, Nishi, Leskovci, Lebana, në Pazar, Sjenicë, Plava e Gucia, Podgorica, Tivari e Ulqini, në Konica, Arta e Preveza, Janina e shumë të tjera pësuan pastrime etnike të papara (si sot Mitrovica e Veriut).

Askush nuk e dëgjoi gjëmën tonë.

Ata shqiptarë që i kanë shpëtuar kamës e topit, thikës e pushkës, i kanë shpërndarë nëpër hapësirat e Anadollit që të zhbëhen. Evropa s’e bëri të madhe këtë punë.

Kurse ne, duke notuar në gjakun tonë, kemi thënë: bëre zot ëndërr!

Në përpjekjet tona për të mbijetuar ne kemi humbur pjesën dërmuese të popullsisë, ndërsa pjesën më të madhe të hapësirës sonë etnike e kanë shndërruar në rrënoja trojane. Nuk na kanë lënë  as kokën ta kthejmë që ta shohim edhe një herë oxhakun e kullës, të cilën edhe sot e quajnë fortifikatë turke.

Neve nuk kanë lejuar as Hektorin dhe Andromakën tonë t’i vajtojmë.

Fqinjët tonë “të mirë”, me ndihmën e pakursyer të fuqive të mëdha heronjtë tanë i kanë hedhur në greminën e harresës. Edhe këngët na i kanë përvetësuar, edhe heronjtë. Ata si kërpudhat helmuese që bëhen identike me atë që s’janë helmuese depërtojnë në pasurinë tonë shpirtërore dhe përmes mimikrisë – edhe doket e zakonet tona i shpallin për të vetat. Dasma e valle.

Ne s’çajmë kokë as për këtë.

Ata e kanë uzurpuar dhe vazhdojnë ta uzurpojnë të kaluarën tonë dhe të kaluarën e përbashkët ballkanike. Popujt ballkanikë gati se e kanë përfunduar etapën e uzurpimit të historisë sonë. Tash zhvillojnë polemika të ashpra se i kujt paska qenë Skënderbeu, të kujt janë Shpatajt, Topiajt, Ballshajt, Pal Engjëlli, Ali Pasha, Bushatllinjtë? I serbëve, i maqedonasve, i malazezëve apo i grekëve?

Të gjitha “studimet” e tyre e përvetësojnë të kaluarën tonë, kurse ne heshtim.

Ata shqiptarë që kanë shpëtuar kokën e kanë mbetur në një copë të Ballkanit, pas luftës së dytë botërore  janë ndarë me mure të pakapërcyeshme mes vetes. Në njërën anë na ka rrahur UDBA e Rankoviçit, në anën tjetër Sigurimi i Enverit me urdhrat e Stalinit. Na kanë dërmuar pa i shpjeguar botës se pse. Kush e ka kaluar kufirin prej këndej e ka ikur në Shqipëri ka përfunduar në burg si “spiun” i Titos, kush ka ikur së andejmi e ka ardhur në Jugosllavi, ka mbetur “tradhtar”.

Kemi hequr të zitë e ullirit.

Ata e kanë uzurpuar dhe vazhdojnë ta uzurpojnë të kaluarën tonë dhe të kaluarën e përbashkët ballkanike. Popujt ballkanikë gati se e kanë përfunduar etapën e uzurpimit të historisë sonë. Tash zhvillojnë polemika të ashpra se i kujt paska qenë Skënderbeu, të kujt janë Shpatajt, Topiajt, Ballshajt, Pal Engjëlli, Ali Pasha, Bushatllinjtë? I serbëve, i maqedonasve, i malazezëve apo i grekëve?

Të gjitha “studimet” e tyre e përvetësojnë të kaluarën tonë, kurse ne heshtim.

Sot kur themi se e kemi Kosovën të lirë, askush nuk tha se serbët vetëm me tre për qind bëjnë çfarë t’u dojë pika e qejfit në Kosovë, janë më të privilegjuarit, janë në pozitë të ngjashme me të bardhët  në kolonitë e dikurshme në Afrikë, janë më se të lirë kurse neve me nëntëdhjetë e pesë a gjashtë për qind na e kanë lënë sabrin.

Ata lajnë lesh mbi ne, ne e mbajmë në shenjë njëri-tjetrin.

Kosova që qenka e lirë nuk ka ministri për Serbinë, Beligradi ka ministri për Kosovën. Ata kishë e shtet janë një dhe veprojnë tok kundër nesh, kurse shqiptarët e Kosovës janë të përçarë. Kosova s’ka as kishë, as xhami të veten. I mban të huajat. Madje edhe  gjuhën tonë shqipe nuk e lënë të futet në tempujt e fesë, po kërkojnë dhunshëm që Zotit t’i lutemi në gjuhët e huaja! Shikoni si e kanë futur ata gjuhën e tyre kishën e tyre nëpër objektet bizantine mesjetare të viseve tona të Kosovës duke rrahur gjoks se e mbrojnë kulturën e tyre.

Askush nga ne nuk e ngriti zërin të pyesë zyrtarisht ku mbetën objektet e vjetra fetare katolike, ortodokse, ku mbetën teqetë dhe xhamitë, ku janë sinagogat, ç’ndodh me varrezat e kohëve të lashta në hapësirën etnike shqiptare? Si mundet që njëherë të kenë qenë e përnjëherë të jenë fshirë me gomë e të kenë mbetur nga kohët e lashta vetëm objektet “e tyre” fetare? Asnjëra akademi e shkencave, as e Shqipërisë e as e Kosovës, nuk e nisi një projekt serioz t’u japë përgjigje prapështive e fyerjeve, gënjeshtrave të “shkencës” së fqinjëve.

Presim “ditë më të mira”.

Ne i shikojmë me pikëllim kopshtet më të bukura që na i uzurpojnë popat e Serbisë. Dhe, nuk i kërkojmë gjurmët tona të mbetura nën dhe.

Ne nuk themi se është koha e fundit që Kosova ta ketë kishën e vet autoqefale ortodokse për qytetarët e saj, jo të vijnë emisarë ekstremistë politikë t’i zaptojnë viset më të bukura. Ne nuk i mbrojmë as katolikët e as ortodoksët shqiptarë nga asimilimi i dhunshëm. Ne nuk i japim fytyrë kombëtare shqiptare asnjë feje që praktikohet në trojet tona.

Secili politikan shqiptar “i shikon” punët e veta.

Ata gjithmonë e gjithë bota i quan serbë, kurse neve na kanë shpallur vetëm qytetarë të Kosovës. Por edhe “maqedonca”, “cërnagorca”, “turq”.

Heshtazi pranojmë të mos jemi shqiptarë, po të jemi popull pa identitet.

Ne ende nuk i kemi vjelë shprehjet, leksikun. Nuk e kemi bërë terminologjinë më të thjeshtë për tekstet shkollore të matematikës, të fizikës, të kimisë, të biologjisë, të teknikës. Nuk e kemi një fjalor me një fond të çliruar nga sllavizmat e turqizmat e pambëhishme, jo po bëjmë punë më të mëdha. Dhe, vështirë që e di kush se si arsyetohen rrogat e instituteve që merren me gjuhën shqipe.

Ne s’i kemi me rëndësi këto punë. A mos keni dëgjuar që nga buxhetet e Shqipërisë dhe të Kosovës të ndahen para për libra me vlerë nga letërsia, filozofia, sociologjia e psikologjia? Jo!

Kanë punë me prioritet: të grinden parti me parti!

Serbia lidh aleanca me shtetet më të fuqishme arabe islamike, neve na akuzojnë për ekstremistë islamikë duke ndihmuar disa të përhumbur të shkojnë nëpër vendet arabe nëpër lufta që fqinjët tanë “të mirë” të kenë “argumente” se ne jemi ekstremistë”. Përfaqësuesit e emirateve qeshin me buzët vesh e më vesh në Beligrad duke derdhur para me grusht për investime nga më të çuditshmet. Nuk e besoj se këta zotërinj e dinë ku është Kosova.

Ndërkaq te ne gjenden ende plot tipa njerëzish që arabët i mbajnë për vëllezër.

 

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ne artikullin e z. Xhabir Ahmeti, verej forcen shprehese te mendimit dhe njohjen e thelle te realitetit shqiptar, Kritika ne artikull per indiferentizmin brenda dhe jashte kufijve,”na zgjon nga gjumi afatgjate” qe na mpiu gjymtyret, dhe na fton qe te reflektojme.

Shiko edhe
Close
Back to top button