Gazetarë grekë në Lazarat, droga e asgjësuar

Një grup gazetarësh të gazetës greke Kathimerini kanë vizituar Lazaratin fundjavën që kaloi, duke parë më nga afër situatën në fshatin i cili deri para disa ditësh ishte i mbushur me drogë e të shtëna. Gazetarët kanë qenë të pranishëm gjatë ditëve të operacionit antidrogë nga Policia e Shtetit, kanë filmuar pamjet e fshatit si dhe kanë folur me banorë e kanë takuar banorë të fshatit:

“Vetëm pak kilometra larg nga kufiri greko-shqiptar, në një shpat mali shtrihet Lazarati me 5.000 banorë”, shkruan Kathimerini. Që nga fillimi i viteve 2000, kur filloi të kultivohej kanabis, në këtë fshat nuk shkelte këmbë polici. Dy javë më parë, njerëzit e RENEA-s me mjete dhe maska në fytyrë, rrethuan fshatin dhe malet përreth duke ndjekur prodhuesit e hashashit. “Prodhimi ishte aq i madh saqë kur arritëm në Lazarat, në epilogun e operacioneve policore, në çdo rrugicë e oborr kishte pirgje bimësh hashashi të djegura”, shkruan gazetari. Po aq shpesh dëgjohen edhe të shtënat, ndërkohë që çdo ditë policia zbulon dhe sekuestron municione.

Gazetarët kanë rrëfyer eksperiencën e tyre gjatë rrugës për të hyrë në Lazarat dhe kanë bërë foto të drogës së djegur nga policia:

“Me ardhjen tonë në Lazarat na ndaluan në 3 pika kontrolli. Prania e policisë në fshat ishte aq e madhe, saqë në kafenetë e sheshit qendror, nuk kishte fshatarë, por prokurorë, hetues, e policë të ardhur nga Tirana. Policia ka kontrolluar mbi 130 shtëpi, ku ka gjetur drogë, armë e municione. Ku kaluar shënon hyrjen me një “X” i madh”, thuhet në shkrim.

Më pas gazeta greke shkruan mbi avionin e Divjakës, duke përshkruar situatën e tensionuar politike, si protestat apo akuzat e opozitës:

“Opozita mori avantazhin duke kritikuar qeverinë e Edi Ramës për tregtinë e pakontrollueshme të drogës, deri në protestat që PD zhvilloi në rrugët e Tiranës duke e akuzuar Ramën se mbështet trafikantët. Presioni politik përkoi me pritjen e Shqipërisë për dhënien e vendit kandidat për anëtarësim në BE, e cila u dha disa ditë më parë”.

Përveç Lazaratit, gazetarët kanë qenë të interesuar edhe për minoritetin grek dhe kanë ndaluar në Derviçian, ku sipas Kathimerinit, banorët e fshatit janë shprehur të tmerruar nga situata e Lazaratit, dhe kanë treguar muret e shtëpisë të shpuar nga plumbat. / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button