Gruevski viziton Azinë, për të kërkuar investime

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Nikolla Gruevski prej sot do të qëndrojë për vizitë disaditëshe në disa vende të kontinentit aziatik, Mbretëria e Japonisë, Republika e Koresë dhe në Republikën Popullore të Kinës.

Gruevski do ta kryesojë delegacion qeveritar të përbërë nga zëvendës kryeministri dhe ministri i Financave, Zoran Stavreski, ministri pa resor i ngarkuar për tërheqjen e investimeve të huaja, Bill Pavleski, drejtori i Drejtorisë për Zona të Zhvillimit teknologjik-industrial, Viktor Mizo dhe zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev.

Siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar, në kuadër të vizitës kryeministri dhe delegacioni i Qeverisë do të zhvillojë takime politike me përfaqësues të këtyre vendeve, rajoneve dhe qarqeve, do të marrin pjesë dhe do të mbajnë fjalime në forume të biznesit të organizuar nga Fajnenshël Tajms për prezantimin e kushteve të volitshme që vendi i mundëson për realizimin e investimeve të huaja, do të realizojnë edhe vizitë në spitale me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit në shëndetësi.

Delegacioni dhe kryeministri Gruevski do të kenë takime edhe me ekipet e menaxhimit të kompanive që janë të interesuar për të investuar në Maqedoni apo kanë marrë vendime për investime, si dhe me përfaqësues të subjekteve ekonomike, me të cilat vendi ynë realizon bashkëpunim. Kryeministri Gruevski prej sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Japonisë, ku do të ketë takime me princin Naruhito dhe me kryeministrin Shinzo Abe dhe me zyrtarë tjerë politik dhe ekonomik nga Japonia.

Delegacioni qeveritar i Maqedonisë në Tokio do të marrë pjesë dhe do të mbajnë fjalim në forum të biznesit për promovimin e kushteve të volitshme që i ofron Republika e Maqedonisë për realizimin e investimeve të huaja, i cili organizohet në bashkëpunim me Fajnenshël Tajms.

Në funksion të mundësimit të kushteve për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, kryeministri Gruevski do të realizojë vizitë dhe takim me ekipin e menaxherëve të Tokio Xheneral Hospital (Tokyo General Hospital).  Kryeministri dhe anëtarët e delegacionit qeveritar do të marrin pjesë dhe do të mbajnë fjalim në forum biznesi të organizuar në bashkëpunim me Fajnenshël Tajms, për të prezantuar kushtet e mira për investime në Republikën e Maqedonisë, që do të mbahen në Seul, Republika e Koresë.

Delegacioni qeveritar i Maqedonisë do ta vizitojë edhe rajonin special administrativ Hong Kong, i cili është pjesë e Republikës Popullore të Kinës. Kryeministri do të realizojë takim me kryetarin e Këshillit Ekzekutiv të Hong Kong-ut, Leng Çun-Jing.

Delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Gruevski do ta vizitojë spitalin në Hong Kong, Kuin Meri (Queen Mary), ku do të diskutojnë për bashkëpunimin mes të dy palëve në fushën e shëndetit, ndërsa fjalim do të mbajë edhe në forum biznesi të organizuar nga Fajnenshël Tajms.

Delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, në Republikën Popullore të Kinës do ta vizitojnë qytetin Guangzhu i cili paraqet bazë e kompanisë shumëkombëshe “Veibo”, e cila veçmë ka marrë vendimet për investime në Republikën e Maqedonisë dhe hapjen e një fabrike në rajonin verilindor të vendit, ku është paraparë punësim i 5.000 njerëzve në kuadër të kapaciteteve të kompanisë.

Delegacioni i Qeverisë do të realizojë takim edhe me drejtuesit e lartë të kompanisë “Veibo”, ku do të diskutojnë për realizimin e mëtejshëm të investimeve dhe për mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik. Kryeministri Gruevski do të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit politikë të rajonit Guangdong.

Lajme të ngjashme

Back to top button