Vazhdon botërori në Brazil, ne mbetemi rezil?!

Duke analizuar disa zhvillime politike aktuale të javës së fundit mendoj se është legjitime pyetja nëse qëllimisht këto gjëra ndodhin në fillim të ramazanit dhe gjatë botërorit në futboll në Brazil që disi mos parashtrohen pyetje të shumta rreth gjërave shumë esenciale që po mëtohen të ndodhin këto ditë?!

E para nga këto është përparimi i Shqipërisë në rrugën evropiane, një gjë që ka gëzuar shqiptarët kudo që janë e edhe neve në Maqedoni, por duke na lënë të pyesim ku e lamë e ku na gjeti, lum vatani e mjerë mil-leti?! Duke qenë në këtë pyetje vatan Shqipëria e mil-let neve shqiptarët e Maqedonisë që për herë të parë jemi shqiptarët e fundit dhe të ngecur në rrugën për integrimin në BE e që një kohë ishim të parët.

Ashtu në vend se të pyesim dhe të marrim në përgjegjësi politikanët e shumtë që defiluan para nesh shumë herë nëpër zgjedhje gojëplotë me Evropë dhe NATO, neve mund të shohim se si bile ende Evropa dhe bota shfrytëzohet vetëm si një arsyetim për paaftësinë politike kur edhe ndryshimet kushtetuese arsyetohen vetëm me këtë rrugë për në Evropë.

Ashtu BDI doli dhe tha se pajtohet me propozimin e ndryshimeve kushtetuese sebep Evropës kurse për gjërat shqiptare nuk paska patë kohë?! Ndonëse nuk na është mbushur fare mendja se kanë qenë në dijeni të paktën për këtë iniciativë atëherë kur thonin se harmonizojnë platformat së paku të pyesim se si mund të ketë kohë për çështje aq komplekse si përkufizime për borxhin, ndryshim të emrit të bankës qendrore dhe definim të familjes e nuk paska kohë për futjen e emrit të gjuhës tonë shqipe e jo ajo të mbetet e emërtuar me numra siç është rasti tani në kushtetutë?!

Mandej mos ndoshta mendojnë se na kanë zënë në habi nga botërori dhe hyrja e muajit të ramazanit politikanë të ndryshëm që nëpërmjet Fejsbukit mendojnë të bëjnë politikë duke arsyetuar paaftësinë politike të tyren me vënie në pah të paaftësisë edhe të tjerëve? Siç qe rasti me zonjën Ermira Mehmeti që duke ikur nga përgjegjësia për “Skopje2014” pyeti për rolin politik turk në këtë mes. Edhe pse mu ajo vet ishte një mandat të tërë kryesuese e komitetit parlamentar për marrëdhëniet mes bashkësive etnike prej ku lirisht do mund ta ndërtonte një konsensus të gjerë multi-etnik kundër këtij projekti që shëmtoi Shkupin.

Mbetet të shohim nëse dhe vendimi i shtyrë për procesin e quajtur “Monstra”, që mbetet me rrezik më të lartë për dënim të njerëzve pa asnjëfarë argumenti të qëndrueshëm  është shtyrë me qëllim për në këto ditë kur ja i gëzohemi muajit të ramazanit dhe kupës së botërorit, por është e sigurt se deri sa nuk bëjmë pyetjet e duhura do vazhdojmë të mos marrim asnjë përgjigje.

Nuk mjafton gëzimi me iftaret në ramazan dhe as kthesat që bën reprezentacioni i Hollandës në futboll që ndonjëherë në të ardhmen të mos shkruhet mbi shqiptarët e Maqedonisë: në muajin qershor të këtij viti janë paralajmëruar ndryshime kushtetuese pa pjesëmarrje të opozitës, gjë që i ka bë shqiptarët politikisht ende më të vlefshëm, e ata janë pajtuar pa asnjë kërkesë shtesë dhe ndonëse nga ana tjetër me vite me radhë kanë patë funksione udhëheqëse në Drejtësi dhe Euro-Integrime ato kanë mbet të fundit në rajon në këto procese dhe me rrezik të lartë që të dënohen pa asnjëfarë të drejte.

Shkup, 29.06.2014

 

 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button