Ademi: Ndryshimet kushtetuese, harmonizim me legjislaturën evropiane

Në pakon e ndryshimeve kushtetuese të cilat i paralajmëroi kryeministri Gruevski, nuk përfshihen kërkesat kryesore të partnerit shqiptar në Qeveri BDI-së, siç janë çështja e gjuhës shqipe, zgjedhja e presidentit të shtetit dhe ndarja e buxhetit. Nga BDI thonë se këto çështje nuk janë hapur nën pretekstin se marrin shumë kohë dhe nuk do të arrinin të miratohen deri në shpalljen e progres raportit për Maqedoninë  nga ana e Komisionit Evropian. Ndërsa ndryshimet e paralajmëruar nga Gruevski sipas BDI-së bëhen me qëllim harmonizimin e legjislaturës së Maqedonisë me atë të BE-së, transmeton Alsat.

“Janë ndryshime që bëjnë harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së dhe janë kërkesa kryesisht të BE-së.  Dhe nëse hyjmë në çështje të tjera të debatit për ndryshime kushtetuese në sferat tjera, besoj që këto  nuk do të implementoheshin këto ndryshime që janë aq të rëndësishme që të miratohen para raportit për progresin e Maqedonisë drejtë BE-së”, deklaroi Abdilaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Ademi i vlerësoi si të rëndësishme ndryshimet kushtetuese në sferën e gjyqësorit, për shkak se të njëjtat shkojnë në drejtim të pavarësimit të  pushtetit gjyqësor.

“Me largimin e ministrit të drejtësisë dhe kryetarin e Gjykatës Supreme konsiderohet që në një farë mënyrë gjykatësit do të kenë shumicën në Këshillin gjyqësorë dhe në këtë mënyrë do të marrin edhe vendime më të pavarura nga politika”, tha Abdilaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Ademi tha se edhe ndryshimet tjera që prekin ndryshimet në sferën e financave për borxhin publik, janë praktikë e vendeve të Bashkimit Evropian. Ndryshimet kushtetuese të paralajmëruara nga kryeministri Gruevski, janë miratuar njëzëri në mbledhjen e fundit të Këshillit qendror të BDI-së .

Lajme të ngjashme

Back to top button