fbpx

Ditar Ramazani-4

Është e lehtë të flasësh për ditën në mos prezencën e natës. Sekondat ndoshta ecin më shpejtë. Trokitjet e zemrës tregojnë për kahen që duhet të marrim në momente gëzimi e dëshpërimi. Ende më e lehtë mund të duket nata, pa ekzistencën e ditës. Por kuptim nuk do të ketë. E ndarë nuk është. E bukur pa prezencën e ditës nuk mund të jetë. E qetë pa mendimin për ditën.

Zemrat rrahin, e lutjet pëshpëriten së bashku me shpirtin, natën. Shpirti troket në qiellin e shtatë, duke kërkuar mëshirën për të dhe gjitha shpirtrat tjerë. Nuk ka shpirt egoist në këtë botë. Egoist është njeriu i cili merr karakteristikat e të mallkuarit.

Besimtarët në Ramazan janë të renditur sikur hallka. Ata e kapin derën e pendesës dhe e përdorin si çelës për derën e agjëruesve në Xhennet. Po ka prej besimtarëve që ketë pozitë nuk e kuptojnë kështu. Ata ende gjenden në amullinë e kësaj bote, duke mos njohur ekzistencën e botës tjetër. Kur përmendi mosnjohjen, e kam fjalën për mosnjohjen shpirtërore, sepse për fizike, dihet botërisht se nuk mund ta njohim. Botën fizike, ndoshta nuk e njohim mirë edhe në këtë botë. Ende ka gjëra që njeriu duhet t`i zbuloj. Ato ekzistojnë, por janë të pazbuluara për njeriun. Edhe pendesa është zbulim i zemrës së sinqertë për në rrugën e të Vërtetës.

Garimi është cilësi e popujve të mëdhenj. Përmes tij dali në shesh dobësitë, mangësitë, por edhe anët pozitive. Ajo nuk mund të jetë asnjëherë shkatërrim. Ndërsa filozofia e emërtimeve mund të përdoret si pretekst për të çrregulluar në këtë botë.

Kamatën e emërtojnë si interes, ose dobi. Alkoolin e emërtojnë si pije dehëse ose për të rritur. Lakuriqësinë e emërtojnë si modë e art. Çrregullimin e emërtojnë si rregullim. Filmat e fëlliqur i emërtojnë si filma për të rritur. Homoseksualizmin e emërtojnë si e drejtë e jo si sëmundje.

Njerëzit që jetojnë vetëm për vete, i kap pluhuri i harresës dhe mallkimit. Ata jetojnë dhe vdesin të vegjël. Ti sillesh ndaj tyre në mënyrën më të mirë, ndërsa ata gjithmonë mendojnë se si të mashtrojnë ty. Të quajnë naiv edhe pse ti je i sinqertë. Të quajnë budalla, edhe pse t`i vetëm rrugën ia lëshon. Të quajnë të prapambetur, edhe pse t`i ke vendosur që t`i respektosh rregullat e fesë tënde.

Copëzat e sekondës dëshmojnë kundër ose për ty, nëse je ashtu si dukesh, ose bëhesh ashtu si nuk dukesh. Njerëzit e mëdhenj e respektojnë kohën , prandaj edhe kanë arritur në piedestalet më të larta të historisë njerëzore. Ata për asnjë moment nuk mund t`i gjesh të dëshpëruar ose pesimist, pasi që nuk kanë kohë për t`u dëshpëruar ose për t`u lëshuar në kthetrat e pesimizmit.

Historitë e bukura duhet të përsëriten gjithmonë, jo vetëm gjatë muajit Ramazan. Edhe jashtë këtij muaji, ato histori duhet që të janë si shembull për ecjen përpara. Ka histori bujarie nga myslimanët të cilët bujarinë e nxjerrin në shesh vetëm në Ramazan. Ndërsa bujaria është një cilësi e cila ka nevojë të dale në pah edhe jashtë këtij muaji madhështor.

Dita, nata, copëzat e sekondës, koha, pendesa, garimi, bujaria, sinqeriteti, të gjitha këto mblidhen në zemrën e besimtarit dhe nga ai shndërrojnë një njeri me vizion botëror.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close