Maradona për Beckenbauer dhe Pele: Dy hajvanë!

Mbështetja e dy legjendave të futbollit botëror, Beckenbauer dhe Pele për penalizimin e Luis Suarez nga FIFA e kanë bërë si të çmendur Diego Maradonën.

Në programin e tij televiziv, ikona e Argjentinës shpërtheu i revoltuar me fjalë që kalojnë çdo limit, duke mbrojtur edhe njëherë bomberin uruguaian pas kafshimit të Chiellinit.

“Këta të dy kanë dalë nga muzeu dhe duan të flasin por në fakt thonë vetëm idiotësira sepse në fund të fundit janë dy hajvanë që bëjnë çfarë u ka thënë kapoja për të mbrojtur atë padrejtësi që nuk e mbështet e gjithë bota”.

Me një gur qëllon jo dy, por tre zogj sepse me kapo, Maradona i referohet presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, për të cilin pretendon se paguan brazilianin Pele dhe gjermanin Beckenbauer, që t’i ketë në anën e tij, transmeton Supersport.

“Këto dy personalitete të futbollit u çuan dhe dolën nga sarkofagu për të mbrojtur FIFA-n sepse nëse nuk e bëjnë, nuk marrin rrogën e muajit. Çmendem me këta njerëz që përpiqen të mbrojnë diçka, që në mënyrë absolute nuk mund të mbrohet”.

Edhe më të ashpra bëhen tonet në vijim, gjithmonë sipas stilit të tij unik.

“Si të mos jenë dakord kur është FIFA që i paguan këta të dy? Eshtë një turp i vërtetë. Nëse ke qenë futbollist në të shkuarën, më mirë mbylle gojën vëlla, sepse prapë rrogën do ta marrësh në fund të muajit”.

Lajme të ngjashme

Back to top button