Basha: Qeveria e propagandës, jo e punës konkrete

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë sot në Kuvendin Zgjedhor të PD-së në Korçë, Pogradec dhe Devoll nga ku deklaroi se qeveria është e orientuar nga propaganda e televizioni më tepër, se sa te puna dhe dhënia e rezultateve konkrete.

“Të orientohemi sot në opozitë drejt kapaciteteve dhe mendësisë për të ndërtuar nesër një qeveri që është më shumë në punë se sa në TV, që prodhon më shumë rezultate se propagandë. Që do t’i japë dimension të ri demokracisë pjesëmarrëse, që do të projektojë duke filluar që tani drejtimet e reja të zhvillimit të vendit, në kushtet e hapjes dhe të konkurrencës me tregjet e BE-së”, tha Basha.

Basha deklaroi me tej se një parti me demokraci funksionale brenda saj, e cila me votë të lirë zgjedh më të mirët sot në opozitë, është garanci për pushtetin e nesërm, ku në postet publike dhe të administratës, do të caktohen më të mirët:

“Një familje politike që vendos qartë rregullat e demokracisë për funksionimin brenda vetes, një familje politike që zgjedh me votë të lirë më të mirët brenda vetes sot në opozitë, jep garanci se nesër në pushtet po kështu do të caktojë njerëzit më të mirë në postet publike dhe të administratës. Një familje që brenda vetes se vet, i jep çdo kujt mundësinë të shprehet, të shkëmbejë lirisht dhe në mënyrë të qytetëruar mendimet, të ndajë pikëpamjet me të tjerët, të respektojë dinjitetin personal të çdo anëtari të PD-së nga më i vjetri tek më i riu. Nesër do të bëjë të njëjtën gjë në raport me shoqërinë, në raport me qytetarët”, tha Basha./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button