Maqedonia, një lëkurë me dregëza

Gruevski edhe këtë verë do ta kalojë duke na bindur se Maqedonia edhe pa NATO-n dhe BE-në është një krijesë e zgjuar që u bën ballë sfidave. Këshilltarët që kujdesen për ruajtjen në nivel të moralit të shefit të tyre, kanë harruar ta pyesin atë se sa kushton terapia, e cila mbajtjen në gjumë të shtetit e quajnë këndellje. Entuziasmi që vjen nga këndellja paszgjedhore, është terapia formale e nivelizimit të enzimeve politike me adrenalinën sociale, kombinim ky që Gruevskin dhe ekipin e tij e bëjnë të mbahen mend gjatë kohë për alkiminë e tyre të përdorur sa herë që vendi ndodhet para dilemave pa përgjigje. Ata nuk e kanë ndërmend të përgjigjen se kur Maqedonia do të hyjë në NATO, për arsye se kanë besim te Ali Ahmeti në parashikimet e tij. Pa hyrë shumë në cilësinë e këtyre parashikimeve, do të duhej të jemi të lumtur, megjithatë që ky shtet është rast sui generis që prodhon modelin e funksionimit paradoksal të partnerëve qeverisës, pa patur nevojë ata të koordinohen për çështje madhore, siç është bie fjala, ndryshimi i Kushtetutës. Fundja, çfarë rëndësie ka Kushtetuta dhe adaptimet e saja lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoni dhe çështjet tjera të hapura, para gajleve të mëdha siç është NATO-ja dhe dilema hamletiane, që lidhet me të qenit tonë brenda, ose jashtë këtj organizmi gjigant politik e ushtarak. Sepse gjuha shqipe (siç tha Abd. Ademi) mund të pres edhe një kohë të gjatë, por jo edhe NATO, e cila po na pret krahëhapur dhe ekzaltuar për t’u bërë pjesë e saj. Politikanët tanë jo se nuk kanë sens për problemet e brendshme, por ata meqë kanë luftuar nëpër fushëbetejat europiane, po duan të mbeten deri në fund fer me elektoratin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Portugalisë, Danimarkës, sepse vetëm në këtë mënyrë ata tregojnë solidaritet paneuropian me popujt e “shtypur”  të Kontinentit të vjetër, të cilët ende po vuajnë pasojat e diskriminimit gjuhësor dhe pabarazitë rajonale në zhvillimin ekonomik e social.

Por, do të tregohemi të padrejtë nëse nuk tregojmë se sa i madh është Gruevski në formatin e tij të refuzimit dhe arrogancës kundrejt gjithë atyre që s’i takojnë amzës së tij ideologjike e etnike. Ai edhe kur inicon ndryshime të tilla kruciale, siç është riformatimi i disa neneve dhe amandamenteve të Kushtetutës, tregohet mjaft humanist në mosbezdisjen e partnerit të tij qeverisës. I vetëdijshëm për barrën që ka Ahmeti lidhur me NATO-axhendën, lideri i portokallt nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga platforma e tij, e premtuar dhe përpunuar gjatë fushatës zgjedhore, e cila vendosjen e gjërave në rubikonin politik e bën sikur krejt bota të sillet rreth maqedonasve të Gruevskit. Në këtë kolovajzë rrotullimesh ndodhë edhe ndonjë marramendje e çastit, por edhe për këtë është gjetur ilaçi. Është BDI, një parti e gajretit që Gruevskit dhe partisë së tij i shërben si “shtyllë gardhi” për të mbajtur gjallë iluzionet e funksionimit surrealist të bashkëjetesës politike.

Askush nuk e ka të qartë, se deri kur do të shkojë mbi sipërfaqe ky ‘kungull’ i papjekur i politikave kontraverze, por ajo që nuk do shumë shpjegim, e që duket pa ndonjë qartësi të madhe optike, është kostoja e lartë e futjes nën rrogoz të problemeve të brendshme. Thesi që aktualisht po bartë brirët e kaladredhur të realitetit bizar social, ekonomik e politik në vend, nuk mundet në pafundësi të shërbejë si ‘kavanoz’ frustrimesh të çdoditshme të qytetarëve, të cilëve për çdo muaj u shtohen ditët që ngelin pa para. Dhembja që mund të vijë nga brirët e dalë jashtë thesit, do të mund ta shndërrojnë Maqedoninë në një lëkurë të dregëzuar, e cila të gjithëve do të na duket e tepërt.

Gruevski dhe Ahmeti kanë lëkura të ndryshme, prandaj ata edhe jo njësoj janë të ndieshëm ndaj acarimeve të jashtme termike e fizike. Dorën në zemër, Maqedonia ende nuk ka një aeroport të hajrit për të akomoduar avionët supersonik të NATO-s, që Ali Ahmeti do t’na i sjellë brenda këtij shekulli, por është Gruevski ai i cili po ndërton pista të tjera, ku po i ateron befasitë e tij politiko-kushtetuese. Lideri maqedonas do të duhej të jetë i kënaqur me BDI e cila po e luan perfekt rolin e stjuardesës në këtë udhëtim që fillon dhe mbaron brenda marshutave që shpiejnë në askund.

Ajo që është e sigurt tani për tani lidhet me mospasjen vullnet të palës maqedonase për të ndërtuar ndonjë hapësirë të përbashkët, që do të garantonte stablitet dhe qëndrueshmëri të brendshme politike, ekonomike, paçka se pasiguria, në anën tjetër, bëhet më e madhe sa kohë që nga Ahmeti nuk do të marrim një përgjigje të prerë, se çka do të ndodhë me Maqedoninë, nëse pezullohet për një kohë bukur të gjatë anëtarësimi në NATO dhe tërheqja e kandidaturës nga ana e BE-së.

Politikanët e kanë vështirë të pranojnë sugjerimet e gazetarëve dhe analistëve, por ajo që i bënë ata të lexueshëm para publikut është pikërisht paaftësia për të qenë të mençur, kur ju avullohen argumentet më shpejt se fjalët e tyre të lehta se era. Ndryshimet e inicuara kushtetuese nga ana e Gruevskit dhe refuzimi i NATOS për ta ftuar Maqedoninë në klubin e anëtarëve të saj, nuk ka ama bash kurrfarë lidhje me atë që lidershipi i BDI-së parapëlqen ta quaj politikë racionale dhe të mençur demek. Nëse mençuria politike e një bashkëqeverisjeje është të krijojë kakofoni politike brenda dhomës së mbushur me vetmi idesh alternative e konstruktive, atëherë është mirë që sa më parë ta shpallim veten budallenjë me brirë, nëse ende vazhdojmë t’u besojmë atyre që politikbërjen e kanë shndërruar në ekzibicione fallçorësh.

Lajme të ngjashme

Back to top button