Pse Shqipëria rekomandohet për turistët?

Bregdeti, natyra në tërësi dhe trashëgimia kulturore e Shqiperise vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e mediave dhe operatorëve të huaj, të cilët u sugjerojnë shtetasve të tyre Shqipërinë si një destinacion turistik. 

TGCOM, i grupit italian Mediaset, e cilëson Shqipërine si tokë të bukurive të panumërta: me arkeologji shumë të pasur, koncentrat lokalitetesh të jashtëzakonshme detare, lumenj të pastër të përshtatshem për banjo dhe natyrë të paprekur në Alpe.

Britanikja “Express”, ka evidentuar mes të tjerash pikërisht malet, duke komentuar se teksa shpreson t’i bashkohet BE-së, Shqipëria ofron edhe disa nga çmimet më të lira në Europë.

Dhermi
Dhermi

“NYTimes”, mes 52 vendeve për të vizituar në 2014-n, e renditi të katërtën. Por sa të gatshëm jane shqipëtaret për t’u ofruar turizëm të huajve?

“Mendoj se jemi të gatshëm dhe të përgatitur mirë për këtë sezon. Është ngritur një task forcë ku janë përfshirë institucione të veçanta, që koordinohen mga Ministria e Turizmit. Gjithashtu, bashkë me Ministrinë e Brendshme do të ketë një aktivizim për sigurinë në terren, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar Forcat e Armatosura për pastrimin e zonave turistike”, deklaron ministrja e Turizmit, Eglantina Gjermeni.

“Kemi bërë diçka, jo atë që do të donim, por kemi bërë atë që s’është bërë në 20 vjet. Pastrimi, kthimi i standardeve, kritereve dhe sigurisë në plazhe dhe shumë shpejt do të fillojnë kampet vullnetare, që do të merren me pastrimin dhe disiplinimin e plazheve shqiptare, në mënyrë që turistët të ndjejnë se shteti është i pranishëm”, thotë Auron Tare, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

“Ministria e Shëndetësisë ka bërë edhe dezinfektimin në zonat bregdetare, për ofrimin e kujdesit shëndetësor, si dhe ka marrë masa që strukturat e saj të jenë më aktive gjatë sezonit”, saktëson më tej Gjermeni.

Pjesë e bashkëpunimit janë edhe: Ministria e Transporteve dhe Infrastukturës, Ministria e Mjedisit, ajo e Jashtme, agjenci kombëtare si ajo e turizmit apo e ushqimit.

“Këtu kërkojmë bashkëpunimin e sipërmarrësve privatë, për të pasur standarde dhe cilësi në shërbimin ndaj turistëve, pasi duam të fitojmë besimin që na kanë dhënë mediat e huaja, por edhe vijnë më shumë të ardhura për ekonominë”, nënvizon Gjermeni.

Një tjetër pikë e fortë e përmendur si shtysë për të vizituar Shqipërinë, trashëgimia kulturore. “Huffington Post” e SHBA, në një artikull mbi 15 destinacionet e pazbuluara europiane, renditi Porto Palermon në vend të parë.

“Ne kemi marrë të gjitha masat për pastrimin e siteve arkeologjike për turistët vendas dhe të huaj. Për muzetë, monumentet, etj, Ministria e Turizmit po bën tabela rrugore për të treguar se ku ndodhen. Gjithashtu, ciceronët do shpjegojnë në mënyrë korrekte historinë e vendit tonë”, sqaron Zef Çuni, zv/ministër i Kulturës.

Ekipe të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit do të jenë në terren për inspektime gjatë të gjithë sezonit. “Përpjkekjet dhe angazhimi ynë janë të mëdha, por zhvillimi i turizmit ka nevojë për bashkërendim me pushtetin vendor, biznesin privat dhe qytetarët”, shton më tej Gjermeni.

Duke vlerësuar promovimin medatik shqiptar e të huaj, ministrja Gjermeni kërkoi edhe vazhdimin e mbështetjes së mediave kombëtare e lokale për turizmin vendas.

Lajme të ngjashme

Back to top button