Shkëndija sot fillon aventurën evropiane (Video)

Optimizëm, besim dhe dëshirë e madhe për fitore ndjehet në radhët e Shkëndijës para ndeshjes së parë të eliminatoreve të Liga Evropës që sot do ta zhvillojë kundër Zimbru të Moldavisë. Nën emocionet e organizimit për përcjelljen e ekipit dhe dorëzimin e autobusit të klubit nga ana e pronarëve dhe mbështetjes së madhe që ekipi mori nga tifozët, të takimin me gazetarë mbizotëroi optimizmi për rezultat pozitiv. Trajneri Roy Ferençina, kapiteni Artim Pollozhani dhe sulmuesi Bojan Vruçina folën para gazetarëve për pritjet e tyre për takimin e sotëm.

“Besojmë se jemi të përgatitur dhe të gatshëm për ndeshejn ndaj Zimbru-t. Është pozitiv fakti që luajmë në ‘teren vendas’ dhe në prani të tifozëve tanë, me atë që do të ishte edhe më mirë nëse loja do të luheshte në Tetovë. Megjithatë, besoj se me përgatitjet që kemi bërë do të arrijmë që t’i kalojmë moldavët”, deklaroi shefi i stafit teknik Roy Ferençina, i cili në insistim të gazetarëve të pranishëm tregoi edhe formacionin me të cilin do të nisë ndeshjen.

“Sa i përket formacionit mendoj se është korrekt të kumtojmë pasi tani më nuk kemi dyshime në këtë plan. Do të startojmë me Jovanovskin në portë, mbrojtjen do ta përbëjne Bejtullai, Miliev, Berisha dhe Murati, në mesfushë do të jenë Pollozhani, Useini e Selmani, ndërsa në krahë dhe në sulm do të jenë Zhunior, Mitrov dhe Vruçina. Gjatë fazës përgatitore kemi studiuar ekipin kundërshtar dhe jemi të informuar në lidhje me anët e dobëta dhe të forta të tyre”,tha Ferençina. Kapiteni i ekipit Artim Pollozhani përcolli atmosferën pozitive që mbizotëron në ekip.

“Gjatë kësaj kohe jemi përgatitur shkëlqyeshëm në Strugë dhe Bansko, ku kemi zhvilluar edhe ndeshje kontrolluese dhe të cilat na kanë ndihmuar shumë. Ka kohë që e kemi pritur një ndeshje të këtillë andaj mendoj se me mbështetjen e “Ballistëve” dhe gjithë mbështetësve të Shkëndijës do të kalojmë në fazën tjetër”, u shpreh kapiteni i ekipit, Artim Pollozhani.

Dueli Shkëndija – Zimbru Chisinau fillon në orën 18:00 stadiumin “Arena Filipi i II-të” në Shkup, ndeshje kjo në kuadër të xhiros së parë kualifikuese të Liga Evropës. Kjo do të jetë ndeshja e pestë e Shkëndijës në Evropë, ndërsa në katër takimet ‘kuqezinjtë’ kanë regjistruar 3 humbje dhe një barazim. Tani besohet se pjesëmarja e tretë në Evropë do të sjellë edhe fitoren e parë dhe kualifikimin historik në raundin e dytë. / Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button