Rama: Do të punojmë për të përshpejtuar integrimin në BE

Pas ceremonisë së pritjes së Presidentit të KE-së dhe takimit zyrtar, Barroso e Rama kanë dalë para mediave për një konferencë të përbashkët për shtyp, ku në qendër ishte inkurajimi për vijimin e reformave.

Për rreth 1 orë e 30 minuta ka zgjatur takimi mes kryeministrit Rama dhe Presidentit të KE-së Jose Manuel Barroso dhe detajet e këtij takimi kryeministri i bëri me dije gjatë konferencës për shtyp.

“Vizita e tij ishte parashikuar 3 vite më parë nuk u realizua, por fatmirësisht doli më mirë pasi u krijua mundësia që ta vizitojë Shqipërinë si një vend që ka një status të veçantë atë të kandidatit për BE. Ky është një proces i gjatë, jo i lehtë dhe nuk do ishte kurorëzuar me sukses pa punën dhe rezultatet e dukshme të qeverisë në 9 muaj, por nga ana tjetër nuk është proces që i takon vetëm këtyre muajve por edhe punës së bërë në vite. E falënderova Presidentin Barroso për ndihmën që na jep dhe do të na japë, duke na kujtuar detyrat tona të shtëpisë dhe inkurajuar që ti bëjmë më mirë. Faleminderit edhe komisionarit për zgjerim Stefan Fyle, mikut të mirë të shqiptarëve që ka udhëhequr gjithë procesin e vetëdijesimit të klasës politike. Ne nuk e marrim statusin si trofe, as një arritje të njëanshme, për të pasur një pozicion që ndan, por si një vlerësim për çka kemi bërë dhe një shkallë përgjegjësie për çfarë do bëjmë. Kemi ende detyra shtëpie për të realizuar”, tha Rama në nisje.

Më tej, kryeministri shtoi, se ka informuar Presidentin e KE-së për zhvillimet në ekonomi e reformat që do të ndërmarrë qeveria e tij.

“Ekonomia kthim në shinat e progresit, e informova presidentin Barroso, e sigurova të kryejmë të gjitha reformat e lëna pezull vit pas viti. Së bashku do punojmë për të përshpejtuar hapat drejt rrugës së anëtarësimit”.

Gjithashtu Rama i ktheu përgjigje homologut serb Aleksandar Vuçiç se do ta vizitojë Beogradin.. Gjatë fjalës së tij kryeministri shqiptar tregoi për entuziazmin e Barrosos kur mori vesh lajmin se Rama do të shkonte në Beograd.

“Presidenti është entuziast për një hap të ri të zhvillimit të marrëdhënieve rajonale, për vizitën që unë do kryej në Beograd, për të marrë një rol të ri, të bashkëpunoj me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, që të bëhemi të vetëdijshëm për rrugën tonë të përbashkët drejt BE, që Ballkani ka nevojë për BE aq, sa BE ka nevojë për Ballkanin dhe se Ballkani nuk mund të kuptohet pa BE, ashtu si BE nuk ka kuptim pa përfshirjen e Ballkanit”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Back to top button