Ekspertët për ndryshimet kushtetuese: Arsyetimi i BDI-së i paqëndrueshëm

Ekspertët juridik hedhin poshtë si të pabaza arsyetimet që shtynë BDI-në të devijojë nga kërkesat për ndryshime kushtetuese. Profesori Jeton Shasivari vlerëson se Bashkimi Evropian kërkon zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës dhe jo ndryshimin e tyre. Pika më e hidhur sipas Shasivarit është mbështetja e pakushtëzuar e BDI-së në këtë proces, e cila nuk do të sjell asgjë të mirë, transmeton Allsat.

“Mendoj se arsyetimi që u dha për këto proces të ndryshimeve kushtetuese rreth 8 tërësive kushtetuese mendoj se nuk qëndrojnë për shkak se BE nuk kërkon ndryshime kushtetuese në këtë moment, vazhdimisht raportet që vijnë nga BE ja kërkojnë reforma dhe implementim ose realizim të Kushtetutës dhe ligjeve… Mendoj se krejt ky proces i ri i ndryshimeve parciale ose të pjesshme kushtetuese që asnjëherë nuk sjellin rezultate pozitive për realizimin e qëllimeve, çështja më e hidhur në këtë rast është se si duket ky proces i ndryshimeve kushtetuese do të ketë një mbështetje ‘blanco’ ta quaj të partisë shqiptare nëse kjo ndodh atëherë kjo do të jetë aspekti më i hidhur dhe më negativ edhe të këtij procesi të ndryshimeve kushtetuese”, deklaroi Jeton Shasivari ekspert juridik.

Ndërkaq për ekspertin juridik Savo Klimovski jo vetëm që në tryezë duhet të vihen kërkesat për ndryshime kushtetuese të BDI-së por të rishikohet Kushtetuta në tërësi. Edhe pse për Klimovskin për një iniciativë të tillë e domosdoshme është edhe mbështetja e opozitës.

“Kushtetuta jonë ka pësuar aq shumë ndryshime dhe plotësime, amendamente sa që koha është që qeveria të formojë një Komision, ta analizojë situatën në përgjithësi me dispozitat kushtetuese dhe në bazë të asaj analize të bëhet rishikim i plotë i Kushtetutës , pra të iniciohet procedurë për miratimin e një Kushtetute të re. Dhe jo vetëm rreth këtyre çështjeve që ngriti qeveria në të cilën është edhe BDI, jo vetëm rreth kërkesave që kishte BDI si premtime parazgjedhore të cilat mendoj se janë legjitime por në përgjithësi të çështjeve për zhvillimin e shoqërisë maqedonase në 20 vitet e ardhshme”, tha Savo Klimovski, ekspert juridik.
BDI një ditë më parë zyrtarizoi qëndrimin se gjatë këtij procesi për ndryshimin e kushtetutës heq dorë nga gjuha shqipe, zgjedhja e presidentit në kuvend dhe ndarjen e buxhetit, respektivisht premtimet parazgjedhore për inicimin e ndryshimeve kushtetuese pasi këto çështje marrin shumë kohë. Ndryshimet e paralajmëruar nga Gruevski sipas BDI-së bëhen me qëllim harmonizimin e legjislaturës së Maqedonisë me atë të BE-së, në prag të publikimi të raportit të progresit.

Lajme të ngjashme

Back to top button